Osmani takoi kryeministrin italian, biseduan për marrëveshjen Kosovë-Serbi

Aktuale

Osmani takoi kryeministrin italian, biseduan për marrëveshjen Kosovë-Serbi

Më: 14 prill 2023 Në ora: 17:21
Foto nga takimi

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, është takuar me kryeministrin dhe ministrin e Jashtëm të Italisë, Antonio Tajani, me të cilin ka diskutuar edhe për marrëveshjen në mes të Kosovës dhe Serbisë dhe aneksin e saj të dakorduar në Ohër. Osmani ka thënë se Kosova ka dëshmuar sërish konstruktivitetin e saj në këtë proces.

Në takimin e zhvilluar në Romë, Osmani ka theksuar se pritjet e qytetarëve të Kosovës janë që të përmbushen edhe zotimet e partnerëve, me theks të veçantë në integrimin e Kosovës në strukturat euroatlantike.

“Presidentja Osmani potencoi se Republika e Kosovës ka dëshmuar sërish konstruktivitetin e saj në proces dhe poashtu zotimin për të zbatuar atë për të cilën është dakorduar, duke qenë palë serioze dhe plotësisht e përkushtuar për dialog. Në anën tjetër, Presidentja shtoi se pritjet e qytetarëve të Republikës së Kosovës janë që do të përmbushen edhe zotimet e partnerëve tanë, me theks të veçantë në integrimin e Kosovës në strukturat euroatlantike”, thuhet në komunikatën e Zyrës së Presidentes.

Me diplomatin italian, Osmani ka biseduar edhe për çështjen e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës.

“Presidentja e shtroi çështjen e votimit në Këshillin e Europës duke theksuar urgjencën e një vendimi të tillë si dhe rëndësinë e anëtarësimit në këtë organizatë për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, pa dallim etnie, religjioni apo përkatësie tjetër”, thuhet në komunikatë.

Tutje, thuhet se Osmani dhe Tajani janë pajtuar për thellimin e mëtejmë të marrëdhënieve në mes të dy vendeve duke zgjeruar nivelin e marrëveshjeve te bashkëpunimit në fusha të ndryshme, përfshirë atë për njohjen e patentë-shoferëve të Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat