Kadaj-Bujupi: Opozita tentoi pushtetin përmes bashkësisë ndërkombëtare duke u ofruar si alternativë

Aktuale

Kadaj-Bujupi: Opozita tentoi pushtetin përmes bashkësisë ndërkombëtare duke u ofruar si alternativë

Më: 7 mars 2023 Në ora: 21:46
Donika Kadaj Bujupi

Ish-deputetja Donika Kadaj Bujupi tha se opozita ka menduar që mund të arrijë në pushtet përmes bashkësisë ndërkombëtare, duke u ofruar si alternativë në kohën kur kërkohej implementimi i marrëveshjes me Serbinë.

Kadaj Bujupi thotë se pasi opozita nuk arriti në pushtet përmes bashkësisë ndërkombëtare, sipas saj, tani ka filluar ta luajë një rol opozitar.

“Opozita nuk ka legjitimet me i kundërshtu dy marrëveshjet sepse i kanë nënshkru vetë. Në periudhën e fundit kur ka pas zëra nga ambasada amerikane se nëse qeveria nuk e implementon marrëveshjen apo nuk e pranon marrëveshjen atëherë ne do të gjejmë alternativë, kanë qenë të parët që kanë shku dhe janë ofru ne jemi alternativa.

Kur nuk është zhvillu ashtu sic kanë mendu, pra nuk kanë mujt me mbërri pushtet përmes bashkësisë ndërkombëtare duke marrë parasysh që ende Kurti e VV;ja qëndrojnë fuqishëm  me përkrahje popullore, kanë fillu me kthy traken dhe me lu një rol opozitar, që nuk ka bazë pasi që janë vetë nënshkrues”, tha Kadaj Bujupi .

Ajo madje tha se bashkësia ndërkombëtare, shpeshherë i bën presion edhe opozitës, duke përmendur kështu kohën kur ajo ishte deputete opozitare.

“E di që bashkësia ndërkombëtare shpeshherë i bën presion edhe opozitës. Kur kemi qenë në opozitë kanë shkuar aq larg sa një numër nga ne jemi futur në listën që nënkuptonte të mos na jepnin viza amerikane apo mos me na prit në takime të larta. Kur kishim diçka tepër të rëndësishme që nuk mund të na anashkalonin, dërgonin zyrtarë më të ulët ambasade në Kuvend që i cilësonin si takime pune, më adekuat për të treguar që nuk do të takoheshim me zyrtarë të lartë derisa nuk i përkrahnim politikat e tyre.

Kjo që po bën tash bashkësia ndërkombëtare në raport me opozitën,  po e shoh vetëm si qortim për ndërrimin e qëndrimeve të pabaza. Nuk besoj që opozita e tanishme do të qëndrojë dhe besoj se shumë shpejt kjo opozitë do ndryshojë dhe do të shohim deklarata se kanë ndryshuar në të mirë të Amerikës”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat