​A mund të ndikojë letra e ligjvënësve evropianë e amerikanë?

Aktuale

​A mund të ndikojë letra e ligjvënësve evropianë e amerikanë?

Më: 12 gusht 2023 Në ora: 12:40
Pamje nga Brukseli

Letra e diplomatëve dhe deputetëve evropianë e amerikanë në mbështetje të Kosovës nuk mund të ndryshojë totalisht vendimmarrjen e Bashkimit Evropian, ShBA-së dhe Britanisë së Madhe në dialog, por institucionet kosovare duhet ta shfrytëzojnë këtë momentum për zvogëlim të hendekut në qëndrime me aleatët, thonë përfaqësuesit e shoqërisë civile dhe analist politikë.

Sipas tyre, letra e ligjvënësve, ku kërkohet qasje më e ashpër ndaj Serbisë mund të ketë ndikim të butë në ndryshim të strategjisë së BE-së dhe ShBA-së, por është hap i mirë që nxitë debat në BE dhe ShBA sesi po afektohet dialogu Kosovë-Serbi nga veprimet që ata i marrin.

Hulumtuesi në Grupin për Studime Juridike dhe Politike (GLPS), Arbër Fetahu, thotë për KosovaPress se letra e nënshkruar nga dhjetë kryetarë të komisioneve për punë të jashtme dhe 56 deputetë është e mirëpritur për Kosovën, por në planet afatgjate të politikës së jashtme e BE-së dhe ShBA-së nuk mund të ketë ndryshime ad-hoc veçse po kërkohet nga disa ligjvënës.

“Nuk mund të presim që me një letër të tillë të ndryshojë totalisht vendimmarrja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian, pasi në fund të fundit ligjvënësit nuk janë vendimmarrës. Nuk është administrata amerikane që e ka shkruar këtë letër dhe ka thënë që është duke vepruar gabimisht ose nuk ka njerëz nga vija zyrtare e administratës që kanë dal publikisht për të kërkuar ndryshimin e qasjes. Mund të ketë ndikim të butë në ndryshim të strategjisë, por është hap i mirë që e nxitë një debat edhe në BE dhe ShBA sesi po afektohet dialogu Kosovë-Serbi nga veprimet që ata po i marrin. Kur ka kundërshti të tilla gjithmonë mund të ketë opsione që të ndryshohet në nuanca strategjia ose në qasje. Planet afatgjate të politikës së jashtme amerikane dhe të BE-së nuk mund të ndryshohet ad-hoc ose me një kërkim të një letre, por mund të ndryshohet nëse njëmend strategjia është duke dështuar në rajon dhe Kosovë dhe Serbi”, thotë ai.

Në anën tjetër, analisti politik, Dorajet Imeri kërkon nga institucionet kosovare të shfrytëzojë mbështetjen nga ligjvënësit evropianë dhe amerikanë për të ndikuar në përafrim të qëndrimeve me aleatët, sidomos ngjarjeve në veri të vendit.

“Një mesazh i tillë i këtyre diplomatëve natyrisht se do të duhej të shfrytëzohej nga Kosova, aq më tepër kur diplomacia e vendit nuk është në nivelin e duhur të saj. Natyrisht një zë ndryshe dhe një artikulim kaq i drejtpërdrejtë do të duhej të shihej si një moment i ndryshimit të rrethanave që po kalojnë raportet tona. Natyrisht duke njohur këtë raport që Kosova ka me Serbinë një thirrje tillë besoj se do të zgjojë dhe reagime në strukturën politike serbe, të cilën veçse kanë filluar të marrin me shqetësim këtë ri pozicionim të Bashkimit Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Këta diplomatë dhe politikanë nuk janë të rastësishëm dhe roli i tyre në vendimmarrjen evropiane është relativisht e madhe”, deklaron ai.

Kërkesë të njëjtë ka edhe Fetahu nga GLPS, i cili thotë se Qeveria e Kosovës nuk duhet të vet mjaftohet vetëm me mbështetjen disa deputetëve perëndimor, por duhet të ushtrojë dialog direkt me faktorin vendimmarrës në BE dhe ShBA.

“Qeveria e Kosovës këtë mund të shfrytëzojë në mënyrë pozitive në disa rrafshe. Së pari duhet të ushtrojë një dialog direkt me vendimmarrësit në ShBA dhe vendet e Bashkimit Evropian për të zvogëluar hendekun në qëndrime për të mos shkuar gjithmonë në qasjen se ne kemi të drejtë por po na bëhet padrejtësi. Të shkohet për të gjetur hapësira bashkëpunuese me pro aktivitet dhe konstruktivitet, qoftë duke bërë edhe disa kapërcime në aspekte teknike në de përshkallëzimin e situatës. Po ashtu për ta vënë në dukje se Serbia është pala jokonstruktive dhe bllokuese”, thekson ai.

Javën e kaluar, diplomatë dhe politikanë kanë drejtuar letër ShBA-së, BE-së dhe Mbretërisë së bashkuar për qasje të barabartë ndaj Kosovës dhe Serbisë.

Kjo është mirëpritur nga kryeministri Albin Kurti, i cili për KosovaPress tha se e njëjta është e dobishme për Kosovën.

Letrën e ka pranuar edhe përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për politikë të jashtme, Josep Borrell, këtë e ka konfirmuar zëdhënësi i BE-së, Peter Stano.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat