Tri komunat veriore ende nuk kanë bërë kërkesë zyrtare për t’iu bashkuar Asociacionit të Komunave të Kosovës

Aktuale

Tri komunat veriore ende nuk kanë bërë kërkesë zyrtare për t’iu bashkuar Asociacionit të Komunave të Kosovës

Më: 16 shtator 2023 Në ora: 18:34
Sazan Ibrahimi

Një muaj më parë, Komuna e Mitrovicës së Veriut është anëtarësuar në Asociacion e Komunave të Kosovës (AAK). Një gjë të tillë pritet ta bëjnë edhe tri komunat e tjera veriore, Leposaviqi, Zubin Potoku e Zveçani pasi kuvendet e tyre komunale tashmë kanë dhënë dritën jeshile.

Tri kuvendet komunale kanë votuar pro bashkimit të këtyre komunave në AKK, ndërsa tani pritet që të shqyrtohet ligjshmëria e këtyre vendimeve në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal.

Për procedurat e anëtarësimit ka folur në një prononcim për Telegrafin drejtori ekzekutiv i AKK-së, Sazan Ibrahimi.

Këto vendime të kuvendeve komunale që janë marrë në komunat përkatëse, duhet të shkojnë për shqyrtim të ligjshmërisë në Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal. Pas shqyrtimit të ligjshmërisë së atyre vendimeve, kryetarët e atyre komunave e dorëzojnë kërkesën zyrtare në Asociacionin e Komunave të Kosovës për anëtarësim, e pastaj Bordi merr vendim se kur duhet të thirret Kuvendi i jashtëzakonshëm”, ka thënë Ibrahimi.

Ai tutje ka bërë të ditur se ende nuk kanë pranuar kërkesë zyrtare nga këto tri komuna.

Në fund, Ibrahimi ka shtuar se AKK-ja është organizatë vullnetare dhe se misioni i tij është mbrojtja e interesit të komunave ndaj nivelit qendror.

AKK-ja nuk ka të bëjë me politikën. Pra, nuk jemi mekanizma politikë dhe misioni ynë është mbrojtja e interesit të komunave ndaj nivelit qendror. Asociacioni i Komunave është organizatë joqeveritare, e cila i mbron interesat e komunave. Është organizatë vullnetare e themeluar bazuar në Kartën Evropiane mbi Vetëqeverisjen Lokale dhe çdo komunë e Kosovës ka interes të anëtarësohet në AKK”, ka përfunduar ai.

Këto komuna nuk kanë qenë pjesë e Asociacionit të Komunave të Kosovës më parë, pasi që ishin duke u udhëhequr nga partitë serbe, ndërsa nga zgjedhjet e fundit që u mbajtën atje, komunat veriore po udhëhiqen nga kryetarët shqiptarë.

Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovë – e ka kundërshtuar vendimin e komunave veriore për t’iu bashkuar AKK-së, duke thënë se “ai nuk është në përputhje me kërkesat e serbëve lokalë”, dhe se si i tillë “do të vazhdojë ta përshkallëzojë situatën në veri të Kosovës”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat