PDK në Vushtrri përcaktohet për kandidatin

Aktuale

PDK në Vushtrri përcaktohet për kandidatin

Më: 4 gusht 2021 Në ora: 16:45
Foto ilustrim

Partia Demorkatike e Kosovës dega në Vushtrri së shpejti do ta zyrtarizojë kandidatin për kryetar të komunës për zgjedhjet e 17 tetorit.

Deri tani kandidaturën e ka shpallur Ferid Idrizi, i cili thotë se e ka mbështetjen e degës në komunën e Vushtrrisë.

Por, së fundmi ambicie për t`i hyrë kësaj gare ka shprehur edhe Myzafer Shala, që për një kohë ka mbajtur pozitën e ish ministrit të Inovacionit në kohën e PAN-it.

Por se cili do të jetë kandidat i PDK për kryetar të komunës nga ky subjekt politik, pak dyshime ka kreu i kësaj partie në Vushtrri, Kurtan Kajtazi.

Ky i fundit,  ka thënë se ende nuk është vendosur përfundimisht, por me gjasë, duke parë edhe zhvillimet e pritjet e strukturave, kandidat do të jetë Ferit Idrizi.“Ferit Idrizi ka më tepër gjasa dhe pritet të konfirmohet. Por, s’ka asgjë zyrtare. Për këtë duhet pritur deri javën e ardhshme”, ka thënë Kajtazi.

Ndërkaq, burimet kanë thënë se ambiciet e Myzafer Shalës si kandidat i mundshëm, e kanë “shti në siklet” Ferit Idrizin, i cili i ka dhënë një ultimatum kryetarit të degës Kurtan Kajtazi që më së largu të premten ta shpallin zyrtarisht kandidaturën e tij për kryetar të komunës së Vushtrrisë për zgjedhjet e 17 tetorit.

“Vendos kryesia dhe organet e tjera të partisë. Nëse unë do të jem ai emër padyshim se jam i gatshëm. E nëse është dikush tjetër, unë do ta mbështes”, ka thënë Myzafer Shala.

Por, Ferit Idrizi është ndier i “befasuar” nga kandidimi potencial i Myzafer Shalës, i cili thotë se nuk ka dëgjuar nëse Shala do të jetë kundërkandidat i tij për këtë garë, ani pse nuk e mohoi ta ketë mik të mirë.

“Unë e kam bërë publike qysh moti kandidaturën time, kam mbështetjen e Kryesisë në Vushtrri por edhe të Qendrës. Me Myzaferin jemi kolegë dhe ai nuk e ka përmendur se mund të jetë kandidat”, ka thënë ndër të tjera Idrizi.

Në zgjedhjet e 17 tetorit në këtë qytet tashmë Lidhja Demorkatike e Kosovës i ka besuar edhe një mandat kryetarit aktual të komunës së Vushtrrisë Xhafer Tahiri.

Lëvizja Vetëvendosje ende nuk ka vendosur për emrin se kush do të garojë nga ky subjekt, përderisa janë përfolur tre emra: Nasuf Aliu, Sylejman Meholli dhe deputeti i Kuvendit të Kosovës, Besim Muzaqi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat