“Për lamtumiren s'na lanë kufijtë e mbyllun, e për ardhjen të varri..” Çun Lajçi përkujton Llukman Halilin

Aktuale

“Për lamtumiren s'na lanë kufijtë e mbyllun, e për ardhjen të varri..” Çun Lajçi përkujton Llukman Halilin

Nga: M.L. Më: 3 shtator 2021 Në ora: 12:34
Çun Lajçi dhe gazetari i ndjerë, Llukman Halili

Aktori Çun Lajçi ka përkujtuar sot mikun e tij Llukman Halilin, i cili ishte gazetar shumëvjeçar i gazetës kombëtare “Bota sot”.

Aktori Lajçi i është drejtuar gazetarit të ndjerë me një letër prekëse derisa ka postuar edhe një fotografi.

Postimi i plotë:

Llukman i Tërnovcit

Kur ti mendove se t'harrova, kur iu ba shumë heshtjes nji vjeçe, kur u harruen ardhjet e mia të miku yt-i imi, Haqifi, ja po t'shkruej nga këtej, ku krymbemi virusesh e vdesim çdo natë, si n'mortajen e viteve që s'e mbajmë mend!

T'kam lanë me pushua lum miku, (s'kam harrua) se ishe i lodhun ditëve t'fundit. Njiherë t'molisi rruga Cyrih-Zagreb tue doktorua e mandej tue lypë ilaçin për smundjen që po t'brente n'heshtje!

Kur ti po i mblidhje fiet e jetës, dikund n'spitalet e Helvetikës, unë po i numëroja hapat n'balkonin 5 metërsh n'Dardani, i mbyllun n'karantinë. E kisha marrë vesh nga Haqifi, se ty tu kishin harxhua ditët e po baheshe gati me ua falë përgjithmonë shikimin djalit e vajzes e grues, që t'ruejtën të kryet, e kurrë zemrën s'ta thartuen!

Për lamtumiren s'na lanë kufijtë e mbyllun, e për ardhjen të varri po e pres Haqifin me m'thirrë. Por ti e din si asht ai. Sot thot po, e nesër s'e din as vet se ku asht: Sangallë apo Bazel!

Llukman i Tërnovcit.

Nëse vi me Haqifin, s'ke me mujt me na sha për vonesën, se t'gjitha brezelat me fara kungujsh kemi me t'i pru.

Nëse vi me Dashnimin, prap s'ke me mujt m'u idhnu, se kemi me t'çua të Zeneli i Medvegjes me festua ditën e flamurit. Ti ke me vallzua me Dashnimin e unë kam me shitë libra!

Por nëse vi vetëm kam me t'kallxua për Ramush Tahirin, shokun e studimeve që vdiq kësaj vere e për hallakamën e qeverisë së shpresës, që u zverdhua pa ra bryma vjeshtore.

Ti mendove se t'harrova, por ja që unë po bahem gati me nji çantë Kopilana me t'ardhë të koka, e me t'kallxua se kush ishte kopil e kush stërkopil, sepse shumë herë m'the: Hiqu, mos u merr me këta që shitjen e kanë ushqim!

Shtator, 03.09.2021

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat