Skandaloze: RTK merr 17 vetura me qera me mbi gjysmë milioni euro

Aktuale

Skandaloze: RTK merr 17 vetura me qera me mbi gjysmë milioni euro

Më: 23 qershor 2021 Në ora: 11:57
RTK

Radio Televizioni i Kosovës (RTK) që nga 14 shkurti i vitit 2019 ka marrë me qera 17 vetura të tipit “Peugot 301” në vlerën prej 517 mijë e 140 euro në kohëzgjatje prej 5 vitesh.

Media ka bërë një hulumtim të detajuar për këtë tender ku ka gjetur parregullsi të mëdha që nga dhënia kundërligjshëm me kontratë njëburimore e deri te çmimet astronomike.

Edhe pse ky tender nuk figuron në ueb-faqen e RTK-së, Media ka siguruar kontratën e prokurimit të RTK-së të cilën me 27.02.2019 e kishte marrë kompania “ATLLAS-N” SH.P.K. duke mos pasur asnjë konkurrent.
Në këtë tender edhe pse kishte qenë i hapur nuk kishte konkurruar asnjë kompani tjetër dhe ky tender ishte dhënë kundërligjshëm (njëburimor) duke mos përfillur rregullat e prokurimit publik.

Në fotografitë e siguruara në parkingun e RTK-së tashmë po qëndrojnë veturat e tipit “PEUGOT 301” të cilave sipas burimeve të media ju ka skaduar edhe afati i regjistrimit dhe që nga dita e djeshme ato nuk mund të dalin as në qarkullim.

Sipas informacioneve bëhet fjalë për gjithsejtë 17 vetura të marra me qera konkretisht 15 vetura “Peugot 301” 1.6 Dizell, një kombibus dhe një “Peugot 308”.

Çmimet astronomike për veturat e marra me qera

Për një veturë të thjeshtë “PEUGOT 301” 1.6 dizell RTK-ja do të paguaj qera plotë 30 mijë euro për 5 vitet në vazhdim, ndërkohë sipas një hulumtimi në treg një veturë e tillë me specifikacione të njëjta ka kushtuar ose kushton për ta blerë të re rreth 15 mijë euro me kilometrazh 00.

Me një përllogaritje të thjeshtë del se RTK-ja me 517 mijë euro që do të paguaj qera për 17 vetura të tilla mund të kishte blerë plotë 34 vetura të njëjta, e të cilat do të mbeteshin në pronësi të përhershme të televizionit publik, RTK.

Për të gjitha këto gjetje media ka kontaktuar një zyrtar të prokurimit në RTK numri i të cilit figuron në kontratë dhe ka pyetur përmes telefonit për të dhënë detaje mirëpo ai nuk ka pranuar të përgjigjet: “O Zotni nuk jam unë zëdhënësi i RTK-së për këto informacione, unë nuk t’i jap këto informacione, zëdhënësi i RTK-së t’i jep këto informacione”.

RTK nuk përgjigjet

Ndërkohë media ka dërguar pyetje në RTK për të kërkuar sqarime dhe detaje për këtë tender mirëpo që nga dita e djeshme RTK-ja nuk ka kthyer asnjë përgjigje rreth kësaj çështje.

Gjithashtu media ka kontaktuar edhe me pronarin e kompanisë që e ka marrë këtë tender “ATLLAS-N”, kompani e cila sipas të dhënave në ARBK si aktivitet primarë ka ndërtimin e objekteve banesore dhe jobanesore ndërsa atë sekondar punimet e kulmit.

Pasi u prezantuam dhe i treguam se përse bëhet fjalë, pronari i kompanisë përmes telefonit ka refuzuar të përgjigjet: “Asnjë pyetje mos ma ban se jam në zavall me shpirt temin po hiqmu pyetjeve allahile, s’jam unë me tu përgjigj ty po hiqmu pyetjeve…” dhe e ka mbyllur telefonin.

Po ashtu media ka kontaktuar edhe Drejtorin e Bordit në RTK z.Sali Bashota për ta pyetur se a ka qenë në njohuri për këtë tender dhe se a i kanë adresuar diku këto shkelje, mirëpo z.Bashota ka thënë përmes telefonit se ai në atë kohë nuk ka qenë kryesues i Bordit dhe se nuk ka asnjë informacion për këtë çështje.

Përplasje mes ish menaxhmentit dhe bordit

Në kohën kur është nënshkruar kjo kontratë ushtrues detyre i drejtorit të RTK-së ka qenë z.Mefail Limani mirëpo procedurat e tenderimit ishin zhvilluar në kohën sa kishte qenë drejtor Mentor Shala. I kontaktuar përmes telefonit z.Limani ka thënë se në kohën kur e ka marrë detyrën ky tender ka kaluar të gjitha procedurat dhe nënshkrimin e ka bërë në marrëveshje me bordin.

“Nënshkrimin e kam bërë në marrëveshje me bordin për shkak se procedurat e tenderit janë zhvilluar ma herët unë kam qëlluar në fund të procesit dhe për shkak se kam qenë ushtrues detyre dhe nuk kam qenë në rrjedha në marrëveshje me bordin e kam nënshkru dhe procesi ka ecë tutje”, ka thënë Limani.

E kontaktuar nga IndeksOnline, kryesuesja e bordit së RTK-së në atë kohë znj.Afërdita Maliqi ka mohuar se kjo kontratë është nënshkruar në bashkëpunim me bordin.

“Jo, jo kjo nuk qëndron aspak sepse bordi nuk nënshkruan kontrata. Kjo është përgjegjësi e menaxhmentit të RTK-së, ne si bord kemi qenë në dijeni në atë kohë për këtë tender, bile ka pasur debate të brendshme dhe ne si bord i kemi sugjeruar në atë kohë menaxhmentit, që të ketë kujdes, të shikoj dhe analizojë edhe forma tjera, në mënyrë për ta ruajtur buxhetin dhe të mos rrezikohet skema programore. Mirëpo, menaxhmenti e ka arsyetuar, duke marrë shembull se edhe Qeveria shfrytëzimin e veturave po e bën në një formë të tillë, për shkak të kostos së përgjithshme që i bjen më lirë”, ka deklaruar Maliqi.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat