Live: Tensione dhe përplasje në Kuvend, reagon menjëherë Konjufca – merr këtë vendim urgjent

Aktuale

Live: Tensione dhe përplasje në Kuvend, reagon menjëherë Konjufca – merr këtë vendim urgjent

Më: 5 maj 2022 Në ora: 06:38 Përditësuar në ora: 17:54 më 05.05.2022
Kuvendi i Kosovës

​Dështon zgjedhja e dy kandidatëve për gjyqtarë të Kushtetueses

Ka dështuar zgjedhja e dy kandidatëve për gjyqtarë në Gjykatën Kushtetuese, pasi asnjëri prej kandidatëve nuk mori votat e nevojshme, megjithëse në votim morën pjesë 97 deputetë.

Në votimin në raundin e dytë, kandidati Albert Avdiu mori 60 vota, Bardh Bokshi 52, ndërsa Etrur Maloku 39 vota, ndërsa në raundin e parë u eliminua kandidati Dukagjin Abdyli.

Pasi dështoi zgjedhja e anëtarëve në kushtetuese, kryetari i Kuvendit Glauk Konjufca mbylli punimet e seancës plenare dhe tha se e njëjta seancë do të vazhdojë javën e ardhshme.

E konfirmuar: Sot krijohen dy komisionet për energjinë

Ilir Kërçeli, i cili është shef i kabinetit të kryetarit të kuvendit, Glauk Konjufca, ka bërë të ditur se pas pauzës së kuvendit, është vendosur të krijohen dy komisionet hetimore për energjinë.

Sipas Kërçelit, shefat e grupeve parlamentare, pas konsultimeve kanë vendosur që të krijohen komisionet hetimore të propozuara nga pozita dhe opozita.

Kujtojmë se seanca e sotme është përcjellur me zhurma, goditje të tavolinës me shishe qelqi e shuplaka nga ana e opozitës, gjë që çoi në pauza për dy herë.

​Më në fund gjendet kompromisi, komisioni hetimor për energjinë pritet të formohet sot

Pas zhurmave dhe tensionit në seancën e sotme plenare të Kuvendit të Kosovës, është gjendur kompromisi për formimin e komisionit hetimor për krizën energjetike.

KosovaPress mëson se pas mbledhjes së jashtëzakonshme të Kryesisë së Kuvendit është vendosur që të formohet komisioni hetimor për energjinë në orën 15:00 në seancën plenare.

Gjatë ditës opozita ka kundërshtuar vazhdimin e seancës plenare pa u formuar komisioni hetimor për energjinë.

Seanca u përcoll me tensione të ashpra. 

Konjufca thërret në takim urgjent nënkrytarët dhe shefat e grupeve parlamentare

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca i ka ftuar në takim urgjent shefat e grupeve parlamentare në Kuvendin e Kosovës si dhe nënkryetarët e Kuvendit, pas situatës së krijuar në Kuvendin e Kosovës. 

Opozita me zhurma e veprime janë duke kundërshtuar mbajtjen e seancës së sotme të Kuvendit të Kosovës si shenjë pakënaqësie për mos themelimin e komisionit hetimor për krizën energjetike në Kosovë. 

“I ftoj nënkryetarët e Kuvendit dhe kryetarët e grupeve parlamentare që të ngjiteni ta mbajmë një mbledhje lidhur me procedimin e mëtutjeshëm të seancës dhe pastaj takohemi në orën 14:00”, ka thënë Konjufca.

Tensione në Kuvend, Abelard Tahiri e përplas kutinë e votimit në Kuvend

Deputetët janë kthyer nga pauza në Kuvend.

Në fillim të vazhdimit të seancës pati tensione, pasi shefi i GP të PDK-së, Abelard Tahiri shkoi te foltorja për ta hequr kutinë e votimin, të cilën pozita e solli si përgatitje për të votuar pë dy gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese.

Ndërkohë, situata në kuvend ka dalë ‘jashtë kontrollit’ pasi opozita po kërkon me ngulm të themelohet Komisionit Hetimor për energjinë.

Para pauzës, opozita nisi veprimet në Kuvend për t’ia bërë të vështirë pozitës që ta vazhdojë seancën e sotme, pasi u refuzua që sot të trajtohet çështja e formimit të një komisioni hetimore parlamentar për rrymën.

Kuvendi shkon në pauzë pas zhurmës e fishkëllimave të opozitës

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, ka njoftuar se seanca plenare shkon në pauzë deri në ora 12:30.

Kjo, pasi deputetët e opozitës me zhurma duke goditur tavolinën me shishe qelqi e fishkëllima për plot 35 minuta po e pamundësojnë mbajtjen normale të seancës.

Zhurma e fishkëllimat e opozitës erdhën pasi ata kërkuan që të mos vazhdohet me punimet e seancës së sotme pa u votuar Komisioni Hetimor për Energjinë, i propozuar nga PDK-ja.

Në seancë erdhi edhe kryeministri i vendit, Albin Kurti, teksa u pa i buzëqeshur pas takimeve që pati mbrëmë në Berlin.

Lushtaku iu afrohet deputetëve të LVV-së, e godet me shishe ...!

Deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku u nis drejt foltores së Kuvendit, ku ishte duke folur deputeti i LVV-së, Enver Dugolli.

Ndërsa Dugolli po pyeste për çështjen e armëmajtjes nga shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, Lushtaku iu afrua, e mori shishen aty dhe me të e godiste foltoren vazhdimisht.

Të njëjtën e bëri edhe kur aty shkoi të flasë ministri i Financave, Hekuran Murati.

Opozita nisi veprimet në Kuvend për t’ia bërë të vështirë pozitës që ta vazhdojë seancën e sotme të Kuvendit, pasi u refuzua që sot të trajtohet çështja e formimit të një komisioni hetimore parlamentar për rrymën.

Pushteti dhe opozita vazhdojnë të mos pajtohen në lidhje me formimin e një komisioni hetimor parlamentar për t’i hetuar zhvillimet në sektorin e energjisë elektrike në Kosovë. Pasi opozita fillimisht kishte kërkuar formimin e një komisioni që do ta hetonte shtrenjtimin e energjisë elektrike dhe rrethanat para e pas këtij vendimi, LVV-ja erdhi me një kundërpropozim dhe dëshiron një komision që do t’i hetojë çështjet e energjisë elektrike që nga viti 2006. 

Gashi kritkon Kusari-Lilën: Kjo sjellje është e papranueshme

Shefi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi e ka kritikuar shefen e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila për gjuhën e përdorur në Kuvendin e Kosovës. 

Sipas Gashit, Kusari-Lila po përdorë dhunë verbale ndaj opozitës në Kuvend. 

“Me sa po kuptojë nga sjellja verbale e dhunshme e kryetares së pushtetit. Keshnu, keshnu se keshni më vonë, ju nuk keni dëshirën as me pas  Gjykatë Kushtuese e as me pas Kuvend. Po e qoni Kuvendin drejt paaftësisë vendimmarrëse. Mbani mend. Po e qoni Kuvendin ,e veprimet e juaja drejt paaftësisë vendimmarrëse dhe po e rrezikoni kushtetutshmërinë në këtë vend duke e shkelur demokracinë dhe duke e paaftësuar Gjykatës Kushtetuese. Kjo është e papranueshme”, ka thënë ai. 

Më tutje, ai tha se Kusari-Lila po ankohet për opozitën teka tha se do ta lavdërojnë atë nëse e bënë një punë të mirë. 

“Kjo sjellje është e papranueshme dhe po e shtini Kuvendin dhe vendin në një situatë të një konflikti të brendshëm politik për të cilin nuk di se si po doni me zgjidh. E keni për detyrë me zgjedh kompromisin e jo me paaftësu kompromisin. Ju e keni pushtetin. Mimoza po ankohet se ne po e shajmë. Mimozë dalim të lëvdojmë veç bane një punë të mirë”, tha ai. 

Deputeti i LDK-së tha se është detyrë e pozitës që të gjejë kompromis lidhur me formimin e Komisionit Hetimor Parlamentar për krizën në energji. 

“Ju e keni për detyrë me zgjidh kompromisin, ndërkohë ju po e kultivoni dhunën verbale në këtë Kuvend. Çfarë logjike ka pushteti me kultivu dhunën , kur i duhet votat e opozitës. I keni krejt mekanizmat e shtetit në dispozicioni dhe vazhdoni me kultivu dhunën verbale ndaj opozitës. Atëherë kjo e bënë të pamundshëm bashkëpunimin”, tha Gashi. 

Ai foli edhe për bashkëpunimin me pozitën, teksa tha se nuk mund të ketë bashkëpunim kur sipas tij opozitës po i shkelet një e drejtë kushtetuese. 

“Qysh me bashkëpunu na me ju. Qysh me u marr vesh me votu për Gjykatë Kushtetuese, qysh me u marr vesh për me leju në vullnetin tonë me pas normalitet Kuvendi kur ju nuk jeni në gjendje që një të drejtë kushtetuese të opozitës me leju me u realizu, kur vet e keni shumicën edhe në Komision edhe në seancë. Cila është logjika me blloku, çka doni me mbërri me këtë punë. E thjeshtë mos me u hetu kjo nuk bënë, s’mundet me ndodhë. Jo me vullnetin tonën, se forca bën gjithçka. Vullneti jonë nuk është që ju me e pamundësu një të drejtë kushtetuese për opozitën. Opozita veç këtë të drejtë kushtetuese e ka”, tha më tutje Gashi. 

Opozita me zhurmë e fishkëllima ndërsa deputeti i LVV-së në foltore

Opozita ka nisur veprimet në Kuvend për t’ia bërë të vështirë pozitës që ta vazhdojë seancën e Kuvendit. Deputetë të opozitës po i godasin tryezat dhe po fishkëllejnë, ndërsa deputeti i LVV-së, Artan Abrashi po flet në foltore.

Kjo vjen pasi pushteti dhe opozita vazhdojnë të mos pajtohen në lidhje me formimin e një komisioni hetimor parlamentar për t’i hetuar zhvillimet në sektorin e energjisë elektrike në Kosovë. Pasi opozita fillimisht kishte kërkuar formimin e një komisioni që do ta hetonte shtrenjtimin e energjisë elektrike dhe rrethanat para e pas këtij vendimi, LVV-ja erdhi me një kundërpropozim dhe dëshiron një komision që do t’i hetojë çështjet e energjisë elektrike që nga viti 2006.

Sot në Kuvend kjo çështje u ngrit si temë e parë nga shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, i cili kërkoi të vazhdojë seanca dhe të themelohet komisioni i propozuar prej tyre.

“Ta konsitutojmë themelimin e Komisionit Hetimor sepse në të kundërtën nuk ka asnjë kuptim që të vazhdojmë me një normalitet parlamentar kur mohohet një e drejtë fundamentale e opozitës për ta ushtruar funksionin si opozitë”, tha Tahiri

Debati për Komisionin Hetimor, Konjufca i jep dy mundësi deputetëve

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca është deklaruar pas qëndrimit të opozitës se do ta bojkotojnë seancën e Kuvendit të Kosovës në rast se nuk formohet as sot Komisioni Hetimor për krizën në energji.

Konjufca  tha se nuk i dinë arsyet se pse opozita mungoi në mbledhjen e Kryesisë së Kuvendit ku u caktuar seanca e re parlamentare.

“Ajo pika për të cilën ju e keni ngritur mocioni dhe që nuk ka kaluar në herën e parë por herën e dytë u bë pjesë e seancës së kaluar parlamentare. E patëm procesin e votimit dhe ajo mbeti për t’u shqyrtuar në një seancë tjetër, kurdo që pajtohemi për të vazhduar dhe nuk e di arsyen pse të gjitha grupet opozitare nuk morën pjesë në mbledhjen e kaluar të Kryesisë, por ne nuk e vendosëm për vazhdim të seancës, por për seancë të re, pikërisht për arsyen se ju nuk ishit aty. Kjo ka qenë arsyeja kryesore”, ka thënë ai. 

Ai iu përgjigj opozitës edhe për çështjen e rendit të ditës. Konjufca deklaroi se opozita ka munduar që të marrë pjesë dhe të kërkojë që në rend dite të jetë edhe formimi i Komisionit Hetimor Parlamentar për krizën në energji. 

“Po të kishit qenë ju aty për t’i mbrojtur qëndrimet e juaja në mbledhjen e Kryesisë natyrisht që do të hidhnim në diskutim nëse jeni për të nisur seancë të re apo për të vazhduar aty ku mbetëm. Ne e caktuam seancën e re dhe asnjë shkelje ligjore nuk ka në caktimin e seancës së re”, tha ai. 

Kryeparlamentari tha se sot janë dy mundësi për sa i përket seancës së sotme. 

“Sa i përket kësaj ne i kemi dy mundësi, që të vazhdojmë me këtë seancë apo ta ndërpritet kjo seancë. Mua po më duket e paarsyeshme që të ndërpritet kjo seancë. Unë konsiderojë se kjo seancë mund të dështojë vetëm nëse nuk ka kuorum, e përndryshe nëse ju jeni këtu, deputetët janë këtu e kemi kuorumin e vazhdueshëm dhe seanca vazhdon”, tha ai. 

E opozitën e paralajmëroi se Komisioni Hetimor Parlamentar për krizën në energji nuk mund të kalojë pa vendim të Kuvendit. 

“Megjithatë unë insistojë që Komisioni Hetimor Parlamentar nuk mund të kalojë pa vendim të seancës. Është shumë përtej ligjit dhe rregullores për hetim parlamentar”, tha Konjufca.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat