​“Rinia largohet, Rozeta pasurohet”, të rinjtë e PDK-së kërkojnë dorëheqjen e ministres Hajdari

Aktuale

​“Rinia largohet, Rozeta pasurohet”, të rinjtë e PDK-së kërkojnë dorëheqjen e ministres Hajdari

Më: 2 gusht 2023 Në ora: 12:05
Të rinjtë e Partisë Demokratike të Kosovës

Të rinjtë e Partisë Demokratike të Kosovës, sot (e mërkurë) përmes një aksioni simbolik para Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë kanë kërkuar dorëheqjen e ministres Rozeta Hajdari e përfshirë në disa incizime si e dyshuar që qëndron mbrapa disa keqpërdorimeve në lidhje me rezervat shtetërore.

“Vaji dhe Polonia, si Rozeta e hajnia!”; “Rinia largohet, Rozeta pasurohet”; “Ju me zemër, na pa bukë!” – ishin disa nga parullat e aksionit të sotëm të RDK-së.

Kryetarja e Rinisë Demokratike të Kosovës, Arbnora Salihu tha se MINT në krye me ministren Rozeta Hajdari deri tani ka shpërfaqur vetëm keqmenaxhim e abuzim të parasë publike.

Salihu: Rozeta ka treguar vetëm keqmenaxhim

“Përgjimet që lidhen specifikisht me vajin e sheqerin dëshmojnë se kjo ministri ka blerë vaj e sheqer mbi 300 mijë euro prej një kompanie polake, paret i kanë dhënë por vaji, sheqeri e gruri nuk janë kurrkund. Ne po i zhvillojmë këtë aksion simbolik sepse kjo ministri në krye me Rozetën nuk ka treguar rezultat deri më tani por ka treguar vetëm keqmenaxhim e abuzim të parasë publike”, tha Salihu.

Të rinjtë e PDK-së kërkuan dorëheqjen e menjëhershme të Rozeta Hajdarit dhe nga organet e rendit t’i hetojnë ato që i quajti si skandale korruptive.

Salihu: Kërkojmë dorëheqjen e menjëhershme të Rozeta Hajdarit

“Po shihet qartë që Qeveria Kurti me skandale të njëpasnjëshme nuk është duke pasur kohë e as nuk e ka prioritet rininë. Andaj, ne kërkojmë dorëheqjen e menjëhershme të Rozeta Hajdarit dhe kërkojmë nga organet e rendit të hetojnë mbi këto skandale korruptive”, tha Salihu.

Të rinjtë më pas janë larguar paqësisht nga shkallët e Ministrisë së Industrisë ndërsa aty lanë parullat me të cilët protestuan ndaj ministres Hajdari.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat