Kryeministri Kurti në Çikatovë: Është koha e fundit të sjellim drejtësi për viktimat e dënim për kriminelët

Aktuale

Kryeministri Kurti në Çikatovë: Është koha e fundit të sjellim drejtësi për viktimat e dënim për kriminelët

Më: 17 prill 2023 Në ora: 15:15
Foto nga vendi i ngjarjes

Në 24- vjetorin e masakrës në fshatin Çikatovë e Vjetër të Komunës së Drenasit, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, bashkë me presidenten e vendit Vjosa Osmani Sadriu dhe kryetarin e Kuvendit, Glauk Konjufca, bëri homazhe dhe vendosi lule të freskëta te memoriali i ngritur në nderim të të vrarëve.

Duke folur për masakrën e 17 prillit të vitit 1999, Kryeministri Kurti tha se në Çikatovë të Vjetër të Drenicës, “jo vetëm që u vranë shqiptarët që jetonin në tokën e tyre dhe dëshironin veçse liri dhe paqe, por gjithashtu edhe kufomat e tyre u rrëmbyen dhe u dërguan në Serbi në varreza masive, në pesë varreza masive gjithsej mbi 950 shqiptarë”.

“Ata që u vranë këtu në Çikatovë të Vjetër u zbuluan si kufoma në Rudnicë të Rashkës. Pra në Rashkë atje ku krerët shtetërorë të Serbisë i mbajnë mbledhjet me përfaqësues politikë të listës serbe, me eksponentë të krimit të organizuar dhe me drejtues të strukturave paralele në Kosovë, kjo ndodhë pra në Rashkë të Serbisë. E në Rudnicë të Rashkës është një varrezë masive prej të cilës janë ekshumuar edhe shqiptarët e vrarë në Çikatovë të Vjetër nga forcat serbe para 24 vjetëve,” tha kryeministri.

Kryeministri theksoi se me datën 30 maj bëhen 4 vjet prej se në Kuvendin e Republikës është amandamentuar Kodi i Procedurës Penale dhe është mundësuar që kriminelët serbë të gjykohen edhe në mungesë për krimet që i kanë kryer gjatë luftës.

“Andaj, ne këtu si tre krerë të institucioneve shtetërore që jemi bëjmë thirrje edhe njëherë që Prokuroria e Shtetit, sistemi i drejtësisë në vendin tonë të jetë shumë më aktiv sepse është koha e fundit të sjellin drejtësi për viktimat e dënim për kriminelët. Nuk mund të presim që faktorët ndërkombëtarë do ta bëjnë punën tonë, nëse ne nuk e bëjmë së pari një gjë të tillë vet. Kosova është shtëpia jonë dhe ne e kemi për obligim shtetëror, kombëtar e qytetar, që të sjellim drejtësi për ata që derdhën gjakun për lirinë tonë të cilën e gëzojmë të gjithë ne sot”,, tha kryeministri Kurti.

Deklarimi i plotë për media i kryeministrit Kurti:

Para 24 vjetëve, pra me 17 prill të vitit 1999, këtu në Çikatovë të Vjetër të Drenicës, janë vrarë 23 civilë të paarmatosur e të pambrojtur nga forcat e Serbisë, të regjimit fashist të Millosheviqit, i cili në pranverën e vitit 1999 kreu gjenocid kundër popullit shqiptar në Kosovë.

Jo vetëm që u vranë shqiptarët që jetonin në tokën e tyre dhe dëshironin veçse liri dhe paqe, por gjithashtu edhe kufomat e tyre u rrëmbyen dhe u dërguan në Serbi në varreza masive, në pesë varreza masive, gjithsej mbi 950 shqiptarë.

Njëra prej atyre varrezave është edhe varreza në Rudnicë të Rashkës, ku në fakt janë ekshumuar edhe të vrarët e Çikatovës së Vjetër. Pra, ata që u vranë këtu në Çikatovë të Vjetër u zbuluan si kufoma në Rudnicë të Rashkës. Pra në Rashkë atje ku krerët shtetërorë të Serbisë i mbajnë mbledhjet me përfaqësues politikë të listës serbe, me eksponentë të krimit të organizuar dhe me drejtues të strukturave paralele në Kosovë, kjo ndodhë pra në Rashkë të Serbisë. E në Rudnicë të Rashkës është një varrezë masive prej të cilës janë ekshumuar edhe shqiptarët e vrarë në Çikatovë të Vjetër nga forcat serbe para 24 vjetëve.

Me datën 30 maj të vitit 2019, pra së shpejti bëhen 4 vjet prej se në Kuvendin e Republikës së Kosovës, është amandamentuar, është ndryshuar, është plotësuar Kodi i Procedurës Penale dhe është mundësuar që kriminelët serbë për krimet që i kanë kryer gjatë luftës të gjykohen edhe në mungesë.

Pra ndjekja e tyre, akuzimi, gjyqësia dhe ndëshkimi janë të mundshme edhe në mungesë, për shkak se me datën 30 maj të vitit 2019, Kuvendi i Republikës e ka mundësuar një gjë të tillë, duke e kaluar në lexim të dytë plotësim ndryshimin e Kodit të Procedurës Penale.

Andaj, ne këtu si tre krerë të institucioneve shtetërore që jemi, bëjmë thirrje edhe njëherë që Prokuroria e Shtetit, sistemi i drejtësisë në vendin tonë të jetë shumë më aktiv, sepse është koha e fundit të sjellin drejtësi për viktimat e dënim për kriminelët.

Nuk mund të presim që faktorët ndërkombëtarë do ta bëjnë punën tonë, nëse ne nuk e bëjmë së pari një gjë të tillë vet. Kosova është shtëpia jonë dhe ne e kemi për obligim shtetëror, kombëtar e qytetar, që të sjellim drejtësi për ata që derdhën gjakun për lirinë tonë të cilën e gëzojmë të gjithë ne sot.

Andaj, lavdi edhe njëherë të gjithë dëshmorëve dhe martirëve të kombit dhe thirrje e përsëritur që edhe shtylla tjetër e pushtetit në Kosovë, pra sistemi i drejtësisë të veprojë, për shkak se siç e dini të gjithë, me kalimin e kohës po mplaken, po vdesin dëshmitarët, dhe në këtë mënyrë edhe po na dobësohet edhe perspektiva që kriminelët të cilët urdhëruan dhe ekzekutuan krimet të ndodhen përfundimisht prapa grilave.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat