Kosova dhe Serbia në një raund të ri bisedimesh për normalizimin e marrëdhënieve

Aktuale

Kosova dhe Serbia në një raund të ri bisedimesh për normalizimin e marrëdhënieve

Më: 2 maj 2023 Në ora: 14:58
Arkiv

Sonte në Bruksel mbahet takimi i radhës ndërmjet kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiç, në kuadër të bisedimeve për zbatimin e një marrëveshjeje të mbështetur nga perëndimi për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dyja vendeve.

Takimi që pritet të fillojë në orën 18:00 është i pari i nivelit të lartë politik pas pajtimit në Ohër për rrugën e zbatimit të marrëveshjes që u arrit më 27 shkurt në Bruksel.

Bashkimi Evropian tha se palët pritet “të miratojnë deklaratën për personat e zhdukur si pikë të parë të rendit të ditës dhe kjo do të pasohet me paraqitjen dhe diskutimet rreth projektit t të parë të statutit për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe”.

Këshilltari i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, javën e kaluar bisedoi me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ndërsa të hënën në mbrëmje me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti për të shprehur pritjet amerikane për një takim konstruktiv dhe përparim në bisedime, posaçërisht për formimin e Asociacionit.

Projekt statuti thuhet të jetë hartuar nga një ekip menaxhues i përbërë nga katër pjesëtarë të komunitetit serb, në mesin e të cilëve një deputete në parlamentin e Serbisë.

Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal në Kosovë, Elbert Krasniqi, shkroi se sipas një vendimi të vitit 2020 parashihet që Ekipi Menaxhues të bashkërendohet më ministrinë e tij dhe t’i raportojë asaj. Por, ky ekip, tha ai, nuk i është përgjigjur një ftese për takim.

Beogradi thotë se kusht për kthimin e serbëve në institucionet e Kosovës por edhe zbatimin e marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve është themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Marrëveshja e mbështetur edhe nga Shtetet e Bashkuara, kërkon marrëdhënie të mira fqinjësore, njohje të dokumenteve dhe simboleve dhe respektim të sovranitetit dhe tërësisë tokësore të njëra tjetrës. Ajo kërkon që palët të mos pengojnë njëra tjetrën në proceset integruese, por nuk kërkon njohje të ndërsjellë. Plani parasheh edhe përmbushjen e të gjitha marrëveshjeve të arritura më parë në bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian, përfshirë atë për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Një muaj e gjysmë pasi palët u pajtuan për zbatimin e saj, është përmbushur vetëm një nga parashikimet e marrëveshjes, që është themelimi i Komitet të Përbashkët Monitorues për të mbikëqyrur zbatimin e Marrëveshjes./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat