Telekomi ia trashë kuletën biznesmenit Bujar Shabani - I paguan rreth 16 mijë euro qera mujore

Aktuale

Telekomi ia trashë kuletën biznesmenit Bujar Shabani - I paguan rreth 16 mijë euro qera mujore

Më: 10 gusht 2023 Në ora: 17:11
Bujar Shabani

Kuleta e biznesmenit ferizajas Bujar Shabani po vazhdon të pasurohet. 

Së fundmi në llogarinë e tij do të derdhen edhe rreth 190 mijë euro në vit nga Telekomi i Kosovës. Pasi që kompania e tij “Bageri” ka lidhur një kontrata me Telekomin për dhënien në shfrytëzim të një objekti që ndodhet në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë.

Qeraja për këtë objekt është rreth 16 mijë euro në muaj.

Kompania “Bageri” e cila është pronë e biznesmenit Bujar Shabani ka dhënë me qera Telekomit të Kosovës një objekt që ndodhet në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë. Qeraja për këtë objekt është rreth 16 mijë euro në muaj.

Këtë e ka konfirmuar edhe vetë biznesmeni Bujar Shabani.

“Po. Objektin e kemi që 10 vite dhe ia kemi dhënë Telekomit për shfrytëzim që 1 vite e gjysmë”, tha shkurt biznesmeni Shabani.

Gazeta ka kërkuar edhe informata shtesë nga Telekomi i Kosovës lidhur me shfrytëzimin e këtij objekti dhe detajet e kontratës.

Edhe nga Telekomi kanë konfirmuar se objekti është pronë e N.P.SH. “Bageri”, me pronar Bujar Shabani.

Nga përgjigjet e dhëna nga Telekomi bëhet e ditur se qeraja mujore e objektit është 15 mijë e 560 euro.

“Qiraja për këtë objekt është 15,560.66€/muaj (në këtë shumë përfshihet TVSH 18% dhe tatimi në qira 9%)”, thuhet në përgjigjen e Telekomit.

Gazeta ka pyetur Telekomin se përse kanë zgjedhur këtë objekt duke pas parasysh se kanë pranuar edhe oferta tjera nga të tjerë operator.

Sipas tyre, objekti është zgjedhur pasi komisioni ka vlerësuar se ka qenë oferta më e përshtatshme dhe për shkak të lokacionit.

“Një komision intern, kompetent, i ka shqyrtuar të gjitha ofertat dhe e ka përzgjedhur këtë objekt si më të përshtatshëm për biznesin tonë, pra që ofron kushte të përshtatshme për stafin, ndodhet në një pikë strategjike të qytetit, afër me objektin paraprak (çka mundëson orientim dhe qasjen shumë të lehtë për konsumatorët) dhe sidomos objekti është i përshtatshëm për pozicionimin e brendit dhe promovimin e  produkteve dhe shërbimeve të Telekomit të Kosovës”, thuhet në përgjigjen nga Telekomi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat