Kryeziu e quan skandaloze deklaratën e Stanos, i cili tha se Kosova s’pati “sjellje evropiane”

Aktuale

Kryeziu e quan skandaloze deklaratën e Stanos, i cili tha se Kosova s’pati “sjellje evropiane”

Më: 11 gusht 2023 Në ora: 19:05
Arbëreshë Kryeziu

Deputetja nga radhët e Vetëvendosjes, Arbëreshë Kryeziu, e quan të pamatur dhe skandaloze deklaratën e zëdhënësit të BE-së, i cili tha se ndaj Kosovës u vendosën masa pasi që pati “mungesë të sjelljes evropiane”.

Madje, Kryeziu i cilëson jo sjellje evropiane edhe masat e BE-së karshi Kosovës.

“Për mua sjellje jo-evropiane ka qenë vetë deklarata e Peter Stanos, dje, por edhe veprimet në vazhdimësi të Bashkimit Evropian karshi Republikës së Kosovës dhe qasja jo e barabartë që është treguar në faza të ndryshme gjatë procesit. Sidomos deklarata e djeshme e Stanos besoj që ka ngjallë shumë reagime të shumta edhe brenda nivelit ndërkombëtar, sepse ka qenë definitivisht një deklaratat e pamatur, dhe jo një deklaratë që do të duhej t’i ngjante frymës evropiane aq më tepër tash që jemi në një proces kur palët pritet t’i rikthehen dialogut dhe të vazhdojnë”, tha ajo.

Kryeziu thotë se BE do të duhej të vendoste masa ndaj Serbisë, pasi që sipas saj, shteti serb ka bërë shkelje dhe nuk i ka përmbushur obligimet e Marrëveshjes së Ohrit.

“Nuk e di se si ta komentojmë ndryshe këtë deklaratë tepër skandaloze dhe të pamenduar mirë për mendimin tim, sepse nëse do të duhej dikujt t’i vendoseshim masa-sanksione ose t’i tërhiqej vëmendja ose t’i bëhej presion për shkak të mos përmbushjes së obligimeve ka qenë vetë Serbia, e cila në vazhdimësi qoftë i ka shkelur ose nuk i është përmbajtur marrëveshjeve”, tha deputetja.

Sipas saj, nuk ka qenë Kosova, ka qenë Serbia ajo që nuk ka pasur sjellje evropiane, madje thotë se “ndoshta zotëri Stano është ngatërruar dhe ka dashur t’ia adresojë këtë mesazh Serbisë”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat