Gërvalla në Shkup: Iniciativa e Novi Sadit është e rrezikshme

Aktuale

Gërvalla në Shkup: Iniciativa e Novi Sadit është e rrezikshme

Më: 30 korrik 2021 Në ora: 12:38
Donika Gërvalla

(E plotësuar 13:05) - Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla po qëndron në vizitë zyrtare në Shkup të Maqedonisë së Veriut, prej ku ka thënë se Kosova është e gatshme të ndërmarrë masat e nevojshme për realizimin e një pike të përbashkët kufitare në mes të dy shteteve. Një gjë të tillë e synon edhe Maqedonia e Veriut, ka thënë kështu homologu i saj në Shkup, Bujar Osmani.

Në një konferencë për media, Gërvalla dhe Osmani kanë thënë se në takimin e përbashkët kanë biseduar edhe për mbajtjen e mbledhjes së dy qeverive.

Gërvalla: Kosova është e gatshme të ndërmarrë masat e nevojshme për krijimin e një pike kufitare me Maqedoninë e Veriut

“Sa u përket pikave kufitare, u jap shumë të drejtë, është diçka që duhet të gjejmë një zgjidhje pragmatike me qëllim që qytetaret mos të detyrohen të presin gjatë në kufi, zgjidhje të tilla nuk ka nevojë t’i shpikim sepse ekzistojnë, i kemi shembujt në vendet e ndryshme, i ashtuquajturi ‘one stop shop është bisedë mes nesh mbetët të gjejnë mundësi konkrete. Si Republikë e Kosovës jemi shumë të gatshëm të ndërmarrim në aspektin teknik gjithçka që është e nevojshme për realizimin e një pike të përbashkët, të një vendkalimi të përbashkët kufitar me qëllim të mos pritet dy herë”, ka thënë Gërvalla.

E ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani ka thënë se partneritetin politik e ekonomik me Kosovën, po tentojnë ta kthejnë në projekte konkrete të cilat do të përmirësonin jetën e qytetarëve në të dy shteteve.

Osmani: Synojmë të krijohet një pikë e përbashkët kufitare Kosovë-Maqedoni e Veriut

“Qëllimi është të krijohet një pikë e përbashkët kufitare e dyja vendeve, grupet e punës ka një kohë që punojnë në drejtim të fizibilitetit dhe përcaktimit, ose përgatitjet së një plani të tillë, mbledhja e përbashkët e qeverive duhet të jetë një shtytës i rëndësishëm në drejtim të formalizmit të hapave drejt krijimit të kësaj pike të përbashkët kufitare por nuk ka dilema pulitke të çfarëdo lloji sa i takon krijimit të kësaj pike kufitare. Bile po tentohet të shkohet edhe më tej në drejtim të liberalizimit të kufijve në rajon me qëllim siç thash lirimit të potencialit të mbyllur tani në rajon për shkak të fragmentimit të tregjeve dhe barrierave administrative që ekzistojnë ndërmjet dy vendeve tona”, ka thënë Osmani.

Gjithashtu Osmani ka theksuar se Maqedonia e Veriut mbështet fuqishëm anëtarësimin e Kosovës në Bashkimin Evropian dhe në NATO.

Gjatë vizitës saj në Shkup, Gërvalla ka thënë se Kosova është e përkushtuar me Maqedoninë e Veriut dhe shtetet e tjera të rajonit të thellojnë bashkëpunimin rajonal s gjashtë shtete të barabarta që për synim e kanë integrimin në Bashkimin Evropian.

Gërvalla: Integrimi në Bashkimin evropian u mundëson shteteve të rajonit bashkëjetesë pa barriera

“Integrimi në Bashkimin Evropian do të mundëson për të gjitha shtetet e rajonit edhe një bashkëjetesë edhe më të mirë dhe pa barriera, të cilën këtë bashkëjetesë e mësojmë shumë mirë edhe nga modeli i Bashkimit Evropian dhe i shteteve, madje integrimi në Bashkimin Evropian mundëson bashkëjetesë edhe në mes të shteteve të vilat mund të kenë pasur probleme serioze në të kaluarën, por të marrim si shembull Francën dhe Gjermaninë atëherë është e qartë se sa më e lehtë bëhet jeta për qytetarët tanë”, ka thënë ajo.

Ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, do të takojë sot në Shkup krerët institucionalë dhe do të marrë pjesë në aktivitete kulturore.

***

Zëvendëskryeministrja e Kosovës, Donika Gërvalla ka thënë se nisma rajonale e emëruar tani “Ballkan i Hapur” është e rrezikshme dhe përmes saj krijohet përshtypja se rajoni ka alternativë tjetër në rrugën drejt Bashkimit Evropian. Në një konferencë të përbashkët me homologun e saj në Shkup, ministrja e Jashtme dhe Diasporës ka thënë se nuk ka nevojë për nisma rajonale të tilla derisa shtetet veçse janë pjesë e procesit të Berlinit, që sipas saj, hapja e iniciativave paralele nuk paraqet diçka të re.

Një ditë pasi Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Serbia nënshkruan marrëveshje për nismë rajonale, e njohur si minishengeni ballkanik por që dje u emërua si “Open Ballkan”, ministrja e Jashtme e Kosovës ka treguar edhe njëherë qëndrimin e qeverisë në kundërshtim të kësaj nisme.

Gërvalla: Iniciativën e Novi Sadit e konsiderojmë të rrezikshme

“Si Republikë e Kosovës, iniciativën e Novi Sadit ndërkohë të minishengenit, që nga dita e djeshme të Ballkanit të Hapur, e konsiderojmë të rrezikshme. Pse e konsiderojmë të rrezikshme, sepse krijohet përshtypja sikur përçohet mesazhi sikur kemi alternativë ndaj rrugës sonë të përbashkët si rajon drejt BE-së, dhe perçimi i këtij mesazhi ne e konsiderojmë që është më i rrezikshëm sa vonesat që mund të ndodhin ndërkohë gjatë procesit tonë të integrimit”, ka thënë Gërvalla.

Ajo ka përmendur procesin e Berlinit në të cilin janë pjesë të gjitha vendet e rajonit, për çka ka thënë se hapja e nismave paralele nuk paraqet diçka të re.

Gërvalla: Vendet e rajonit janë pjesë e procesit të Berlinit, hapja e iniciativave paralele nuk paraqet diçka të re

“Ne kemi një proces të përbashkët rajonal ku jemi të gjitha vendet e rajonit, procesi quhet procesi i Berlnit, aty kemi disa vite që përpiqemi të shtyjmë përpara marrëveshjet të cilat prekin të gjithë qytetarët tanë. Në këtë iniciativë Republika e Kosovës është partner i barabartë me pesë shtetet e tjera të Ballkanit, dhe ne konsiderojmë që hapja e iniciativave paralele të cilat në thelb nuk paraqesin diçka të re, është e rrezikshme për atë se si ne e shohim vetë në rajon por edhe si shihemi nga BE. Është përshtypja ime që kjo iniciativë e quajtur më parë minishengen dhe tani e hapur, shtrohet pyetja ndaj kujt, vë një pikëpyetje edhe rreth përcaktimeve gjeostrategjike që ka rajoni ynë, sepse në rajonin tonë jo të gjitha shtetet kanë të njëjtin përcaktim gjeostrategjik”, ka thënë Gërvalla derisa u është përgjigjur pyetjeve të gazetarëve rreth minishengenit.

Nisma rajonale e njohur si minishengen, dje është zyrtarizuar me emrin “Open Ballkan”, e nënshkruar në Shkup nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ai i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

Kësaj nisme nuk i është bashkuar Kosova, Mali i Zi e as Bosnje e Hercegovina.

Ministrja e Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla po qëndron për vizitë zyrtare në kryeqendrën e Maqedonisë së Veriut.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat