Koci: Vendimi i qeverisë të anulohet menjëherë – vettingu të fillojë sa më shpejt

Aktuale

Koci: Vendimi i qeverisë të anulohet menjëherë – vettingu të fillojë sa më shpejt

Më: 23 nëntor 2022 Në ora: 21:29
Arianit Koci

Avokati Arianit Koci ka deklaruar se vendimi i sotëm i Qeverisë Kurti për uljen e pagave të gjyqtarëve dhe prokurorëve është në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.

Ai komentoi edhe vendimet e Këshillit Gjyqësor dhe atij Prokurorial që puna e gjykatave dhe prokurorive, të reduktohet dhe të vazhdojë vetëm për shërbime esenciale.

Sipas tij, “ndërhyrjen e Qeverisë në Gjykata dhe Prokurori, po e paguan qytetari i Kosovës”.

Ai shtoi se Gjykatat dhe Prokuroritë, sipas Kushtetutës, kanë obligim me i ofruar qytetarëve shërbimet që parashihen me ligje pozitive.

“Prandaj, nuk mundet Këshilli Gjyqësor dhe ai Prokurorial, pakënaqësitë e veta, t’ia faturojë qytetarit. Gjykimet nuk guxojnë të ndalen. Në një situatë hipotetike, çka do të ndodhte nëse qytetarët të pakënaqur edhe me Qeverinë edhe me Gjykatat dhe Prokuroritë, të shprehin mosbindje?”, pyeti ai me anë të një postimi në Facebook.

“Thjesht, të fillojnë t’i bojkotojnë ftesat për gjykime? Sipas IKD-së (Instituti i Kosovës për Drejtësi), në tri vitet e fundit, perfomanca në gjyqësor ka rënë së paku 50%, përkundër pagave të larta dhe rritjes së vazhdueshme të gjyqtarëve dhe prokurorëve.
Me fjalë të tjera, rritja e pagave nuk e ka rritur efikasitetin”,
shkroi Koci.

Krejt në fund, ai u shpreh se vendimi i Qeverisë duhet të anulohet “menjëherë”, teksa shtoi se vetingu në sistemin e drejtësisë duhet të fillojë sa më shpejtë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat