Dëmtim i Telekomit prej afro 7 milionë eurosh, ky është pronari i “Paykos”

Aktuale

Dëmtim i Telekomit prej afro 7 milionë eurosh, ky është pronari i “Paykos”

Më: 4 maj 2023 Në ora: 16:58
Armend Zeqiraj

Pas dy vite e gjysmë hetime – Prokuroria Themelore e Prishtinës ka ngritur aktakuzë ndaj ish- kryeshefit ekzekutiv të Telekomit, Agron Mustafës i cili po dyshohet për nënshkrimin e një kontrate milionëshe me kompaninë “Paykos”.

Sipas Prokurorisë, dëmi që i ka shkaktuar Telekomit të Kosovës është i madh. Bëhet fjalë për mbi 6.7 milionë euro të cilat janë derdhur në kompaninë “Paykos”.

Gazeta ka mësuar se pronar i kësaj kompanie është biznesmeni Armend Zeqiraj.

Prokuroria po e heton Agron Mustafën për veprën penale “Lidhja e kontratës së dëmshme”. Në komunikatën publike kanë bërë të ditur se Mustafa që nga marsi i vitit 2015 e në vazhdimësi ka vepruar në dëm të PTK-së duke bërë lidhje të marrëveshjeve e aneks kontratave të dëmshme duke vepruar në disfavor të ndërmarrjes që ai përfaqësonte – Telekomit.

“I njëjti me dashje i ka shkaktuar dëm në shkallë të madhe Telekomit të Kosovës, dhe atë në vlerë prej 6,796,732 €”, thuhet në njoftim.

Por, për çfarë kontrate bëhet fjal?

E gjithë kjo filloi tetë vite më parë. Telekomi lidhi një kontratë milionëshe me “Paykos” për shitjen e mbushjeve të operatorit “Vala” e deri tek organizimi i lojërave shpërblyese në Telekomin e Kosovës.

Kontrata milionëshe e nënshkruar nga ish-kryeshefi i Telekomit, Agron Mustafa dhe kompanisë “Paykos” e pronarit Armend Zeqiraj ra në duart e Policisë dhe Prokurorisë që nga muaji qershor i vitit 2020 kur Telekomi i Kosovës kishte dorëzuar për herë të parë një kallëzim penal.

Kjo kontratë pretendohet se i ka sjellur dëme të mëdha Telekomit të Kosovës.

Sipas të dhënave, vetëm katër muaj pasi që ishte regjistruar si biznes, kjo kompani kishte nënshkruar kontratë me Telekomin në vlerë milionëshe. Përmes kësaj marrëveshjeje të arritur në mars të 2015 ajo kishte për obligim shitjen, distribuimin dhe promovimin e mbushjeve Pre Paid. Ajo ishte nënshkruar nga ish-kryeshefi i PTK-së, Agron Mustafa

Sipas kontratës, “PayKos”-i, obligohej që të zgjeronte rrjetin e pikave të shitjes së mbushjeve nëpër Kosovë. Në bazë të dokumenteve, rreth 10 milionë euro është fitimi i kompanisë “PayKos” për katër vjet, nëse llogariten të hyrat nga shitjet që pati kompania, provizioni prej 9.7 për qind dhe zbritjet e bonuset që i shkonin “PayKos”-it.

Nga viti i nënshkrimit, “PayKos” ka fituar rreth 7.5 milionë euro si komisione për shitje të mbushjeve, minimum rreth 1 milion euro bonuse për arritje të trageteve, si dhe minimum rreth 1 milion euro për blerjen e mbushjeve me çmime zbritjeje nga operatori. Kohëzgjatja ishte ndryshuar disa herë. Në tetor 2016, palët u pajtuan që marrëveshja të zgjasë deri në 2020 me mundësi vazhdimi edhe për 4 vjet të tjerë. Ndërsa në dhjetor të 2017-s u shtua një afat i ri 5- vjeçar, që fillonte më 1 janar 2018.

Që nga viti 2020 kjo kontratë është duke u hetuar nga organet e hetuesisë.

Gazeta kishte shkruar në vazhdimësi për marrëveshjen milionëshe dhe procesin hetimor.

Muajin e kaluar, insajderi kishte mësuar se Prokuroria është në përfundim të procesit hetimor.

Prokuroria në një përgjigje për mediumin kishte thënë se është në fazën e fundit të hetimeve ku pritet shumë shpejt t’i jep epilog përfundimtar çështjes.

Pas shkëputje të kontratës, në qershor të vitit 2022, Telekomi i Kosovës është njoftuar se kompania “Paykos” e ka dërguar atë në Gjykatën e Arbitrazhit Ndërkombëtar.

Nga kjo “Paykos” po kërkon dëmshpërblim në vlerë 800 mijë euro nga Telekomi i Kosovës.

Por për kërkesa Tekelomi i ka quajtur të paqëndrueshme. Në një përgjigje nga Telekomi thuhet se kërkesa e “Paykos” në Arbitrazh po e dëmton rëndë Telekomin.

“Telekomi i Kosovës konsideron se kërkesat e PayKos LLC janë të paqëndrueshme dhe e dëmtojnë rëndë kompaninë tonë, prandaj me të gjitha mjetet ligjore do ta mbrojmë atë përmes një përfaqësimi ligjor adekuat, kudo që të jetë nevoja” thuhet në përgjigjen e tyre. 

Gazeta ka tentuar të marrë një përgjigje edhe nga menaxhmenti i kompanisë “Paykos” në lidhje me pretendimet e tyre në padinë e dorëzuar në Arbitrazh, por të njëjtit nuk janë përgjigjur.

Deri më tani ende nuk është mbajtur asnjë seancë në Arbitrazh dhe të njëjtët janë në procesin e zgjedhjes së arbitrave.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat