Miftaraj: 1 shtatori është kthyer në makth për nxënësit, prindërit, mësuesit në vitet e fundit

Aktuale

Miftaraj: 1 shtatori është kthyer në makth për nxënësit, prindërit, mësuesit në vitet e fundit

Më: 1 shtator 2022 Në ora: 09:45
Ehat Miftaraj

Drejtori ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi, Ehat Miftaraj, ka thënë se 1 shtatori në Kosovë është kthyer në makth për nxënësit, prindërit, mësuesit në vitet e fundit.

Në një postim në Facebook, Miftaraj ka thënë se as sindikata e as qeveria nuk e njohin postulatin e shenjtë-interesi më i mirë i fëmijës!

“1 shtatori do të duhej të ishte ditë e veçantë, ditë feste për mijëra nxënës të cilët për herë të parë do ia mësynin bankave shkollore. Ditë e paharrueshme që mbetet në memorien e secilit fëmijë që fillon për herë të parë rrugën e dijës.

1 shtatori është ditë e veçantë për dhjetëra mijëra nxënës që kthehen nga pushimi veror dhe me padurim presin ti takojnë shoqet/shokët e klasës, mësueset/mësuesin.

1 shtatori në Kosovë është kthyer në makth për nxënësit, prindërit, mësuesit në vitet e fundit. 1 shtatori nga ditë feste është kthyer në fushë betejë mes sindikatës dhe qeverisë.

As sindikata e as qeveria nuk e njohin postulatin e shenjtë-interesi më i mirë i fëmijës!”, ka thënë Miftaraj.

Ai është shprehur se interesi më i mirë i fëmijës, është e drejta në shkollim, edukim, e drejta e patjetërsueshme që me 1 shtator të jenë në bankat e shkollës.

“Sindikata dhe qeveria po e luftojnë njëra tjetrën duke vënë nxënësit në mes. Pak ka rëndësi se kush e ka mirë e kush e ka keq, kush është fajtor apo i pafajshëm. Asnjëra palë nuk po e trajton me seriozitet interesin e fëmijëve.

Dialogu në distancë sindikatë-qeveri, edhe këtë vit i vendosi fëmijët në plan të dytë, i la jetim, pa mbrojtje. Edhe këtë vit fëmijët po e paguajnë faturën e jo kompetencës se qeverise dhe sindikatës”, ka përfunduar ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat