Jabllanoviq tregon se pse u ndalua nga policia kufitare në Kosovë

Aktuale

Jabllanoviq tregon se pse u ndalua nga policia kufitare në Kosovë

Më: 5 korrik 2023 Në ora: 13:47
Aleksandar Jabllanoviq

Ish-ministri për Kthim dhe Komunitete në Qeverinë e Kosovës, Aleksandar Jabllanoviq ka treguar arsyen e kalimit nga rruga e Izvorit në drejtim të Leposaviqit, në vendin ku ai jeton me familjen e tij.

Jabllanoviq në një prononcim për Telegrafin konfirmoi se gjatë kthimit nga një pushim nga Serbia për në Kosovë ka kaluar nga vendkalimi i Izvorit, për të cilën rrugë tha se ishte e kalueshme dhe se nuk kishte informacion që ishte e mbyllur për qarkullim.

“Mund të konfirmoj se unë, me gruan dhe dy vajzat e mitura, po ktheheshim nga pushimet në drejtim të Leposaviqit, ku jetoj normalisht, dhe përmes vendkalimit të Izvorit ndërmjet Novi Pazarit dhe Zveçanit. E kam kaluar atë rrugë një herë më parë dhe rruga ishte e kalueshme dhe kalimi ishte i rregullt. Mirëpo, mbrëmë jemi ndalur nga një patrullë e Policisë së Kosovës dhe na ka njoftuar se ajo rrugë aktualisht është e mbyllur për qarkullim”, tha Jabllanoviq.

Ai po ashtu tregoi se pasi u ndaluan nga Policia e Kosovës, ai bashkë me gruan dhanë një deklaratë në polici si dhe u lejuan të vazhdojnë udhëtimin e tyre.

“Pas kësaj, unë dhe gruaja ime dhamë një deklaratë në stacion policor dhe pas kësaj na lejuan të vazhdonim udhëtimin tonë. Mund të them se pjesëtarët e policisë gjatë gjithë kohës janë treguar jashtëzakonisht të sjellshëm dhe maksimalisht profesional ndaj nesh dhe nuk kemi asnjë kundërshtim për veprimet e tyre, për çka dua t’i falënderoj”, u shpreh Jabllanoviq.

Ai shtoi se: “Unë sigurisht që nuk kam bërë asnjë shkelje dhe nuk e konsideroj atë hyrje të paligjshme, pasi është krejtësisht e ligjshme që nga viti 2013. Unë dhe familja ime kemi dokumente si nga Serbia ashtu edhe nga Kosova dhe jemi banorë të Kosovës, kështu që besoj se kalimi ynë nuk mund të jetë i paligjshëm. Në Kosovë nuk kemi probleme me ligjin dhe as arsye për të kaluar ilegalisht nga Serbia në Kosovë. Fakti që disa rrugë udhëtimi janë aktualisht të pakalueshme dhe se e drejta jonë për lëvizje të plotë dhe të lirë është e kufizuar është një minus për institucionet”.

Po ashtu, Jabllanoviq potencoi se nuk ishin të informuar për mbyllje të asaj rruge për qarkullim.

“I gjithë rasti lindi sepse ne nuk ishim të informuar mirë për rrethanat aktuale në atë rrugë dhe besoj se ky nuk është aspak problem në rastin tim sepse nuk jemi as kontrabandë, as emigrantë të paligjshëm”, tha Jabllanoviq.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat