Deputeti Muja: Sa Vuçiqi, dëm ka bërë edhe opozita, s’rekomandoj tërheqjen nga veriu

Aktuale

Deputeti Muja: Sa Vuçiqi, dëm ka bërë edhe opozita, s’rekomandoj tërheqjen nga veriu

Më: 31 maj 2023 Në ora: 11:07
Armend Muja

“Nuk jemi për të kënaqur agjendat e Vuçiqit, por për të rinjtë dhe gjeneratën e re që dëshiron ligj, rend e jetë”.

Kështu deklaroi deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Vetëvendosjes, Armend Muja, sipas të cilit, vëmendja duhet të  përqendrohet diku tjetër e jo tek ajo kryeministri i Kosovës do të tërhiqet.

“Kryetarët e komunave mund të ndryshohen me proces demokratik, pra me zgjedhje”, tha deputeti Muja në intervistë për Euronews Albania.

“Ne jemi të interesuar sipas parimit shumë etnik, të jemi të hapur sepse kemi obligime për të gjitha komunitetet”, tha Muja, duke shtuar se – “ose duhet mbështetur këto parime siç është ndërtuar shteti i Kosovës ose jo”.

Ai deklaroi se kjo nuk mund të bëhet me mbështetjen e të gjithëve.

“Jo, nuk e rekomandoj tërheqjen Qeverisë sa i përket kryetarëve të komunave në veri sepse ato janë ndërtesa të shtetit”, tha deputeti Muja.

Sipas tij, nëse do të tërhiqet policia nga sigurimi i ndërtesave komunale, kjo varët nga situata dhe policia është ajo që vlerëson gjendjen e sigurisë.

“Ka ca kalorës e banda të Vuçiqit që vijnë nga Banja Lluka (Bosnje e Hercegovinë v.j) në Mitrovicë dhe ne duhet t’i ndalojmë ata aq sa të kemi mundësi”, u shpreh ai.

I pyetur për zërat që kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Albin Kurti, siç ishte rasti me kryetarin e AAK-së, Ramush Haradinaj, deputeti Muja tha se kjo nuk mund të ndodhë.

“Ata që dëshirojnë dorëheqjen tonë, opozita, e kanë provuar dhe opozita është problem”, tha ai.

“Aq sa e shoh Vuçiqin problem, dëm kanë bërë edhe këta (opozita v,j)”, u shpreh deputeti i Vetëvendosjes, duke rikujtuar takimet e Haradinajt me Radojçiqin.

“Kanë tentuar të tërheqin Kurtin përmes Radojçiqit, por janë dënuar nga populli i Kosovës”, tha ai.

“Nuk duam të ndeshemi me askënd, por jemi në rrugë të drejtë”.

Deputeti Muja tha në këtë intervistë se nuk mund të ketë qasje selektive siç ka vepruar Haradinaj për Radojçiqin.

“Kjo është kohë reflektimi dhe prapa Qeverisë  është populli i Kosovës”.

Ai tha se Kosova është vend pro perëndimor dhe e përkushtuar të ecë bashkë me faktorin ndërkombëtar.

“E gjitha çfarë ngjet në Kosovë, Mal të Zi e Bosnje,  kanë një emër, Vuçiqin dhe politikën ruse”, sqaroi deputeti Muja, duke rikujtuar se këto vende e kanë bartur  në lëkurë këto barrë dhe e kanë  kuptuar pak më herët këtë situatë.

“Zgjidhja e kësaj situate në Kosovë është që komuniteti të marrë pjesë në zgjedhje, sepse procesi i ndryshimit duhet të jenë zgjedhjet”, tha Muja. “Policia tërhiqet ose operon varësisht nga rreziku”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat