Profesionistët rekomandojnë shmangie nga dielli dhe konsumim të ujit

Aktuale

Profesionistët rekomandojnë shmangie nga dielli dhe konsumim të ujit

Më: 12 korrik 2023 Në ora: 19:34
Foto ilustrim

Për këtë javë janë paralajmëruar temperatura deri në 36 gradë celsius. Profesionistë dhe institucione shëndetësore bëjnë thirrje për kujdes të shtuar dhe mosekspozim të gjatë dhe direkt në diell. Ata rekomandojmë të konsumohen më shumë ujë dhe lëngje, në mënyrë që të shmangen dehidrimi dhe komplikimet e tjera përcjellëse

Dehidrim i përcjellë me kokëdhembje e marramendje mund të shkaktojë ekspozimi për një kohë të gjatë në diell në kohën kur temperaturat janë paralajmëruar të shkojnë këtë javë deri në 36 gradë celsius, kanë paralajmëruar profesionistë shëndetësorë.

Vlora Esati-Thaçi, specialiste e mjekësisë familjare, thotë se duhet treguar kujdes më i shtuar gjatë mbretërimit të temperaturave të larta, veçanërisht për personat e moshuar dhe ata me probleme kronike.

“Periudha që ata duhet të kenë kujdes më tepër është periudha prej orës 11:00 deri në orën 17:00, ku duhet të kenë kujdes të shtuar. Nëse janë persona që patjetër duhet t’u ekspozohen rrezeve të diellit, duhet të kenë mbrojtje, kapela, rrobat t’i kenë të veshura me material pambuku, të kenë ngjyra të çelëta pasi ato i reflektojnë rrezet e diellit”, ka thënë specialistja Esati-Thaçi.

Dhjetë këshilla dhe rekomandime lidhur me temperaturat e larta ka listuar dy ditë më parë edhe Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike. Mes tyre, edhe rekomandimet për ta evituar dehidrimin.

“Është e domosdoshme marrja e 2 litrave lëngje gjatë ditës, qoftë si 8 gota ujë ose në formë supe ose çaji; po ashtu duhet anashkaluar ushqimin e fërguar, shumë të njelmët ose të ëmbël, ose me mëlmesa të shumta, ndërsa duhet marrë shumë pemë dhe perime sezonale”, thuhet në komunikatën e IKSHPK-së.

Specialistja Esati-Thaçi tregon për disa nga simptomat që mund të shkaktojë ekspozimi i gjatë në diell dhe rekomandon se si duhet të veprohet kur trupi pëson dehidrim.

“Mund të kemi tharje të gojës, lodhje, plogështi. Këto janë disa prej simptomave”, ka thënë ajo. “Konsumimi i ujit, lëngjeve.... Kur e cekim konsumin e lëngjeve nuk nënkuptojmë të konsumojmë lëngje me shumë sheqer, por zakonisht orientohemi tek çajet edhe supat me pemë e perime më tepër”.

Thirrje për masa mbrojtëse dhe kufizim ndaj rrezeve të diellit ka bërë edhe Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat