​Telekomi do të apelojë vendimin e fundit të Arbirtazhit

Aktuale

​Telekomi do të apelojë vendimin e fundit të Arbirtazhit

Më: 22 shkurt 2022 Në ora: 21:14
Foto ilustrim

Telekomi i Kosovës reagoi pasi humbi një tjetër rast në Arbirtrazh ndaj Z Mobile që detyrohet t'i paguajë edhe rreth 13 milionë euro të tjera, pas rastit të vitit 2016 ku ishte detyruar të paguante së njëjtës kompani 39 milionë euro.

Telekomi, përmes një komunikate për media, tha se do të ndjekin rrugët e tjera ligjore për të apeluar vendimin pasi i njëjti për ta është i parregullt. Sipas komunikatës, ekspertët ligjorë të kësaj ndërmarrjeje janë duke përgatitur argumentet përmes të cilave do të sfidojnë vendimin e Arbirtazhit në gjykatat kompetente.

“Vendimi i Arbitrazhit IÇ No. 24841, përkundër faktit pozitiv se konstaton që kontrata me Z- mobile konsiderohet e përfunduar me 30 korrik 2019 dhe ka refuzuar shumicën e kërkesave të Z-Mobile, megjithatë nuk është në linjë me pritjet e Telekomit të Kosovës Sh.A. dhe sipas vlerësimeve paraprake nuk është as në përputhje me standardet ligjore të aplikueshme. Përpos që nuk sjell drejtësi për sa i përket raportit tashmë të përfunduar kontraktual me Z-Mobile, ku Telekomi ka arritur të dëshmojë humbje të akumuluara qindra milionëshe, i njëjti nuk është në përputhje me parimet kryesore të drejtësisë dhe përgjegjësisë kontraktore”, thuhet në komunikatë.

Telekomi thotë se të gjitha këto fatura të kripura që po paguan dhe borxhet e trashëguara janë pasojë e një keqmenaxhimi për të cilën ende nuk ka marrë askush përgjegjësi.

“Këto borxhe, dhe ato ndaj shtetit dhe institucioneve të tjera publike, pasojë e një politike dhe një menaxhimi të kaluar, për të cilat askush deri sot nuk dha përgjegjësi, rrezikojnë të përmbytin përpjekjet e jashtëzakonshme që po bëhen për të rimëkëmbur këtë kompani, e cila ka potencial të jashtëzakonshëm njerëzor. Rimëkëmbja dhe ruajtja e Telekomit të Kosovës me një qasje krejtësisht tjetër ndaj pronës publike, ndaj qytetarit dhe konsumatorit dhe vënia jonë në shërbim të publikut/ konsumatorëve 24/7, është në interesin më të mirë publik dhe njëkohësisht një obligim ligjor e moral, e profesional”, thuhet në komunikatë.

Telekomi thotë se aktualisht po ndërton një proces të baraspeshuar të pagesës së borxheve dhe një proces paralel të rimëkëmbjes së brendshme financiare, organizative, morale e operative si dhe kthimit të ligjshmërisë në kompani.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat