Vrasja që tronditi Kosovën/ Flet vëllai i Donjeta Pajazitajt: Ky është fakti që duhet ta bindë Gjykatën se Naseri është fajtori

Aktuale

Vrasja që tronditi Kosovën/ Flet vëllai i Donjeta Pajazitajt: Ky është fakti që duhet ta bindë Gjykatën se Naseri është fajtori

Nga: M.L. Më: 5 janar 2022 Në ora: 15:13
Donjeta Pajazitaj

Në fund të nëntorit 2021, Gjykata e Apelit ka anuluar dënimin me burg të përjetshëm për Naser Pajazitaj që akuzohet për vrasjen e kushërirës së tij, Donjeta Pajazitaj.

Kjo është e katërta herë që rasti kthehet në rivendosje, derisa i akuzuari do të mbetet në paraburgim.

“Me aprovimin e ankesës së përbashkët të mbrojtësve të akuzuarit N.P., por, edhe sipas detyrës zyrtare, aktgjykimi i Gjykatës Themelore - Departamenti për Krime të Rënda në Ferizaj, PKR.nr.9/20 datë 07.07.2021, anulohet dhe çështja i kthehet të njëjtës gjykatë në rigjykim dhe vendim. Të akuzuarit N.P., i vazhdohet paraburgimi deri në marrjen e vendimit tjetër nga gjykata e shkallës së parë”, thuhet në vendimin e Apelit.

Familjarët e Donjeta Pajazitajt vazhdojnë të shprehin pakënaqësinë e tyre lidhur me vendimin e Gjykatës për rigjykim.

Vëllai i Donjetës Shkëlqimi, ka thënë për gazetën “Bota sot” se Gjykata ka pasur fakte të mjaftueshme për të mos e kthyer rastin në rigjykim.

Po shpresojmë tash të merret vendim sa më i drejtë  dhe të zbulohet arsyeja pse e çka e shtyri Naserin që ta bëjë këtë vepër dhe me kënd ka qenë se të gjithë e dimë gjendjen e tij si ka qenë. Nuk e di pse e ne çka është bazuar Gjykata që e ktheu tash për të katërtën herë në rigjykim kur ka pasur fakte të mjaftueshme”, ka deklaruar Pajazitaj.

Tutje, ai ka thënë se një fakt bindës për Gjykatën do të duhej të ishte edhe ai se vajza e Naser Pajazitajt ka dalë kundër babait të saj në këtë rast.

Lëre që të gjitha faktet nuk po i bindin, por si kanë mundur të mos binden kur faktin kryesor e kanë pasur vajzën e Naserit, e cila ka dalë kundër tij.

Ku kanë parë ata kur fëmija del kundër prindit e ata mos me u bind”, është shprehur ai.

Naser Pajazitaj akuzohet se më 9 nëntor 2015, në bjeshkët e Strellcit-Komuna e Decanit, në vendin e quajtur te “Kroni i Lajthisë” duke qenë edhe më parë i dënuar për vepër penale të vrasjes së rëndë, me dashje dhe me armë të tipit të panjohur, për motive të ulëta ka privuar nga jeta Donjeta Pajazitaj nga po i njëjti fshat.

Derisa viktima ditën kritike ka qenë duke shkuar në punë, në këmbë nëpër rrugën në drejtim të Strellcit të Epërm dhe kur afrohet në afërsi të shtëpisë së N.J., kalon i pandehuri me veturën e tij, i cili ndalet e merr D.P. me veturë, e më pas vazhdon në drejtim të bjeshkëve të Strellcit dhe kur arrin te “Kroni i Lajthisë” e privon nga jeta me armë duke shtënë dy herë në kokë dhe largohet nga vendi i ngjarjes.

Kufoma e viktimës është gjetur më 17.12.2015 në vendin e ngjarjes nga disa kalimtarë të rastit.

Kujtojmë se Gjykata Themelore e Ferizajt e kishte shpallur fajtor duke e dënuar me burgim të përjetshëm Naser Pajazitajn, i akuzuar për vrasjen e kushërirës së tij, Donjeta Pajazitajt.

Kurse, më 30 nëntor të këtij viti Gjykata e Apelit ktheu rastin në rigjykim duke anuluar vendimin për burgim të përjetshëm.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat