Gjykata Komerciale cakton gjykatësin që do të merret me rastin e Klan Kosovës

Aktuale

Gjykata Komerciale cakton gjykatësin që do të merret me rastin e Klan Kosovës

Më: 2 gusht 2023 Në ora: 13:09
Klan Kosova

Gjykata Komerciale dje ka pranuar dosjen e Klan Kosovës dhe për t’u marrë me të “sipas procedurave të gjykatës” është caktuar edhe gjyqtari.

Zëdhënësja e Gjykatës Komerciale, Albënora Bekteshi- Hoti, në një përgjigje ka thënë se vendimi lidhur me çështjen e Klan Kosovës do të merret brenda afatit tre ditor, pra deri më 4 gusht.

“Ju njoftoj në Gjykatën Komerciale të Kosovës, përkatësisht Dhomat e Shkallës së Parë më 1 gusht 2023, është pranuar padia për anulimin e vendimeve kontestuese dhe kërkesa për shtyrjen e ekzekutimeve të tyre. E njëjta sipas procedurave të gjykatës i është ndarë gjyqtarit të  Dhomave të Shkallës së Parë, dhe vendimi lidhur me këtë çështje do të merret brenda afatit ligjor prej tre (3) ditëve siç përcaktohet me dispozitën e nenit 27 paragrafi 1 të Ligjit për Gjykatën  Komerciale”, ka thënë ajo.

Në Dhomat e Shkallës së Parë janë gjithsej 11 gjyqtarë, pra njëri prej tyre do të merret me rastin e Klan Kosovës, mirëpo pavarësisht insistimit të medias që ta marrë vesh emrin e gjyqtarit, Bekteshi- Hoti tha se nuk mund ta tregojë.

Por në rast se deri më 4 gusht nuk merret vendimi për masën e sigurisë ndaj Klan Kosovës, Ehat Miftaraj nga IKD, thotë se Klani duhet të mbyllet.

“Arsyeja pse kërkohet masë e sigurisë është që të parandalohen dëmet që janë të pariparueshme për kompaninë e caktuar. Në rastin konkret nëse gjykata nuk vendos masë të sigurisë, kjo nënkupton që Klan Kosova duhet të mbyllet, gazetarët, kameramanët, i gjithë stafi duhet të shkojnë te shtëpia. Pra një media, një biznes që ka operuar qe 15 vjet duhet të pezullojë aktivitetin derisa të vendosë gjykata, që mund të marrë 2-3 vite”, ka thënë Miftaraj.

Juristja e medias, Flutura Kusari, sot ka treguar kronologjinë e tentativës për mbylljen e Klan Kosovës.

Ajo ia listuar të gjitha hapat e qeverisë një nga një, për mbylljen e Klan Kosovës

Ndërkaq, në shenjë proteste, dje gazetarët nga të gjitha mediet kanë bojkotuar konferencën e thirrur nga ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari.

Kush janë gjyqtarët e Dhomave të Shkallës së Parë në Gjykatën Komerciale?

Meqë emrin e gjyqtarit që është caktuar në rastin e Klan Kosovës nuk e bëri të ditur zëdhënësja e Gjykatës Komerciale, më poshtë gjeni listën e të gjithë gjyqtarëve që janë në Dhomat e Shkallës së Parë:

Alajdin Tërshnjaku;

Arben Toska;

Arbër Rexha;

Arnis Dumani;

Fisnik Nuli;

Florent Zeqiri;

Gent Bekeri;

Hasan Kryeziu;

Vera Gashi Bala;

Verona Dibra;

Vlora Pacolli Rexhepi.

Reagimet

Për këtë vendim të MINT-it (pezullimin e licencës së biznesit të Klan Kosovës)  ka pasur shumë reagime, një ndër to ka qenë edhe presidentja Osmani.

Ajo ka kërkuar që çështja e licencës së televizionit të bëhet “duke zbatuar ligjin, pa ndërhyrje, bazuar në parimet e paanshmërisë dhe integritetit”.

“Liria e mediave nuk është privilegj, por një e drejtë themelore që mbështet funksionimin e një shoqërie demokratike. Është detyrë e secilit në shoqërinë tonë që ta vlerësojmë lirinë e mediave, ta mbrojmë atë dhe të krijojmë kushte për të, në përputhje me kornizat e përcaktuara me Kushtetutën dhe ligjet e Republikës sonë”, thuhet në një komunikatë për media të presidencës.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës është shprehur i “alarmuar” me vendimin e Komisionit të Ankesave për të refuzuar ankesën e televizionit Klan Kosova, duke e cilësuar atë si të “motivuar politikisht” nga Qeveria e kryeministrit Albin Kurti.

“AGK-ja beson se ky proces që nga fillimi ka qenë i motivuar politikisht nga partia në pushtet dhe Qeveria e Kryeministrit Kurti, në përpjekje për të mbyllur televizionin më të madh privat në vend. Vendimi i sotëm i ministrisë së udhëhequr nga ministrja Hajdari konfirmon luftën e hapur dhe të paprecedent të kësaj qeverie, kundër medieve, si paralajmërim që edhe të tjera medie do të jenë cak i sulmeve”, thuhej në një reagim të asociacionit.

Ndaj këtij vendimi ka reaguar edhe sekretar i përgjithshëm i Federatës së Gazetarëve Evropianë (FGE), Ricardo Gutierrez, i cili shkroi në Twitter se Kosovën e kanë mbuluar “ditë të zeza të censurës shtetërore”, dhe se Qeveria më në fund “korri sukses në mbylljen” e Klan Kosovës.

“Qeveria e Albin Kurtit po e zhyt vendin në liberalizmin më konservator, duke i përbuzur plotësisht vlerat e BE-së”, shkroi Gutierrez.

Ambasadat e Francës, Gjermanisë, Italisë, Britanisë së Madhe, Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimi Evropian në Kosovë, kanë shprehur shqetësim, siç kanë thënë, të thellë, me vendimin e Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë për ta konfirmuar pezullimin e licencës së biznesit të televizionit Klan Kosova.

“Ne jemi, në veçanti, të shqetësuar me heqjen e licencës së biznesit të Klan Kosovës me një vendim joproporcional, i cili do të ketë pasoja në pluralitetin e medias në Kosovë”, thuhet në një komunikatë të përbashkët të QUINT-it dhe BE-së të premten vonë.

Për vendimin e MINT-it kanë reaguar edhe krerët e partive opozitare. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat