Serbia deshi t’i varroste terroristët e Banjskës atje, familjarët s’pranuan sepse “ndihen të tradhtuar” nga shteti serb

Aktuale

Serbia deshi t’i varroste terroristët e Banjskës atje, familjarët s’pranuan sepse “ndihen të tradhtuar” nga shteti serb

Më: 30 shtator 2023 Në ora: 16:21
Foto nga vendi i ngjarjes

Tre terroristë serbë u vranë të dielën që lamë pas në Banjskë të Zveçanit, kur një grup prej rreth 30 personash vrau rreshterin e Policisë së Kosovës, Heroin Afrim Bunjaku.

E gati një javë pas sulmit, trupat e tyre sot janë tërhequr nga Instituti i Mjekësisë Ligjore të Kosovës nga pjesëtarë të familjeve të tyre.

Dy nga terroristët do të varrosen në Kosovë, gjegjësisht në Leposaviq, ndërsa i treti në Vërnjaçka Banja në Rashkë të Serbisë.

Ndërkaq, burime tregojnë se Serbia u ka kërkuar familjeve të tre të vrarëve që trupat e pajetë t’i dërgojnë në Serbi për varrim.

“Serbia u ka kërkuar familjarëve që, pas tërheqjes së trupave të tre terroristëve nga IML-ja, trupat e pajetë të tyre t’i dërgojnë në Serbi për varrim”, ka thënë një burim klanit.

Megjithatë, burimi ka thënë se familjarët e kanë refuzuar këtë kërkesë me arsyetimin se “janë ndjerë të tradhtuar nga shteti serb”.

Gjithnjë sipas këtij burimi, ideja prapa dërgimit të trupave në Serbi pas tërheqjes nga IML-ja në Kosovë, ka qenë që shteti serb “të bëjë filma” me këtë rast.

Pas rastit të 24 shtatorit, pati reagime të shumta ndërkombëtare. Dje Shtëpia e Bardhë reagoi pasi tha se Serbia ka vendosur trupa ushtarake në numër të madh përreth kufirit me Kosovën.

Koordinatori për komunikime strategjike në Këshillin e Sigurisë Kombëtare të ShBA-së, John Kirby, shprehu shqetësimin e Uashingtonit, për siç tha, “dislokimin e madh” të trupave të Serbisë përgjatë kufirit me Kosovën.

“Ne do të monitorojmë dislokimin e madh serb përgjatë kufirit me Kosovën. Ne i bëjmë thirrje Serbisë të tërheqë forcat nga kufiri dhe të vazhdojë të ulë tensionet”, tha Kirby gjatë një bisede me gazetarë më 29 shtator.

Kirby u pyet nëse ky grumbullim i trupave ushtarake pranë kufirit është sinjal se Serbia po përgatitet për ndonjë pushtim ushtarak.

“Po e shikojmë, po e vëzhgojmë. Por, qëllimi [i grumbullimit të trupave ushtarake serbe], nuk mund ta them tani”, tha ai.

Megjithatë, Kirby tha se “madhësia” e trupave të grumbulluara është destabilzuese.

Shqetësim shprehu edhe BE-ja përmes shefit të diplomacisë së jashtme, Josep Borrell, i cili po ashtu kërkoi tërheqjen e trupave ushtarake serbe nga kufiri me Kosovën.

NATO-ja tha se është autorizuar për dërgim të trupave shtesë në Kosovë, ndërsa edhe Britania e Madhe tha se e ka autorizuar NATO-n që të shfrytëzojë një batalion në rast se nevojitet për ta dërguar atë në Kosovë. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat