​Nga statusi juridik e financat e kishës te Kodi Civil, Gjergji flet edhe për ikjen e të rinjve

Aktuale

​Nga statusi juridik e financat e kishës te Kodi Civil, Gjergji flet edhe për ikjen e të rinjve

Më: 15 korrik 2023 Në ora: 10:06
Dodë Gjergji

Kosova ende nuk ka një ligj që rregullon statusin juridik të bashkësive fetare. Zhgënjimi dhe lodhja nga diskutimet për një temë të tillë vihet re menjëherë në fytyrën e kreut të Kishës katolike në Kosovë. Dodë Gjergji thotë për KosovaPress se janë bërë si “papagall” duke përsëritur mendimet për një projektligj që nuk po kalon për dhjetë vjet.

Në fillim të këtij viti, Qeveria e Kosovës kaloi Projektligjin për Liritë Fetare mirëpo ende nuk ka marrë bekimin e Kuvendit të Kosovës për të hyrë në fuqi dhe, mjerisht, ende nuk dihet se kur mund të ndodhë kjo për shkak të bojkotit të deputetëve serbë, votat e të cilëve janë të nevojshme për miratimin e tij.

Në lidhje me projektligjin që ka kaluar në Qeveri, Gjergj thotë se e pranojnë pavarësisht se nuk janë dakord me tërësinë e saj.

“Ne jemi të vetëdijshëm për realitetin që e kemi dhe nuk pretendojmë që të kemi një ligj, i cili do të plotësojë të gjitha dëshirat dhe ambiciet tona se duhet të jemi të kujdesshëm që ai ligj do të jetë për të gjithë dhe jo vetëm për ne. Por ne mendojmë që më mire të kemi një ligj se sa të jemi të paligjshëm në këtë shtet...Jo ne nuk jemi dakord në tërësinë e saj, por ne e pranojmë një gjë të tillë si shkak i një nevojë të madhe që është statusi juridik i bashkësive fetare... Gradualisht e kemi kuptuar që ky ligj është pothuajse i pakalueshëm, jo nga mungesa e vullnetit politik, por nga realiteti i shumëllojshmërish që i kemi dhe ne bashkësitë fetare nuk e kemi një vullnet të përbashkët me ligjin e sidomos Kisha ortodokse serbe dhe mungesa e deputetëve serbë që e bënë të pamundshëm kalimin e këtij ligji sepse duhet shumica e dyfishtë”, thotë Gjergji.

Transparenca financiare është një nga pikat ku ka më së shumti ka vërejtje për të gjitha bashkësitë fetare. Projektligji i mbetur pezull synon ta rregullojë edhe këtë çështje dhe Gjergji thotë se asnjëra prej bashkësive nuk e ka problem të bëjë transparente të hyrat e saj.

“Tani kjo fjala transparencë është e madhe dhe mendoj që asnjë bashkësi fetare nuk e ka problem të bëj transparente financat, të cilat i merr sepse ajo i merr nga besimtarët ose nga donatorët dhe nga askush tjetër, në këtu kemi pasur edhe vërejtje në ligj, që shteti nuk mund të kërkojë llogari nga bashkësitë fetare për diçka që nuk i jep sepse për të pasur qasje në një bashkësi fetare shteti duhet të ndihmojë atë dhe pastaj të kërkojë llogari. Por, të kërkosh llogari për diçka që nuk ke dhënë, unë mendoj që është e paqëndrueshme edhe pse nuk e refuzojmë, sepse ne nuk kemi çka të fshehim”, thotë ai.

Njëjtë sikurse Projektligji për Liritë Fetare, një tjetër projektligj nuk po arrin të miratohet në Kuvend. Ai është Kodi Civil. Nëse për të parin bashkësitë fetare këmbëngulin që të miratohet, për të dytin thirrja është e kundërt.

Mospajtimet janë te neni, i cili do të mundësonte hartimin e një ligji të posaçëm, përmes të cilit do të lejohej regjistrimi i "bashkësive civile" ndërmjet personave me gjini të njëjtë.

Në të vërtetë, komunitetet fetare njëzëri kërkojnë një Kod Civil që do të respektojë familjen e natyrshme.

“Ne e kemi fuqinë e mendimit, fuqinë e fjalës dhe fuqinë e dashurisë dhe duhet patjetër të insistojmë dhe të i themi njeriut tonë se çfarë është e mira e tij dhe për cilën të mirë duhet të angazhohemi të gjithë. Pastaj, ne nuk jemi vendimtarë sepse nuk jemi në Parlament për të marrë vendim, edhe nëse merret një vendim nuk mund ta zhbëjmë, askush nuk mundet të na detyrojë që ne të pranojmë diçka, e cila është kundër ndërgjegjes tonë. Nëse është liria e ndërgjegjes atëherë të gjithë duhet të respektojnë dhe duhet të kuptojnë që ne e duam dhe mbështesim një familje mes burrit dhe gruas. Mendojmë dhe besojmë se ai është vullneti i Hyjit, Zoti ashtu e ka dashur dhe ne si bijtë e tij mbi tokë e dëshirojmë dhe e duam një familje të natyrshme”, thotë ai.

Gjergji bën thirrje që njerëzit t’i kthehen vlerave dhe respektit të së kaluarës.

“Njeriu ynë është zbrazur nga vlerat e dikurshme, nga dashuria dhe respekti për të kaluarën dhe sakrifica e të parëve dhe vuajtja e prindërve. Kanë lënë shtëpitë e veta të ndërtuara, është e pakuptueshme, ose më mirë të them se nuk do të besoja kurrë që do të vijmë në këtë ditë që në të cilët ktheheshim në shtëpitë e djegura me dashuri dhe ikim nga vilat për interesa personale dhe i lëmë të mbyllura”, thotë Gjergji.

Duke u ndalur të largimi në masë të madhe jo vetëm i të rinjve nga Kosova, kreu i Kishës katolike thotë se “të gjithë” e sollën vendin në këtë situatë.

“Është një sëmundje e kohës, të gjithë nga pak e kemi sjellë këtë situatë ose kemi kontribuar, por nuk mund t’ia veshim fajin dikujt, koha në të cilin jemi duke jetuar kur bota e qytetëruar kur njerëzit duhet të shkojnë ku kanë nevojë për fuqi njerëzore për shkak të mungesës që e kanë. Njeriu ynë, i cili ka më shumë lakmi sesa nevojë, e lakmojnë këtë situatë, rrethanat në të cilat jetojmë nuk janë të qeta, sistemimi i gjërave të një shoqërie funksionale dhe një shteti ligjor nuk është arritur, prandaj kjo ndikon dhe njerëzit marrin vendimet e veta në fund të fundit është e drejta e tyre të marrin vendime për vetveten, por nuk është e drejtë të lënë atë zbrastësi në shtëpinë e tyre në familjen e tyre në vendin tonë”, deklaron Gjergji.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat