Osmani për zgjedhjet në veri: Po krijohet një lloj paqartësie që po lidhet me referendumin

Aktuale

Osmani për zgjedhjet në veri: Po krijohet një lloj paqartësie që po lidhet me referendumin

Më: 4 gusht 2023 Në ora: 14:06
Vjosa Osmani

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka vizituar komunën e Istogut në kuadër të ciklit të vizitave nëpër komunat e Kosovës.

Në një konferencë për media ajo ka folur edhe për shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme në katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës.

Ajo ka theksuar se janë dy mundësi për t’i çuar këto komuna në zgjedhje të parakohshme. Sipas saj, njëra është që kryetarët aktualë të japin dorëheqje dhe tjetra është që qytetarët përmes peticionit të kërkojnë largimin e tyre.

“Ju e dini që menjëherë pas tensionimit të situatës në veri, në takimet që kam pasur me kancelarin Scholz dhe presidentin Macron dhe në komunikimin me ShBA-në kam propozuar si zgjidhje, zgjedhjet e parakohshme, ato janë të mundshme sipas ligjeve të Republikës së Kosovës”, ka thënë ajo.

“Nëse kryetarët japin dorëheqje ose nëse qytetarët kërkojnë largimin e tyre përmes peticionit. Po krijohet një lloj paqartësie që po lidhet me referendumin, por kjo nuk ka farë të bëjë me referendumin. Quhet kategori e largimit të kryetarit”, ka shtuar ajo.

Sipas saj, kjo çështje është e rregulluar me ligj dhe krejt çka duhet është që çështjet teknike të afateve të rregullohen.

“Ky peticion duhet të vijë nga votuesit e regjistruar. Të gjitha këto çështje janë të thjeshta dhe krejt çka duhet është vullnet”, ka thënë më tutje presidentja.

Ajo po ashtu ka kërkuar që Serbia ta dëshmojë që nuk do të ndërhyjë ilegalisht në zgjedhje që mbahen në komunat e Republikës së Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat