Tensionet mes VV-së e LDK-së/ Konjufca ironizon me LDK-në: Çka është kjo qasje përkundër natyrës suaj?

Aktuale

Tensionet mes VV-së e LDK-së/ Konjufca ironizon me LDK-në: Çka është kjo qasje përkundër natyrës suaj?

Më: 21 korrik 2022 Në ora: 07:12 Përditësuar në ora: 20:20 më 21.07.2022
Glauk Konjufca

S’ka kuorum për rezolutën e VV-së mbi rritjen e çmimeve

Në mungesë të kuorumit nuk është hedhur në votim rezoluta për adresimin e rritjes së çmimeve.

Në sallë plenare në momentin e votimit ishin vetëm 57 deputetë.

Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, tha se për vazhdimin e seancës së sotme plenare do të njoftojë ditët në vijim.

​Murati: Ka abuzime me produktet bazë, përmes ligjit do të lehtësohet jeta qytetarëve

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka thënë se ka abuzime të shumta me produktet bazë në Kosovë.

Ai në Kuvendin e Kosovës, tha se përmes ligjit për mbrojtjen e furnizimit të produkteve themelore do të lehtësohet jeta e qytetarëve.

Murati: Ka abuzime produktet bazë, përmes ligjit do të lehtësohet jeta qytetarëve

“Ka abuzime produktet bazë. Qytetarët duhet të kuptojnë se ky ligj është i domosdoshëm, për faktin e vetëm se rezultatin është parë me çmimet e naftës dhe benzinës. Tani ka një kontroll, ka një marzhë fitimi për kompanitë, megjithatë po funksionon. Do të funksionojë edhe për produktet e tjera bazë, efekti i vetëm i saj do të jetë që jeta për qytetarët do të jetë më e lehtë”, tha ai.

Mirëpo, atij i reagoi shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, i cili i kërkoi ta lexojë Kushtetutën, për siç tha, të shohë budallaçkat që i bën në vazhdimësi.

Gashi: Lexo Kushtetutën ministër dhe i sheh budallaçkat që po i bën

“Kushtetuta e Kosovës, përveç nenit 10 e ka një kapitull të veçantë që është kapitulli 9, rregullon marrëdhëniet ekonomike në Kosovë. Meqenëse ministri nuk e dinë këtë punë po ia tregoj, lexo nenin nëntë dhe i sheh aty të gjitha budallaçkat që i bën ti në vazhdimësi”, tha ai.

​Pal Lekaj shkakton të qeshura në Kuvend, Konjufca: A bën pak pauzë?

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj ka shkaktuar të qeshura në seancën e sotme të Kuvendit.

ADVERTISING

Duke komentuar rezolutën e LVV-së për rritjen e çmimit të produkteve, ai tha se njëjta “është një rezolutë e hiçit për hiçin te hiçi”.

Lekaj: Kjo është një rezolutë e hiçit, për hiçin te hiçi

“Po ju pyes zonja Mimoza Kusari, çka dëshironi të arrini me këtë rezolutë. Kjo është një rezolutë e hiçit, për hiçin te hiçi. Më besoni!”, tha ai.

Pas kësaj, kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, duke ironizuar kërkoi pak pauzë, pasi i duhet një reflektim pas një konstatimi të tillë.

Konjufca: A bën pak pauzë Pal, na duhet reflektim për këtë

“A bën pak pauzë Pal, se na duhet një reflektim për këtë”, tha ai.

Ministrja Hajdari: Ka produkte që kanë marzhën e fitimit 42 për qind

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, ka arsyetuar nevojën e hartimit të një ligji për mbrojtjen e furnizimit të produkteve themelore, për shkak të abuzimeve në treg.

Në seancën e sotme plenare, ministrja Hajdari paraqiti marzhat e fitimit për disa nga produktet në shitjet me pakicë, teksa kritikoi ish-pushtetet e kaluara se nuk kanë punuar për rregullimin e politikave fiskale.

Hajdari: Ka produkte që shkojnë në marzhën e fitimit deri 42 për qind

“Ne kemi kalkuluar çmimet e blerjes, çmimet e shitjes me shumicë dhe pakicë, marzha tregtare për këta artikuj që janë në disa tabela të paraqitura. Kemi çmimet, të cilat shkojnë në marzhën deri 42 për qind për vezët, a është kjo antikushtetuese, a duhet të lejohet që qytetari ynë të blej vezët në marzhën tregtare 42 për qind. Pastaj kemi pastat nga gruri i fortë me 27.73 për qind, sheqerin e kristal me 16.52 për qind, 24 për qind detergjentin, pecetat higjienike 23 për qind. Nëse shkojmë te çmimi i bukës. Buka sot kushton 60 centë. 50 centë, 45 centë. Nëse shikojmë marzhën tregtare, në çmimin e bukës 500 gramë është 45 centë marzha tregtare për bukën 500 gramë. Pastaj për bukën me 400 gramë është 45 për qind marzha tregtare e shitjes për bukën. Pastaj, nëse shikojmë te pastat nga gruri i fortë është 18.30 për qind. Kemi edhe më lirë, 13.5 për qind dhe më shtrenjtë 19 për qind. Pra, gjitha marzhat që janë përmendur kanë qenë mesatarja te shitësit me pakicë. Te shitësit me shumicë kemi marzhat kryesisht për grurin 0.32 euro për kilogram, për miellin 0.55 euro për kilogram, për orizin, 0.80 euro për kilogram, pra nuk është problemin te shitësit me shumicë, por tek ata me pakicë”, tha ajo.

Ministres, i reagoi deputeti, njëherësh kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi.

Krasniqi: Ju i shpallët hajna mbi 30 mijë biznese në Kosovë

“Faleminderit ministre që Mimoza, Hykmetja nuk kanë bërë asgjë që 10 vjet. A po dëgjon Mimozë? Qysh tash ti pas dhjetë vjetësh u bërë e mençme dhe t’i tregosh kësaj se çfarë të bëjë?! Qysh tash kjo po di të të mësojë.... Ju sapo i shpallët hajna, ose me këtë termin abuzues përmbi 30 mijë biznese në Kosovë. Marketet e vogla dhe të mesme në lagje, fshatra dhe çdo vende të Kosovës se ata janë shitësit me pakicë. Ju thatë ata janë abuzues, ata janë duke shkaktuar inflacionin, jo bizneset e mëdha sipas diskursit tuaj”, tha ai.

Konjufca ironizon me LDK-në: Çka është kjo qasje përkundër natyrës suaj?

Shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, gjatë seancës së sotme, nuk arriti ta nisë fjalën nga, siç tha kryetari i kuvendit, Glauk Konjufca, tensionet mes LDK-së e VV-së.

Tahiri i kërkoi shefit të grupit parlamentar të LDK-së vëmendje, duke thënë “Arben, a ka mundësi pak vëmendje. Po e shohim, s’kemi çka bëjmë por pak vëmendje”.

Ndërsa në këtë rast ndërhyri Konjufca, ku iu drejtua deputetëve të LDK-së se “çka është kjo qasje agresive e LDK-së përkundër natyrës së vet”.

Konjufca tutje tha se Tahiri s’po mund të flasë prej tensioneve mes VV-së e LDK-së, teksa shtoi me buzëqeshje se “AAK-ja gjithmonë ka pasur rol shtensionues”.

Në fund, Arben Gashi i LDK-së i kërkoi falje kolegut të tij opozitar për pengim, teksa Tahiri iu përgjigj “falë të koftë”.

​Tahiri: Rezoluta për rritjen e çmimeve shpërfaq pazotësinë e Qeverisë Kurti

Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, ka thënë se rezoluta e LVV-së për rritjen e çmimeve tregon për paaftësinë e ministrave të Qeverisë Kurti.

E njëjta, sipas tij, shfaq edhe mungesën e guximit për të marrë vendime të rëndësishme për qytetarët.

Tahiri: Kjo rezolutë shpërfaq pazotësinë e Qeverisë Kurti

“Kjo rezolutë e shpërfaq, të nderuar deputetë, ju që i keni votuar, pazotësinë e tyre, mungesën e guximit për të marrë vendime në dikastere që udhëheqin. Mungesën e vizionit për të sjellë ligje, të cilat do të lehtësonin punën e tyre dhe mbi të gjitha zbatimin e një pako ekonomike që ka ardhur këtu për të ndihmuar Kosovën. Sot përmes kësaj rezolute po shpërfaqet pazotësia totale e njerëzve që i keni votuar”, tha ai në seancën e sotme të Kuvendit, ky po shqyrtohet rezoluta e LVV-së për adresimin e rritjes së çmimeve.

Hykmete Bajrami: Rezoluta e VV-së është e panevojshme

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, e ka quajtur të panevojshme miratimin e rezolutës së Lëvizjes Vetëvendosje në pushtet për adresimin e rritjes së çmimeve.

Në seancën e sotme të Kuvendit, deputetja opozitare tha se Qeveria Kurti duhet të veprojë për t’u ballafaquar me krizën ekonomike dhe jo të presë rezoluta prej Kuvendit për të njëjtën.

Bajrami: Qeveria po bëhet kinse po punon diçka

“Kjo politikë e padëgjuar deri më tani, sa i përket rezolutës prej kah ky model. Shumica në Parlament bën rezolutë për qeverinë e 51 përqindëshit. Pse s’po vepron qeveria, pse ju duhet kjo rezolutë?! Nëse keni ardhur se ka abuzues në treg, pse po pret qeveria rezolutë prej Kuvendit që ta kryejë punën e vet? A e dini çka i bie kjo? Hajde të bëhemi kinse po punojmë diçka”, tha ajo.

Sipas saj edhe ideja për hartimin e një projektligji për të luftuar inflacionin është antikushtetuese.

Bajrami: Kjo çka ju po bëni është antikushtetuese

“Kjo çka ju po bëni është antikushtetuese, është në kundërshtim me rregullimin kushtetues tonin. Neni 10, i cili thotë se ne jemi ekonomi e tregut të lirë. E dyta, të gjitha bizneset i kanë kostot e ndryshme, është vështirë të gjenden dy biznese në Kosovë që i kanë koston e njëjta. E treta, ju nuk mund të kontrolloni 32 biznese. Le të supozojmë nëse i kontrolloni, a dini çka bëni ju me këto politika? I falimentoni bizneset e vogla, ndërkohë i favorizoni rrjetet tregtare të mëdha”, tha ajo.

​Kuvendi miraton Projektligjin për regjistrimin e popullsisë

Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë miratuar Projektligjin për regjistrimin e popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave.

Projektlihji u miratua me amendamentet e Komisionit funksional nga aspekti i përputhshmërisë me legjislacionin e BE-së.

Përkrahje këtij Projektligji i dhanë edhe deputetët opozitarë.

Pas rikthimit nga pauza, Kuvendi po vazhdon punimet, në rend të ditës është edhe debati parlamentar për mos liberalizimin e vizave.

​Pozitë e opozitë bëhen bashkë për Projektin hekurudhor Durrës-Prishtinë

Kuvendi i Kosovës e ka shqyrtuar dhe miratuar në parim Projektligjin për ratifikimin e marrëveshjes së bashkëfinancimit për studimin e fizibilitetit dhe projekt idesë për linjën hekurudhore Durrës-Prishtinë.

Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu ka thënë se kjo marrëveshje bashkëfinancimi ka për qëllim përcaktimin e procedurave dhe ndarjen e kostove ndërmjet dy vendeve.

Aliu: Projekti Durrës-Prishtinë është thelbësor për zhvillimin ekonomik e social për të dy vendet

“Është thelbësore për zhvillimin ekonomik dhe social të dyja vendet, është shumë i rëndësishëm realizmi i kësaj linje hekurudhore e cila pothuajse në të gjitha qeveritë e mëhershme ka qenë diskutim në cilëndo mbledhje e takim në mes të dyja qeverive. Aktualisht jemi në një fazë që mund të realizojmë edhe projektin dhe të hapim përpara mundësinë e krijimit të kësaj lidhje e cila pastaj do të mund të shoqërohej me shumë projekte të tjera që do të mundësonin qarkullimin e mallrave nga Porti i Durrësit në gjithë regjionin e Ballkanit Perëndimor e që Prishtina do të ishte qendra kryesore shpërndarëse e këtyre mallrave”, ka thënë Aliu.

Lidhur me mbulimin e kostos, Aliu ka thënë se Shqipëria do të ndajë 1 milion euro ndërsa Kosova 980 mijë euro.

Aliu: Kosto për realizimin e studimit të fizibilitetit për Projektin e hekurudhës parashihet të jetë 1 milion e 980 mijë euro

“Kosto totale për realizimin e studimit të fizibilitetit dhe projekt-idesë për ndërtimin e linjës hekurudhore parashihet të jetë rreth 1 milion e 980 mijë euro. Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë së Republikës së Shqipërisë do të ndajë shumën prej 1 milion euro që i bie rreth 51% të kostos totale ndërsa Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës së Republikës së Kosovës do të ndajë shumën prej 980 mijë euro apo 49% të kostos totale. Kjo kosto është planifikuar në buxhetin e vitit 2022 të Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor, dhe infrastrukturës me autorizim të Qeverisë dhe do të bartën në ministrinë e Shqipërisë për tu përdorur si bashkëfinancim në realizmin e këtij projekti”, tha ai.

Shefi i deputetëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi ka thënë se pajtohen me marrëveshjen por ka kërkuar më shumë sqarime.

Gashi: LDK e përkrah marrëveshjen për studimin e fizibilitetit për linjën hekurudhore Durrës-Prishtinë

“Tek bashkëfinancimi i projekt idesë, normalisht duke pasur parasysh gjatësinë, vështirësinë, relievin, terrenin ku ka me u ndërtu, pjesëmarrja e Kosovës do të duhej të ishte shumë më e vogël sepse kosto e studimit të fizibilitetit për Kosovën është shumë më e vogël. Ky është problemi i parë që shohim, pastaj kjo do të duhej të shihet si ka me reflektu në kostot e realizmit të këtij projekti. Problemi i dytë është tek transferimi i buxhetit nga buxheti i Kosovës në realizimin e projektit nga pala shqiptare, qysh përfaqësohet Kosova aty”, ka thënë Gashi.

Mbështetje për marrëveshjen ka dhënë edhe Partia Demokratike e Kosovës.

Shala: Projekti i hekurudhës Durrës-Prishtinë nuk është i pari, në Qeverinë Thaçi është nisur korridori nacional

“Projekt infrastrukturor madhor i cili nuk është i pari fatmirësisht, projekte të tilla infrastrukturore pati nisur Qeveria Thaçi kur bëri korridorin nacional të cilit tashmë po i gëzohemi të gjithë, korridorin rrugor ‘Rrugën e kombit’, e fatkeqësisht atëherë e patëm denigruar, sharë, fyer e linçuar shpeshherë padrejtësisht deri në teori të konspiracionit... Do të ju mbështesim por mos harroni që nuk është projekt i parë siç thanë parafolësit, por është projekt i dytë infrastrukturor pas Rrugës së kombit dhe sa do të jetë i arsyeshëm i nevojshëm sigurisht që ne po e presim studimin të cilit po ja japim dritën jeshile sot”, ka thënë deputeti Ferat Shala.

Ndërsa shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri ka thënë se e japin mbështetjen për çështjet që janë në interes nacional.

Tahiri: Kryeministri të reflektojë në kërkesat e opozitës

“Kërkoj nga kryeministri Kurti i cili në çështjet që lidhen me një konsensus pak më të madh, në këtë rast ky është në interes të kombit shqiptar, po në çështjet që i ka agjenda qeveritare vazhdon të ketë avazin e vet, mendjen e vet dhe të mos reflektojë në asnjë kërkesë të opozitës. Ky projekt nuk është projekt që ne si subjekt politik do të kushtëzojmë apo kërkojmë diçka, mirëpo një reflektim i thellë i mendësisë dhe qasjes së kësaj qeverie, qasjes shumë arrogante duhet të reflektojë seriozisht sepse dëmet mund të jenë edhe më të mëdha, mund të vinë tema më të mëdha të cilat ne duhet t’u mbajmë përgjegjës”, ka thënë Tahiri.

Projektligji për ratifikimin e marrëveshjes së bashkëfinancimit për studimin e fizibilitetit dhe projekt idesë për linjën hekurudhore Durrës-Prishtinë ka marrë 83 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim.

​Kuvendi miraton disa projektligje, pas pauzës pritet diskutim për rritjen e çmimeve

Më 79 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, deputetët e kanë miratuar Projektligjin për komisionerin parlamentar të FSK-së.

Ndërsa me 68 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, deputetët e kanë miratuar projektligjin për produktet biocide.

Në këtë seancë është miratuar edhe Projektligji për ushqimin.

Deputetët janë pajtuar që Projektligji për regjistrimin e popullsisë, ekonomive, familjare dhe banesave të trajtohet me procedurë të përshpejtuar ndërsa në një seancë të re nga ora 16:30 parashihet të hidhet në votim.

Pas një pauze, punimet e seancës plenare do të vazhdojnë nga ora 16:30.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat