Sadri Ramabaja: Zgjedhjet në veri: legjitime

Aktuale

Sadri Ramabaja: Zgjedhjet në veri: legjitime

Më: 17 prill 2023 Në ora: 13:45
Sadri Ramabaja

Analisti dhe anëtari i VV-së, Sadri Ramabaja ka ardhë në përfundim që zgjedhjet në veri të vendit janë legjitime dhe se mbajtja e tyre është vazhdim i projektit të paqes.

Ramabaja përmes një shkrimi në profilin e tij në Facebook, ka shkruar për zgjedhjet, ku ka thënë se ato u imponuan për shkak të Serbisë dhe presidentit Vuçiq pas largimit të përfaqësueseve të serbë nga institucionet.

Ai ka thënë se qytetarët serbë duhet të përcaktohen se në cilin realitet do të vazhdojnë jetën.

Shkrimi i plotë:

Zgjedhjet në veri: legjitime - ato janë vazhdim i projektit të paqes

Zgjedhjet e jashtëzakonshme në katër komunat e veriut të Republikës u imponuan nga Beogradi. Me urdhër të presidentit serb, deputetët e Lisëts Serbe në dhjetorin e vitit të kaluar u tërhoqën nga Kuvendi. Nga institucionet shtetërore u tërhoqën policia e këtij rajoni, por edhe kryetarët e komunave [Mitrovicë e veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq) bashkë me gjyqtarët serb.

Pasoi shpallja e zgjedhjeve të jashtëzakonshme nga ana e presidentes së Republikës konform frymës dhe germës së Kushtetutës dhe masat ligjore për zëvendësimin e policëve, gjyqtarëve e prokurorëve serb të larguar.

Me kërkesën e miqëve dhe partnerëve tanë ndërkombëtar, zgjedhjet e parapara të mbaheshin në afatin kushtetues, në dhjetor 2022, u shtynë për 23 prill 2023.

Tashmë jemi në prag të këtyre zgjedhjeve dhe përmbushjes së obligimit kushtetues për shtrirjen e pushtetit demokratik edhe në këtë pjeës të Republikës.

Në rrafshin legal çdo gjë ecën në rrugën e duhur që garanton rendi kushtetues dhe ligji.

Në pikëpyetje, nga zëra të veçantë, vihet legjitimiteti i këtyre zgjedhjeve, meqë ato me kërkesën e Beogradit, po i bojkotn Lista Serbe dhe pritet pjesëmarrje e ultë e elektoratit serb në këtë proces demokratik.

Legjitimiteti i çdo institucioni varet në mënyrë thelbësore nga njohja, respektivisht pranimi i tij nga ana e qytetarëve.

Qytetarët serb në këtë kuadër janë në pozicionin më të vështirë të mundshëm; ata duhet të përcaktohen për jetë të mëtejshme bazuar në realitetin politik tashmë të krijuar nga shpallja e Republikës dhe ndërtimi i institucioneve të saj edhe në veri [2008], apo të vazhdojnë jetën paralele e me iluzione se janë pjesë e Serbisë.

Republika e Kosovës, legjitimiteti i saj, bazohet në faktin se ajo përfaqëson një projekt paqeje. Rrjedhimisht edhe zgjedhjet në veri duhet konceptuar si realizim i këtij projekti. Sa më shpejt të kuptohet ky fakt, aq më mirë do të ishte si për serbët e veriut, ashtu edhe për Beogradin.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat