Epopeja e UÇK-së - Kjo është simbolika e “Natës së Zjarreve”

Aktuale

Epopeja e UÇK-së - Kjo është simbolika e “Natës së Zjarreve”

Më: 7 mars 2023 Në ora: 19:19
Pmje nga “Nata e Zjarreve”

Më 5, 6 dhe 7 mars në Kosovë mbahen ditët kushtuar Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

Forcat serbe në natën e 4 dhe 5 marsit të vitit 1998 kishin rrethuar Prekazin. Atje ishte vendosur rrethim i hekurt. Më 5 mars 1998 kishte rënë heroikisht komandanti legjendar Adem Jashari.

Rezistenca e Jasharëve vazhdoi edhe më 6 e 7 mars 1998 ku u vriten 55 persona nga Prekazi, 22 prej të cilëve të familjes së ngushë të Adem Jasharit.

Këtij sulmi i kishte mbijetuar vetëm Bashkimi, djali i Rifatit, i cili ia kishte dalë që mes datës 5-6 mars të largohej nga rrethina dhe kishte arritur t’i shpëtonte sulmit, si dhe Besarta, vajza e Hamzës, e cila kishte parë dhe përjetuar tmerrin, derisa kishte parë vrasjen e anëtarëve të familjes së saj.

Por, cila është simbolika e “Natës së Zjarreve”?

Nata e zjarreve ka një simbolikë të veçantë. Shënohet në natën e fundit të Epopesë së UÇK-së, pasi që më 7 mars 1998 kishte përfunduar edhe rezistenca e Jasharëve.

Pas rënies së familjes Jashari, forcat serbe ua kishin vënë zjarrin shtëpive dhe në mbrëmjen e 7 marsit, nga larg shihej zjarri në kullat e familjes Jashari. Kështu, simbolikisht, dita e fundit e Epopesë së UÇK-së quhet “Nata e Zjarreve”.

Përveç kësaj, 7 marsi quhet “Nata e Zjarreve” pasi që pikërisht nga kjo ditë edhe është shpërndarë “zjarri” i luftës në të gjithë Kosovën.

Epopeja e UÇK-së, e cila nisi të dielën, përfundon sonte me “Natën e Zjarreve”.

Më 24 mars të vitit 1999, me urdhër të ish-sekretarit të përgjithshëm të NATO-s, Havier Solana, filluan sulmet ajrore të forcave të NATO-s kundër caqeve serbe në Kosovë dhe në Serbi.

Pas 78 ditësh bombardime të NATO-s, Sllobodan Millosheviqi në atë kohë president i Serbisë, u dorëzua në qershorin e vitit 1999 dhe pranoi Marrëveshjen e Kumanovës.

Më 10 qershor, Këshilli i Sigurimit miratoi Rezolutën 1244, me të cilën vendosi administratën e përkohshme të OKB-së në Kosovë dhe fuqizoi praninë ushtarake të KFOR-it.

Kosova, në partneritet me bashkësinë ndërkombëtare, ndërtoi institucionet e saj dhe më 17 shkurt të vitit 2008 shpalli pavarësinë e saj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat