Tërmkolli shaplos detaje të reja nga ngjarjet politike të vitit 1987-1989

Aktuale

Tërmkolli shaplos detaje të reja nga ngjarjet politike të vitit 1987-1989

Më: 12 maj 2022 Në ora: 11:47
Melihate Tërmkolli

Melihate Tërmkolli ka folur  për librin e saj të fundit “Mars i Acartë”.

Në të, e njëjta, edhe si protagoniste politike, ka shkruar mbi situatën politike të viteve 1987-1989. E theksi vije mbi marsin e vitit 1989, kur në Kuvendin e Krahinës Socialiste Autonome të asaj kohe, të Kosovës, në kundërshtim me vullnetin e qytetarëve, u ndryshua Kushtetuta e vitit 1974, me çka suprimohet autonomia e Kosovës në Federatën Jugosllave duke e lënë Kosovën si pjesë përbërëse të Serbisë.

Tërmkolli, që ishte delegate e Kuvendit të Kosovës atë kohë, ishte pjesë e një grupi prej 10 deputetësh që votuan kundër këtij veprimi.

Por, aty, “PËR” votuan edhe disa shqiptarë. Tërmkolli, me këtë rast, tha se secilën herë Kosova është suprimuar e është pushtuar edhe me ndihmën e vet shqiptarëve. E kjo çështje, sipas saj, nuk duhet të përsëritet, por duhet të merret mësim.

Tërmkolli shtoi se pavarësisht kërcënimeve e rreziqeve të asaj kohe nga agresioni serb, deputetët e Kuvendit, përveç benefiteve, edhe të asaj kohe por edhe tani, duhet ta marrin edhe barrën e rreziqeve.

Autorja ka shtuar se libri “Mars i acartë”, ku janë përfshirë edhe emrat e delegatëve të asaj periudhe, nuk është biografi e saj, por punim i dokumentuar me fakte e argumente të kohës, që shfaq edhe të dhëna shkencore në të mirë të realitetit të atij akti, që i bëri shumë dëm Kosovës./ “Sytë 7” KK 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat