Ish-ambasadori i Kosovës në Slloveni: Duhet të shkarkohet Kurti e Osmani, diplomacia e zhytur në skandale

Aktuale

Ish-ambasadori i Kosovës në Slloveni: Duhet të shkarkohet Kurti e Osmani, diplomacia e zhytur në skandale

Më: 23 shkurt 2023 Në ora: 18:13
Anton Berisha

Kryeredaktori i televizionit slloven “Planet TV”, Mirko Mayer, ka njoftuar se Gjykata e Apelit në Slloveni ka hedhur poshtë ankesën e ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, në lidhje me rastin kundër gazetarit Vitomir Petroviq.

Berishaj kishte paditur Petroviqin në Gjykatën e Qarkut në Lubjanë në lidhje me raportimin që implikonte Berishajn në një skandal financiar.

Lidhur me këtë rast, ka folur ish-ambasadori i Kosovës në Slloveni, Anton Berisha i cili konsideron se duhet të shkarkohen kryeministri Albin Kurti dhe presidentja Vjosa Osmani.

Sipas tij, ata po e dëmtojnë Kosovën ndërkombëtarisht.

“Kosova duhet ta shkarkoj Kurtin e Osmanin si dy përfaqësuesit më të lartë që e kanë dëmtuar shtetin e Kosovës në arenën ndërkombëtare si askush më parë deri më tani”, shprehet ai.

Diplomacia e Kosovës aktualisht, për ish ambasadorin Berisha është e zhytur në skandale.

Ai thotë se tash e dy vite nuk ka asnjë rezultat me këtë qeveri.

“Besoj që janë thënë të gjitha për këtë rast. Diplomacia kosovare aktuale është inekzistente e zhytur në skandale, joprofesionalizëm, partiake e nepotike dhe pa asnjë rezultat në dy vitet e qeverisë Kurti”, tha ai.

Sipas “Planet TV”, kryeministri slloven, Robert Golob, është duke u hetuar ndërkombëtarisht për disa transaksione që i ka dërguar nga një degë serbe e furnizuesit energjetik slloven GEN-I, te kompania e ambasadorit kosovar MB Consulting. Duke u mbështetur në këtë raportim, kompania e Berishajt i ka marrë 600 mijë euro të cilat gradualisht i ka nxjerrë në para të gatshme e që dyshohet se ia ka kthyer kryeministrit të tashëm slloven Robert Golobit, që ky pastaj t’i investojë në një nga fondet italiane që u siguron përdoruesve anonimitet.

Por, këto akuza ambasadori Berishaj i ka mohuar kategorikisht.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat