​Remi tregon nëse ndikoi në dëshminë e tij posti i këshilltarit të Thaçit

Aktuale

​Remi tregon nëse ndikoi në dëshminë e tij posti i këshilltarit të Thaçit

Më: 14 korrik 2023 Në ora: 14:44
Thaci- Remi

​Remi tregon nëse ndikoi në dëshminë e tij posti i këshilltarit të Thaçit

Ish-komandanti i Zonës Operative të Llapit, Rrustem Mustafa, i cili po dëshmon në gjykimin ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e ka mohuar të ketë ndryshuar dëshminë e tij pas marrjes së postit të këshilltarit të ish-presidentit Hashim Thaçi, në vitin 2019.

Derisa është përgjigjur në pyetjet e avokatit të Thaçit, Luka Misetiq, ai ka thënë bashkëpunimi i tij me Thaçin nuk ka ndikuar në deklaratat që ai ka dhënë.

Misetiq: Zoti Mustafa, në fund të pyetjeve të prokurorisë ju bënë disa pyetje lidhur me emërimin tuaj si këshilltari presidentit Thaçi në vitin 2019. Dëshiroj të ju pyes nëse keni ndryshuar dëshminë tuaj në ndonjë mënyrë si rezultat i caktimit si këshilltar i zotit Thaçi?

Mustafa: Jo zotëri avokat, unë kur kam shkruar librin, kur kam bërë këto intervista, as që ka menduar ndonjëri i gjallë që zoti Thaçi do të jetë pranë gjykatës sot. Unë kam pasur të njëjtin qëndrim gjatë luftës, pas luftës, edhe sot.

Avokati Misetiq: Gjërat që keni dëshmuar këtu në gjykatë a janë ndryshuar, apo a janë mbajtur prej jush si rezultat i emërimit si këshilltar i presidentit Thaçi, a ka pasur ndikim emërimi juaj si këshilltar i zotit Thaçi mbi atë se çfarë keni thënë përpara gjykatës?

Mustafa: Jo.

Ai është pyetur edhe nëse ka shkruar ndonjëherë manual për ligjet e luftës dhe nëse të njëjtin e ka dërguar të njësitet.

Lidhur me këtë, ish-komandant Remi nuk e ka përjashtuar mundësinë që stafi i tij të ketë bërë ndonjë të tillë.

Sipas tij, me këtë ka mundur të merrej shefi i shtabit që ai drejtonte apo dikush nga stafi, ndërkohë që ka përmendur se ka pasur referentë që janë marrë me çështje të tilla.

Ndërsa kur është pyetur rreth personave të ndaluar, ai ka mohuar që në zonën e tij të ketë pasur gjykatë apo prokurori që është marrë me këtë çështje.

“Ka qenë kohë e shkurtë, e shpejtë e zhvillimeve, nuk kemi pasur resurse, nuk kemi arritur të organizoheshim edhe pse kemi dashur”, ka thënë ai.

Ai ka thënë se personat që janë ndaluar kanë qenë në kundërshtim të drejtpërdrejt me misionin e UÇK-së.

Avokati e ka shfaqur një dokument që sipas tij është komunikata që flet për luftën speciale në të cilën thuhet se “...të gjithë emisarët dhe përhapësit e luftës speciale, kushdo qofshin ata, do të trajnohen sipas ligjeve në rrethana lufte”.

Ai e ka pyetur Rrustem Mustafën nëse e ka ditur se si i trajtonte e drejta jugosllave çështjet e spiunazhit, për çka ai ka thënë se ka pasur njohuri të përgjithshme dhe se për çështje të tilla është këshilluar nga perona që kanë pasur më shumë njohuri.

Avokati ka dorëzuar si provë edhe një dokument të marrëveshjes midis Jugosllavisë dhe OSBE-së që sipas tij është nënshkruar më 16 tetor 1998.

“Në atë kohë nuk më kujtohet që e kam njohur këtë marrëveshje, këtë pikë që sapo e lexuam por unë e di se me anëtarë të misionit verifikues kemi folur për çështjet lidhur me të ndaluarit dhe i kemi lejuar kontaktet me ta”, ka thënë ai.

Prokuroria nuk e ka kundërshtuar këtë dokument por ka thënë se vlerësojnë që nuk ka bazë mbi pranimin e tij si provë.

Avokati Luka Misetiq e ka pyetur atë edhe rreth një tensioni të dhjetorit të vitit 1998 sipas tij në rrugën Prishtinë-Podujevë, por intervistimi për këtë është zhvilluar në seancë private.

Pyetjet e mbrojtjes së Thaçit kanë përfunduar ndërsa intervistimi i tij do të vazhdojë nga mbrojtja e Kadri Veselit.

Kjo është dita e katërt e ish-komandant Remit në gjykatoren e Hagës ndërsa pritet që dëshmia e tij të zgjasë edhe në ditët e javës së ardhshme.

Ai është betuar si dëshmitar të martën para turpit gjykues në Hagë në rastin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit, Rexhep Selimit.

Të akuzuarit po marrin pjesë fizikisht në sallën e gjyqit për ta dëgjuar këtë dëshmi.

Gjykimi kundër tyre ka nisur më 3 prill me deklaratat hyrëse ku të gjithë janë deklaruar të pafajshëm për akuzat për krime të pretenduara të luftës.

Ata ndodhen në qendrën e paraburgimit në Hagë prej nëntorit të vitit 2020.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat