Gjykata Speciale reagon për akuzat e OVL të UÇK-së

Aktuale

Gjykata Speciale reagon për akuzat e OVL të UÇK-së

Më: 4 gusht 2021 Në ora: 17:16
Gjykata Speciale

Këtë të marte, Organizata e Veteranëve të Luftës të UÇK-së ka akuzuar Dhomat e Specializuara për shtyerjen e qëllimshme të fillimit të seancave kundër ish-krerëve të luftës së viteve 1998-1999. Kreu i OVL-së ka thënë se Gjykata Speciale po bënë stërzgjatjen e nisjes së seancave vetëm për qëllime financiare të këtij institucioni.

Një qasje e tillë, sipas Klinakut, është tendencë për të arsyetuar milionat që Bashkimi Evropian i ndan për DHSK-në.

“Ju e keni parë stërzgjatjen e seancave të atyre që gjenden në paraburgim, i kanë stërzgjatur qëllimisht sepse atyre iu duhen paga të majme dhe arsyetimi i stërzgjatjes së këtyre seancave është vetëm që t’i arsyetojnë milionët që taksapaguesit e BE-së dhe të Kosovës japin për këtë Gjykatë. Pra, kjo është vetëm për qëllime të tyre financiare”, deklaroi Klinaku.

Tutje Klinaku ka thënë se Specialja po i ndjek ish-pjesëtarët e UÇK-së e jo krimet e luftës.

Këtyre deklaratave të Klinakut, iu është kundërpërgjigjur Gjykata Speciale me seli në Hagë duke i hedhur poshtë akuzat e kryetarit të OVL të UÇK-së.

Në përgjigjen e tyre për Gazetën DHSK ka theksuar se puna e saj bazohet në legjislacionin në fuqi duke përfshirë Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Sipas Speciales, kjo gjykatë ka për synim sigurojnë procese të drejta e të shpejta duke shmangur çfarëdo vonese të panevojshme të proceseve gjyqësore.

“Ligji dhe Rregullorja e Procedurës dhe e Provave të Dhomave të Specializuara janë hartuar për të ofruar standardet më të larta të drejtësisë penale, që pasqyrohen në instrumentet e të drejtës ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, duke përfshirë Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe Konventën Ndërkombëtare për të Drejtat Civile dhe Politike. Ato synojnë të sigurojnë procese gjyqësore të drejta dhe të shpejta në të gjitha fazat e tyre të ndryshme. Duke u bazuar në përvojat e gjykatave dhe tribunalëve ndërkombëtarë, gjykatësit kanë pasur kujdes të veçantë gjatë hartimit të rregullave për të shmangur çdo vonesë të panevojshme të procesit”, thuhet në përgjigjen e Gjykatës Speciale.

Deri më tani në Speciale janë mbajtur vetëm seanca përgatitore ku është diskutuar për ecurinë e çështjeve kundër të paraburgosurve.

Ndërsa, seanca e parë gjyqësore pritet të mbahet më 15 shtator, ku para trupit gjykues do të paraqitet Salih Mustafa, ish-komandant i UÇK-së, i cili akuzohet se gjatë prillit të 1999 ka kryer krime të ndalimit arbitrar, trajtimit mizor e torturës ndaj të ndaluarve në Zllash.

Kujtojmë që nga viti i kaluar Specialja ka arrestuar Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin, Jakup Krasniqin, Salih Mustafën e Pejtër Shalën nën akuzën se kanë kryer krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Ndërkaq, Hyseni Gucati e Nasim Haradinaj, ish-udhëheqës të OVL të UÇK-së, u arrestuan nga DHSK nën akuzën se kryen vepra penale kundër administrimit të drejtësisë që përfshinë pengimin e personave zyrtarë në kryerjen e detyrave, frikësimin e dëshmitarëve, hakmarrjen dhe shkeljen e fshehtësisë së procedurës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat