Ymeri: Kosova kurrë s’ka pasur pozicion kaq të vështirë, kokëfortësia e Kurtit na solli këtu

Aktuale

Ymeri: Kosova kurrë s’ka pasur pozicion kaq të vështirë, kokëfortësia e Kurtit na solli këtu

Më: 3 qershor 2023 Në ora: 09:14
Analisti Visar Ymeri

Analisti Visar Ymeri është shprehur i shqetësuar me raportet e Kosovës me SHBA-të.

Ai ka vlerësuar se Kosova është në një prej situatave më të vështira prej që ka përfunduar lufta.

Sipas tij, një pozitë e tillë është shumë e rrezikshme për Republikën e Kosovës.

“Mendoj që jemi në një prej situatave më të vështira prej që ka përfunduar lufta në Kosovë. Pra prej që jemi çliruar prej Serbisë, Kosova nuk e ka pasur një pozicion kaq të vështirë dhe të rrezikshme për shkak të marrëdhënieve që i kemi me ShBA-në, Bashkimin Evropian e gati me secilin shtet që e kanë përkrahur Kosovën dhe mendoj që kjo do duhej të kuptohej si një moment i një alarmi gjithëpopullor sepse Kosova nuk mundet ta bëjë asnjë hap në arenën ndërkombëtare e as në kontrollimin ose shtrirjen e sovranitetit në tërë territorin pa ndihmën e miqve dhe aleatëve tanë perëndimor, veçanërisht të ShBA-së”, ka thënë ai.

Ymeri ka thënë se në këtë gjendjen Kosovën e ka sjellë kokëfortësia e Kurtit.

“Kështu që mendoj që veprimet dhe kokëfortësia e sjellja e kryeministrit Kurti, janë të dëmshme dhe të rrezikshme, sepse po e dërgojmë Kosovën në një rrugë në të cilën askush prej neve nuk e dimë se ku jemi nis dhe si do të përfundojë”, është shprehur Ymeri.

Ish-kryetari i VV-së ka bërë me dije se Qeveria nuk ka plan se si të dilet nga kjo situatë.

“Unë nuk e kuptoj se cili është plani i kryeministrit Kurti sot. Nuk kemi asnjë informatë, asnjë përshtypje me të cilën kryeministri na ka treguar se ku dalim prej kësaj lufte. Si mund të përfitojë Kosova nëse futet në luftë njëkohësisht me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me Bashkimin Evropian, e me luftë unë e kuptoj luftë diplomatike, dhe në të njëjtën kohë me tensione jashtëzakonisht të rritura në veri”, ka deklaruar Ymeri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat