Halitaj: Dëshmia e Abrahamsit në Hagë të merret si rast studimi në gazetari

Aktuale

Halitaj: Dëshmia e Abrahamsit në Hagë të merret si rast studimi në gazetari

Më: 7 shtator 2023 Në ora: 16:20
Agron Halitaj

Gazetari, Agron Halitaj, duke ju referuar dëshmisë së Fred Abrahamsit pranë Dhomave të Specializuara në Hagë, në procesin e gjykimit të ish-krerëve të UÇK-së, ka shkruar se secili raportues dhe gazetar duhet që të jetë i kujdesshëm gjatë raportimit të tij.

Në këtë rast, zyrtari i organizatës ndërkombëtare joqeveritare që kryen kërkime dhe avokon mbi të drejtat e njeriut – Human Rights Watch,  Abrahams,  pas pyetjeve të avokatit të Veselit, Ben Emmerson ka pranuar se ka gabuar që e ka ngarkuar UÇK-në për një krim lufte duke u mbështetur vetëm në pretendimet dhe propagandën e Serbisë.

“Secili raportues, në cilëndo organizatë, si dhe secili gazetar, duhet ta kenë parasysh se nëse shkruajnë pa u mbështetur në fakte, vjen dita kur dikush profesionalisht i sfidon dhe ua rrënon autoritetin që kanë fituar gjatë gjithë karrierës. Kjo i ndodhi Fred Abrahamsit, raportuesit të njohur të një organizate shumë kredibile, siç është Human Rights Watch, i cili u shtrëngua ta pranoj se ka gabuar që e ka ngarkuar UÇK-në për një krim lufte duke u mbështetur vetëm në pretendimet dhe propagandën e Serbisë”, ka shkruar Halitaj.

Ai tha se kjo dëshmi duhet të merret si shembull shtesë në studimet për gazetari kudo në botë.

“Intervistimi i Abrahamsit, nga Ben Emmersoni në Gjykatën Speciale në Hagë, duhet të merret si shembull shtesë në studimet për gazetari, kudo nëpër botë, se asnjëherë dhe në asnjë rrethanë nuk duhet shkruar apo deklaruar diçka që dikë e rëndon me akuzat për vrasje, kriminalitet, korrupsion, dhunë, imoralitetet, apo çfarëdo qoftë tjetër, nëse së pari nuk e mbështet në fakte dhe, së dyti, nëse faktet nuk i ke të verifikuara”.

Halitaj tha asnjëherë nuk duhet të bëhet kompromis me të vërtetën dhe gjithmonë duhet të kërkohet saktësi në raportim.

“Nuk bën ta ngarkosh askënd me veprat apo fajet që s’i ka bërë – duke u mbështetur në pretendime të gabuara – e pastaj të kthehesh e ta pranosh se është dashur të shkruash ndryshe. Kur zihesh ngushtë, ti edhe mund të përpiqesh të shfajësohesh, por tjetri për të cilin ke raportuar veçse i ka bartur pasojat apo është duke i bartur ato. Asnjëherë nuk duhet të bëhet kompromis me të vërtetën, por, gjithmonë, gjithmonë, gjithmonë … dhe gjithmonë duhet të kërkohet saktësia në raportim”, ka shkruar Halitaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat