Pas debateve të ashpra përfundon seanca në Kuvend - miratohen tri projektligje

Aktuale

Pas debateve të ashpra përfundon seanca në Kuvend - miratohen tri projektligje

Më: 7 tetor 2022 Në ora: 06:28 Përditësuar në ora: 19:48 më 07.10.2022
Kuvendi i Kosovës

​Miratohen dy projektligje në lexim të parë në fushën e sigurisë, përfundon seanca në mungesë kuorumi

Pozitë e opozitë kanë miratuar dy projektligje në fushën e sigurisë. Në seancë plenare, deputetët kanë miratuar në lexim të parë projektligjin për Tubime Publike, Siguri Kibernetike.

Më 64 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim është miratuar Projektligji për tubime publike.

Deputetët kanë miratuar me 61 vota në lexim të parë edhe Projektligjin për siguri kibernetike.

Ndërkaq, nuk ka pasur kuorum për miratimin e Projektligjit për mbrojtjen e informacionit të klasifikuar.

Në mungesë kuorumi është ndërprerë edhe seanca, ku nënkryetarja Saranda Bogujevci tha se për pikat e papërfunduara do të caktohet një seancë tjetër.

Miratohet Projektligji për Tubime Publike

Është miratuar projektligji për Tubime Publike në Kuvendin e Kosovës.

Në kuvend ishin të pranishëm 64 deputetë, ku të gjithë votuan pro.

Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, ka bërë të ditur se me këtë projektligj është përcaktuar se organizatori vetëm e lajmëron mbajtjen e tubimit, pa pasur nevojë të marrë leje për mbajtjen e tij.

Miratohet Projektligji për Sigurinë Kibernetike

Kuvendi sapo ka miratuar Projektligjin për Sigurinë Kibernetike.

Nga 61 deputetë të pranishëm, të gjithë votuan pro.

Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, tha se përmes këtij Projektligji, MPB ka vendosur parimet dhe rregullat bazë mbi të cilat do të veprojnë institucionet që zhvillojnë politika lidhur me sigurinë kibernetike

Miratohet Projektligji për Institutin e Krimeve të Luftës në Kosovë

Deputetët e Kuvendit sapo kanë miratuar Projektligjin për Institutin e Krimeve të Luftës në Kosovë.

58 depoutetë ishin për, katër kundër dhe asnjë abstenim.

Albin Kurti i ashpër me Abelard Tahirin: Mjaft më, deputeti më shurdhues

Kryeministri Albin Kurti e ka quajtur deputetin e PDK-së, Abelard Tahirin, “deputetin më shurdhues” në kuvend.

Përderisa ministrja Albulena Haxhiu debatonte me deputetin Tahiri gjatë shqyrtimit të parë për Projektligjin për Institutin e Krimeve të Kryera Gjatë Luftës në Kosovë,, ndërhyri edhe Kurti, duke thënë se PDK e ka mendjen tek punësimi i militantëve.

“Në këtë kuvend, në korrik të vitit 2013, janë amnistuar kriminelët në veri me mbi 80 vota, e ju keni qenë në atë natë, andaj s’keni kurrëfarë legjitimiteti që ta merrni fjalën e të flisni gjepura këtu. Mjaft më, mjaft më deputeti më shurdhues. Mjaft. Turp duhet me të ardhë”, tha Kurti, ndërkohë që Tahiri nga ulësja e tij i thoshte “ulu, ulu”.

Kryeministri Kurti flet për Institutin e krimeve të kryera gjatë luftës: Do t’ia japim nivelin e merituar kësaj kauze

Kryeministri Albin Kurti ka folur për projektligjin për Institutin e krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovës duke i përmendur synimet e këtij instituti.

“Krimet e luftës nuk janë vetëm krimet të luftës. Janë edhe krimet kundër njerëzimit. Është edhe gjenocidi. Andaj, nuk mund të flitet për përpjekjet e bëra ndaj themelimit të Institutit dhe Politikave të Drejtësisë Tranzicionale kur nuk ka pasur për bindjen time, për besë as institut të njëmendtë dhe as politika të qëndrueshme për këtë aspekt”, ka thënë Kurti në foltoren e Kuvendit.

“Një gjë e tillë dëshmohet lehtë edhe nga mungesa e rezultatit. Unë nuk them që dikush nuk ka pasur vullnet të mirë, mirëpo institut nuk mund të them se njëmend kemi pasur”.

Kurti thotë që për këtë arsye qeveria e ka ndier si detyrim që ta themelojë këtë institut duke i dhënë nivelin e merituar kësaj kauze.

“Prandaj jemi të detyruar që ta themelojmë tani këtë institut dhe t’i japim nivelin e merituar kauzës për të dëshmuar që politikat mund të bëhen e mund të zbatohen vetëm se duhet përkushtim dhe mund dhe lidhje me zyrën më të lartë ekzekutivit”.

“Këto kanë munguar në të kaluarën dhe ky është një zotim i qeverisë që dëshirojmë ta bëjmë edhe të Kuvendit të Republikës bashkërisht me këtë projektligjin për institutin”.

​Ministri Murati: Opozita qëndroi prapa grevave në arsim, thesari i gatshëm të lëshojë pagat

Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, akuzoi partitë opozitare se qëndroi prapa grevës në arsim.

Në interpelancën ndaj tij në Kuvend të premten, Murati tha se pas anulimit të grevës, u shpërfaq fakti se SBAShK nuk përfaqëson mësimdhënësit.

Murati: Opozita qëndroi prapa grevave në arsim

U shpërfaqën disa fakte. Fakti i parë që u shpërfaq është se kush qëndroi prapa këtij organizimi. E kemi pa sa e sa ditë që japin ultimatum, herë PDK, herë SBASHK-u, herë LDK-ja dhe në fund kallëzimin penal e dorëzoi PDK-ja në emër të SBASHK-ut. Pra u pa se kush ka qëndruar prapa këtij organizmi për të sabotuar punën e shtetit, për të lënë mbi 300 mijë fëmijë pa mësim, ishin këto partitë opozitare. U shpërfaq fakti se këto parti nuk janë pyetur fare kur ka nis greva. Mësimdhënësit nuk janë pyetur fare as kur janë dhënë ofertat e qeverisë. I vetmi rast kur mësimdhënësit u pyetën ishte për të dalë nga greva, e aty votuan me shumicë për të mos vazhduar ajo. Kjo është hera e vetme kur keni pyetur mësimdhënësit. U shpërfaq po ashtu se SBAShK nuk i përfaqëson mësimdhënies, pasi kur ishte koha për të hyrë në grevë mori vendim, mirëpo nuk i qëndrojë prapa me kompensim, përkundër se për vite të tëra kanë mbledhur miliona euro nga kuotimi prej mësimdhënësve”, tha ai.

Megjithatë, Murati tha se Thesari i Shtetit ka marrë gjitha veprimet për ekzekutimin e pagave për mësimdhënësit, porsa të dorëzohen listat nga komunat.

Murati: Thesari ka marrë gjitha veprimet,

Thesari ka marrë gjitha veprimet, po besoj se deri sot në sesionin e fundit që është në orën 15:00 do të duhej të ishin përcjellë listat e konfirmuara. Pasi mirë që u tha edhe këtu se komunat po konfirmojnë listat, pasi është tentuar që me këtë të kenë konfuzitet. Komunat duhet që t’i konfirmojnë listat që të jenë në përputhje me ligjin, përndryshe nuk mund të ekzekutohet pagesa”, shtoi ai.

Pas fjalës së ministrit Murati, përfundoi edhe interpelanca ndaj tij, mirëpo nuk pati kuorum për votimin e rezolutës së propozuar nga AAK-ja. Me këtë rast, Kuvendi shkoi në pauzë deri në orën 16:30.

Akuza në mes deputetëve Kastrati dhe Basha

Përplasje dhe akuza të ashpra janë zhvilluar në Kuvendin e Kosovës, ndërmjet deputetit të PDK-së, Ardian Kastrati dhe atij të Lëvizjes Vetëvendosje, Dimal Basha.

Në interpelancën ndaj ministrit Murati në Kuvend, deputeti i PDK-së, adresoi akuza të rënda ndaj Qeverisë Kurti për mosekzekutimin e pagave për mësimdhënësit. Por në një moment të fjalimit të tij ndërhyri dikush nga deputetët e LVV-së, të cilit deputeti Kastrati vazhdimisht i referohej duke i thënë mos të qeshte por të shikonte korrupsionin nën qeverinë e tyre.

Kastrati: Mos qesh, këqyreni korrupsionin në Qeverinë Kurti

“Korrupsioni, çka është Martin Berishaj a më tregon t’i mua, pasi fole për korrupsion. Çka po qesh, çka është 150 milionëshi i KEK-ut, çka është kjo që ia ka dhënë 100 mijë euro organizatës që ka themelu vet, pse po kesh ashtu”, tha ai.

Për t’iu kundërpërgjigjur atij, deputeti i mazhorancës, Dimal Basha, e akuzoi se e ka stratin si plagjiator.

Basha: Vet është plagjiator dhe po fol për hajni

Sapo e patë deputeti Kastrati ka dal me ia qa hallin mësuesve. Fatkeqësia është se vet tipi është plagjiator. Paramendo dikush me fol për hajni, por në akademi s’mundem me i thënë hajn, por është një fjalë pak më e sofistikuar i thonë plagjiator. Do të thotë kur vjen në shkronja, paramendo çka bënë ai me ia lënë kuletën atij. Në shkronja vjedh tipi dhe i shet si të vetat”, tha ai.

Bekë Berisha për mësuesit: Po na prekni dy dritat e syve

Deputeti i AAK-së, Bekë Berisha, ka thënë se çështja e arsimit është një çështje shumë e ndjeshme.

Ai nga ulësja e tij në Kuvend iu drejtua qeveritarëve dhe se kur preken mësuesit preken “dy dritat e syve” të shoqërisë.

“Sot po flasim për arsimin. E kam dëgjuar një aktivist të viteve të 90-ta duke thënë: “Kur të preket arsimi shqip është sikur me të prekë në dy dritat e syve”. Ju jeni duke na prekur në dy dritat e syve. S’e kom nijet që me fjalën time me ju përmallu kërkond prej juve, sepse nuk ju intereson”.

Berisha tha se ky është një problem që duhet të zgjidhet nga Qeveria dhe jo nga opozita.

Në Kuvendin e Kosovës është thirrur interpelancë për ministrin e Financave Hekuran Murati pas mosdhënies së pagave për muajin shtator për mësimdhënësit grevistë.

ARTIKUJ TË NGJASHËM

​Krasniqi: Pagat do të dalin por nuk do të harrohet shantazhi i qeverisë ndaj mësimdhënësve

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka thënë se me mosekzekutimin e pagave ministri i Financave ka bërë shkelje të ligjit. Sipas tij, qeveria ka tendencë t’i nënshtrojë mësimdhënësit dhe të mos i lejojë të shtrojnë kërkesat e tyre.

Në seancën e Kuvendit të Kosovës, Krasniqi ka thënë se qeveria në mënyrë të qëllimshme i ka përjashtuar vetëm mësimdhënësit nga paga.

Krasniqi: Qeveria me tendencë me u thënë mësimdhënësve se kemi me ju shkelë

“Pse i keni përjashtuar vetëm mësimdhënësit, pse nuk i keni përjashtuar krejt shërbyesit civil në nivel lokal që kanë qenë në grevë që e keni ditur kush janë, pse i keni përjashtuar prej të drejtës për pagë edhe lehonat ku e dini që kanë qenë në grevë ato gra, pse i keni përjashtuar prej të drejtës në page edhe atyre që kanë qenë në pushim të ligjshëm, pra këtu nuk ka të bëjë me ligjshmëri, këtu ka të bëjë me një tendencë me u thënë mësimdhënësve ‘kemi me ju shkelë, do t’iu nënshtrojmë, do t’iu shkatërrojmë si organizim sindikal para së gjithash’ dhe ‘ju mos guxoni kurrë të kërkinu asgjë përveç çka vendosë mëshira e Albin Kurtit dhe Hekuran Muratit me ju dhënë’. Ky është rreziku më i madh në krejt këtë tregim të ditëve të fundit”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se pagat për mësimdhënësit do të dalin por nuk do të harrohet shantazhi që sipas tij, po iu bëhet mësimdhënësve.

Krasniqi: Ministri Murati ka bërë shkelje të ligjit

“Ministri dje e ka shkel ligjin me mosekzekutim të pagave, mundohuni ta interpretoni si të doni, kallëzimin penal e ka, për këtë ka me u përgjigj. Pagat kanë me dalë, fundi ka me i ardh ashtu siç duhet, pra ky presion dhe ky shantazh që po iu bëhet mësimdhënësve, nuk besoj që ka me u harru. Unë nuk po e kuptoj a do me mbet dikush prej këtyre ministrave pa e shkel ligjin, pa e shkel Kushtetutën, ju po folni për ministren e Arsimit por kjo e ka shkelë Kushtetutën e zotëri, kjo është dashur atë ditë me kërku falje dhe me ecë në shtëpi, kjo ka vazhdu pastaj me 100 veprime të tjera të cilat veç e kanë rënduar gjendjen edhe më shumë në sistemin arsimor”, ka thënë ai.

Ai ka kërkuar nga deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje që të bëjnë presion mbi qeverinë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat