Kryeministri Kurti kujton mësuesin patriot Shaban Shala, tregon fjalët e tij të fundit

Aktuale

Kryeministri Kurti kujton mësuesin patriot Shaban Shala, tregon fjalët e tij të fundit

Më: 20 janar 2023 Në ora: 20:58
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kujtuar mësuesin e patriotin, Shaban Shala.

Kurti tha se Shala u vra më 20 janar 1963, si i burgosur politik,  e viktimë e politikave diktatoriale dhe shoveniste të zbatuara nga UDB-ja dhe zyrtarët e Serbisë, që sipas tij, ushtronin dhunë mbi shqiptarët në Kosovë.

Kreu i qeverisë tha se Shala në popull do të njihej si “Shabani i flamurit, mësuesi i flijuar për gjuhën shqipe, simbolet kombëtare dhe për liri:.

“Në moshë fare të re, Shaban Shala iu bashkua Organizatës Revolucionare Nacional-Demokratike për Bashkimin e Trojeve Shqiptare. Pasi kishte kryer Shkollën Normale në Prishtinë, Shaban Shala punoi si mësues në fshatrat Lupç i Epërm, Popovë, Murgull, Pollatë, Dabishec dhe Tugjec”.

“I vetëdijshëm që për shkak të veprimtarisë së tij politike rrezikonte të arrestohej, më 1952, duke dashur të kalonte kufirin e Jugosllavisë për të dalur në Austri, Shaban Shala u arrestua në rrethin e Mariborit në Slloveni, bashkë me Shaban Zhijeqin, Ibrahim Demollin dhe Nuhi Gashin. Ai u dënua me një vit burgim në burgun e Prishtinës, në një proces gjyqësor bashkë me Xhafer Mehmetin, Fetah Batatinën, Nuhi Gashin, Jusuf Ismailin, Ibrahim Demollin, Sabit Kapitin, Shaban Zhijeqin dhe Hamit Zhitinë”, ka shkruar Kurti,.

Më tej, i pari i qeverisë ka treguar edhe rrëfimet e të burgosurve të tjerë, se si gardianët e torturonin Shaban Shalën, duke e mbyllur në sënduk e duke e mbajtur të lidhur 24 orë të shtrirë mbi një dërrasë me gozhda, duke i futur gjilpëra mes thonjve, duke i lëshuar hekur të skuqur në zjarr mbi shuplakë të dorës e duke i futur minj të mëdhenj në qeli.

“Pas lirimit nga burgu, për t’u kuruar nga pasojat e torturave në burg, Shaban Shalës iu desh të shtrihej në spitalin e Nishit dhe Beogradit”.

“Më 28 shkurt 1956, Shaban Shala u burgos për herë të dytë, tani në burgun e Gjilanit, pasi u arrestua bashkë me Ali Pecin nga Mitrovica dhe Emrush Lluçkun nga Përlepnica e Gjilanit. Pa ndonjë provë reale për akuzë, Shaban Shala u lirua nga gjykata e Gjilanit katër muaj më vonë, më 16 qershor 1956”.

“Më 28 nëntor 1960 dhe 1961, bashkë me shokët e organizatës dhe me gruan e tij Sadijen, Shabani qepi flamuj me shqiponjë dykrerëshe mbi beze të kuqe dhe i vendosi në publik, ndonëse atë kohë ishte i ndaluar përdorimi i flamurit kombëtar shqiptar”, shkroi Kurti.

Kurti, tutje tha se më 27 shtator 1962, Shaban Shala u arrestua përsëri dhe u burgos në burgun e Prishtinës.

“Ai u dënua me 2 vite burgim, por gjatë katër muajve pasues, Shaban Shala u torturua jashtëzakonisht shumë, sa që më 20 janar 1963, duke mos pranuar të fliste përkundër mundimeve dhe maltretimeve, ai vdiq nga torturat. Natën e 20 janarit 1963, një e burgosur politike në një qeli tjetër të burgut të Prishtinës, Hyrije Hana nga Gjakova, kujton se si kur gardianët e morën dhunshëm Shaban Shalën duke e lidhur dhe zvarritur, ai thërriste me zë të lartë: ‘Rroftë Shqipëria, poshtë tradhtarët e kombit, poshtë klika e Titos’”, shkroi Kurti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat