Përfundon seanca e sotme ndaj Thaçit dhe të tjerëve, Halitjaha vazhdon dëshminë të enjten

Aktuale

Përfundon seanca e sotme ndaj Thaçit dhe të tjerëve, Halitjaha vazhdon dëshminë të enjten

Më: 13 nëntor 2023 Në ora: 07:26 Përditësuar në ora: 19:56 më 13.11.2023
Hashim Thaçi dhe Rexhep Selimi në Hagë

Përfundon seanca e sotme ndaj Thaçit dhe të tjerëve, Halitjaha vazhdon dëshminë të enjten

Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) përfunduar për ditën e hënë dëshmia e dëshmitarit Sadik Halitjaha, i cili marrjen në pyetje nga pala mbrojtëse dhe eventualisht edhe nga trupi gjykues, do ta vazhdojë ditën e enjte, ndërsa nesër dhe pasnesër do të dëshmojë një dëshmitar tjetër i Prokurorisë.

Ky dëshmitar dëshminë e ditës së sotme e ka përfunduar duke u pyetur nga mbrojtësi i Kadri Veselit, avokati Bn Emmerson, lidhur me ekzistimin apo jo të Gjykatës së shkallës së dytë të UÇK-së.

Sipas dëshmitarit Halitjaha, nuk ka pasur gjykatë të shkallës së dyte.

“Strukturë fizike, gjykata dhe burgje nuk kemi pasur, edhe kjo nuk ka mundur të ndodhë derisa Kosova nuk ka pasur Parlament për t’i aprovuar ligjet. Ato ligje që janë përdorur para lufte në Kosovë kanë qenë ligje të pushtuesit që na e kemi luftuar, s’kena mundur të gjykojmë me ligjet e pushtuesit se ndoshta kishim gjetur avokat me përvojë dhe gjykatës të asaj kohe, gjatë pushtimit që kanë punuar. Pra nuk ka pasur, ka qenë vetëm tentativë dhe kërkesë për t’u bërë diçka e tillë në një kohë të caktuar”, tha ai.

Ndryshe, për ditën e martë dhe mërkure seancat në rastin Thaçi dhe të tjerët kanë ndërruar edhe kohën e fillimit, ato do të fillojnë nga ora 15:00.

Halitjaha pyetet për SHIK-un dhe ZKZ-në, thotë se nuk janë të njëjta

Mbrojtja e Kadri Veselit, përmes avokatit Ben Emmerson ka pyetur dëshmitarin Sadik Halitjaha lidhur me Shërbimin Informativ të Kosovës (SHIK) dhe ZKZ-në se çfarë janë, e për të cilët tha se nuk janë të njëjta.

“SHIK do të thotë Shërbimi Informativ i Kosovës dhe ZKZ do të thotë Zbulim dhe Kundër Zbulim, është të zbulosh armikun dhe të kundërzbulosh qëllimet e armikut ndaj nesh”, tha Halitjaha.

Halitjaha tha se ZKZ-ja ka qenë në zonën ku ka udhëhequr ai, ka filluar në janar të 1999-ës.

“Të jemi të qartë se ZKZ-ja ka fillu domethënë në zonën teme po flas për mua në janar të ‘99 dhe ka funksionu shumë e çaur sepse nuk ka pas strukturë sa duhet dhe nuk ka funksionu sa duhet, por efiktiviteti dhe detyrat e saj kanë qenë për ne të vlefshme shumë. Kanë zbulu njësitë armikut, llojet e armeve, pozicionet e armikut, mendimet e armikut kur do të sulmojë armiku, si do të depërtojë apo kohën kur do të ketë beteja. Kjo ka qenë detyra e ZKZ-së”, tha Halitjaha.

Duke iu drejtuar avokatit Emmerson, dëshmitari tha se sa i përket SHIK-ut, mund ta pyes të mbrojturin e tij, Kadri Veselin.

“Sa i përket Shërbimit Informativ apo si e quani ju SHIK, unë nuk kam lidhje me atë Shërbim, nuk kam pas asnjë qasje. Ajo ka ndodhë mas shpërbërjes së UÇK-së, është folë që ka pas Shërbim Informativ për këtë mund t’ju tregoj më mirë atë që mbroni ju, Kadri Veseli”, tha dëshmitari Halitjaha.

Tutje, ai tha se Emmerson po dëshiron që ta vë në provim atë, mirëpo sipas tij ai është në provim vetëm para trupit gjykues.

“Shërbimi informativ i Kosovës sikur shërbimet tjera. Shërbimi Informativ i Shqipërisë- SHISH, siç është Shërbimi Informativ Ushtarak i Shqipërisë- SHIU. Ju këto i dini z. avokat, sigurisht që po doni të më vëni në provim, në provim jam para gjykatësve dhe jo para juve”, tha dëshmitari.

Sadik Halitjaha tha se sa më shpejt që të dalë e vërteta në këtë çështje, të akuzuarit që i mbajnë në Hagë do të shkojnë në shtëpi.

“Jam këtu që të dalë e vërteta edhe vetëm e vërteta. Sa më shpejt që të del e vërteta këta djem nuk i mbani këtu dhe shkojnë në shpi”, tha Halitjaha.

Dëshmitarit Halitjaha i prezantohet një video e qershorit të ‘99, i kërkohet identifikim i disa personave

Zyra e Prokurorit të Specializuar përmes prokurorit James Pace i prezantoi dëshmitarit një video e cila është bërë në qershor të vitit 1999 si dhe iu kërkua që të bëjë identifikimin dhe shënjimin e disa personave në pamje.

Dëshmitari tha se kjo video është bërë në Prizren pak ditë pas çlirimit të qytetit.

“Prizren. Si duket është dita e dytë e çlirimit të Prizrenit. Jemi para kuvendit komunal tek komuna e vjetër tek ish-komuna. Unë kam hy me 11 qershor kjo mund të jetë me 13 qershor 1999”, tha dëshmitari Halitjaha.

Dëshmitarit iu kërkua që të bëjë identifikimin e njërës prej pamjeve që ishin në videon e prezantuar.

“Isuf Krasniqin. Nuk i njoh ushtarët të gjithë, kanë ndryshu shumë. Shifet që unë jam këtu nuk i njoh të tjerët”, tha dëshmitari duke bërë edhe shenjim me ‘1’ të Isuf Krasniqit dhe me ‘2’ të pamjes së tij.

Në një pamje të tjetër, Halitjaha tha se kanë qenë në pritje të Tahir Sinanit dhe Famir Limajt.

“Ishim të gëzuar. Si duket kjo ka qenë 1 ditë me vone më vonë diku Me 14 ose 15 qershor. Kemi qenë në pritje të Tahir Sinanit dhe Fatmir Limes që kanë ardhur për herë të parë në Prizren atë ditë pas çlirimit”, tha dëshmitari duke bërë shënjim me ‘1’ të Tahir Sinanit dhe me ‘2’ të Fatmir Limajt.

Megjithatë pamja e tretë për të cilën dëshmitarit iu kërkua që të shënjonte personat që njhte, ai tha se ishte së bashku me Famir Limajn.

“Unë isha tu u përshëndet me Famir Limjan”, tha dëshmitari duke shënjuar vetën e tij me ‘1’ dhe Fatmir Limajn me numër ‘2’.

Ndërsa, lidhur me rastin e Jakup Muharremit, dëshmitari tha se ai i ka thënë se përveç Skender Hoxhës, në keqtrajtim ka marrë pjesë edhe Sabedin Hysenaj.

“Ka qenë Sabedin Hysenaj. Me ka ardh e çuditshme që të përfshihet një akademik në një veprim të ulët”, tha Sadik Halitjaha.

Ndryshe, video e prezantuar nga prokurori Pace u pranua si provë materiale së bashku me tri fotografitë të cilat i shenjëzoi dëshmitari.

Pas kësaj, me disa pyetje shtesë prokurori James Pace i ka përfunduar pyetjet për dëshmitarin Sadik Halitjaha.

Pyetjet për dëshmitarin Halitjaha i ka filluar mbrojtja e Kadri Veselit përmes avokatit Ben Emmerson.

“Na kanë shkoq me dru e ne mos t’ia themi as emrin?”/ Halitjahës i kërkohet që të mos përmend emra

Gjatë dëshmisë së tij, dëshmitarit Sadik Halitjaha iu është prezantuar një listë me emrat e disa personave, por që prokurori James Pace kërkoi nga ai që të mos t’i referohet asnjë emri.

“Si mos ta thojmë emrin z.Prokuror që këta na kanë rreh, na kanë shkoq me dru e ne mos të ia thojmë as emrin. Ka vdek ky majmun (Personi me  numrin 54 në listë). Jo se ka qenë 10 vite sekretar i Sekretariatit Sekret të Prizrenit”, tha Sadik Halitjaha.

Halitjaha u pyet edhe për disa persona të tjerë që mbanin numra rendorë në listë për të cilët tha se kanë qenë funksionar në ish-Jugosllavi.

“E vërtetë që personi me numrin 58 ka qenë polic i Policisë Serbe edhe që ka qenë shqiptar. (Personi me numrin 53) Ka punuar në shërbimin sekret jugosllav në Prizren, me numër 53”, tha dëshmitari.

Ndërsa Pace kërkoi që të kalohet në seancë private për të vazhduar me disa pyetje, gjë e cila u aprovua nga kryetari i trupit gjykues.

Halitjaha: Adem Demaçin e kam pas idoll, pa lejen e tij nuk kemi dhënë intervista

Dëshmitari Sadik Halitjaha gjatë dëshmisë së tij tha se Adem Demaçi e ka pasur idoll për arsyeje se e ka ditur që ai është duke e drejtuar luftën.

Halitjaha tha se pa lejen e Demaçit as nuk janë takuar me gazetarët dhe as nuk kanë dhënë intervista, duke treguar edhe se si ka funksionuar zingjiri komandues nga Shtabi i Përgjithshëm deri në nivel të zonave.

“Nga Shtabi i përgjithshëm nuk kemi pas urdhra me shkrim. Nuk kemi pas protokolle në mes Zonës dhe Shtabit të Përgjithshëm. Nga niveli i Zonës deri në nivelin e Skuadrës është punuar me rregullore sepse rregulloret i kanë nxjerrë zonat. Rregulloret i kemi bërë ne, unë dhe Halil Cadraku me Esniçin Vesel Maliqin dhe kështu ka funksionuar zingjiri komandues, po të kishte urdhra të cilat do qofshin ato nga Shtabi i Përgjithshëm sepse ne kemi pritë më shumë nga Adem Demaçi se për mua ka qenë idoll Adem Demaçi se e kam ditë që ai është t’u e drejtu luftën. Ai ka thënë që të mos takohemi me gazetarë pa lejen e tij, nuk jemi taku nuk kemi dhënë intervista pa lejen e tij. Çdo gjë e kom pritë dhe e kemi pritë të gjithë nga ai. Përndryshe, nuk ka pas urdhër protokollues nga asnjëra palë. Zingjiri komandues në nivel zone deri në skuadër a shku shumë mirë”, tha Sadik Halit Jaha.

Përpara kësaj, prokurori James Pace i bëri pyetje dëshmitarit edhe nga libri që ky i fundit kishte shkruar për UCK-në.

“Fillon me LPRK-në me të drejtë e quan vetën si embrion i lindjes së UÇK-së pasi që me një vendim  të mbledhjes se tretë të përgjithshme të muajit tetor ’93 u morën vendime dhe u caktuan përgjegjësi për krahun e armatosur. Azem Syla përgjegjës për organizimin Shqipëri-Kosovë, Xhavit Haliti mori përgjegjësi lidhur me ndërlidhjen diplomatikë në mes Shqipërisë dhe aleatëve perëndimor si dhe me LPRK-në brenda dhe jashtë vendit, Ali Mehmeti-përgjegjës e koordinues për Maqedoninë, Fehmi Lladrovci për çështjet ushtarake. LPRK ka vendosur format dhe pamjen e emblemës dhe emrin e UCK-së”, tha Pace teksa lexonte paragrafë nga libri i Halitjahës.

Ndërsa, dëshmitari tha se lindja e UÇK-së është nga LPK-ja.

“Lindja e UÇK-së është nga LPK-ja dhe njerëzit fillestar janë të caktuar për një kryengritje të ardhshme”, tha Sadik Halitjaha.

Halitjaha: Skender Hoxha e ka maltretu një person nga Krusha e Vogël, e quajnë Jakup Muharremi

Dëshmitari Sadik Halitjaha ka thënë se një prej komandanteve të Brigadës, Sadik Hoxha e ka maltretuar një ushtar nga Krusha e Vogël, të quajtur Jakup Muharremi.

Para kësaj deklarate, dëshmitarit iu lexua një deklaratë tjetër e dhënë për Zyrën e Prokurorit të Specializuar, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“E kanë maltretuar një nga Krusha e Vogël, emrin e kishte Jakup Muharremi dhe e kanë ndalura për 24 orë. Ata ka qenë me ushtarë, por ushtarët e kanë rrahë, e kanë maltretu dhe ia kanë marrë armën se edhe ai ka qenë ushtar dhe e kanë dërguar në Shtab të Përgjithshëm, sigurisht kanë mendu se duhet me u penalizu edhe më shumë. Unë nuk e di këtë rast edhe pse ka ndodhur në zonën time, por Jakupin e kanë liruar kur kanë kuptuar se ishte ushtar në Budakovë dhe e ka furnizuar batalionin me armë dhe se Skender Hoxha ka qenë njëri prej atyre personave që ka tejkaluar kompetencat e komandantit për rolin që ka pas dhe për këtë është dhënë vërejtja që po merret me punë të policisë dhe po merret me punë jo të mira”, tha Pace, duke lexuar fragmente nga deklarata e Sadik Halitjahës dhënë ZPS-së.

Pas kësaj, Sadik Halitjaha tha se Hoxha e ka marrë Jakup Muharremin dhe e ka dërguar në bodrumin e Brigadës, ku edhe e ka maltretu, rast ky për të cilin thotë se është njoftuar paslufte.

“Nuk ka qenë e drejtë që komandanti i Brigadës të merret me njerëz të dyshimtë siç i ka mbajtë ai në kujtesën e tij apo shënimet e tij dhe ndër ta ka fut në atë listë Jakup Muharremin dhe babën e tij, Imer Muharremin dhe e ka marrë në bodrumin e komandës së Brigadës dhe e ka maltretu. Unë jam njoftu për këtë rast paslufte”, tha dëshmitari.

Sipas tij, për këtë i ishte dhënë vërejtje me vonesë Hoxhës.

“Përndryshe për rastin e tillë iu është dhënë vërejtje me vonesë. Kjo vërejtje iu është dhënë paslufte se nuk ka pasur të drejtë të ushtrojë një gjë të tillë dhe më keq, unë Jakup Muharremin e kam pas ushtar në Budakovë dhe jemi farefis me të, por nuk e kam ditë gjatë luftës se çka ka ndodhë”, tha Halitjaha.

Halitjaha i tha prokurorit se ka parë një listë tek ata me emrat e njerëzve të Shërbimit Sekret Jugosllav, listë kjo ku figuronte edhe emri i Jakup Muharremit, i cili sipas tij nuk ka pasur lidhje me këtë gjë.

“Kam pa një listë tek ju z. prokuror me emrat e njerëzve të Shërbimit Sekret Jugosllav, nga ata emra e kam njohur Vesel Krasniqin, Latif Dullën dhe disa të tjerë që më kanë torturu edhe mua në burgun Jugosllav. Në të njëjtën listë e kam pa edhe emrin e Jakup Muharremit që nuk ka pasur lidhje me ata”, tha Sadik Halitjaha.

Lidhur me rastin, dëshmitari tha se është njoftuar pas lufte nga vetë Jakup Muharremi.

ZPS: Sadik Halitjaha jep informacione lidhur me vartës të ndryshëm të UÇK-së dhe krimet e pretenduara

Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) përmes prokurorit, James Pace tha se dëshmitari Sadik Halitjaha do të japë informacione lidhur me vartës të ndryshëm të UÇK-së, si dhe do të flasë për njohuritë e tij për krimet e pretenduara. 

“Ai jep informacion lidhur me vartës të ndryshëm të UÇK-së dhe njohurive të tij lidhur me krimet e pretenduara. 04765 është takuar dhe ka komunikuar në mënyra të tjera me Hashim Thaçin, Rexhep Selimin, Kadri Veselin dhe Jakup Krasniqin, si dhe anëtarë të tjerë të Shtabit të Përgjithshëm në vende të ndryshme në periudhën në mes 1998 dhe ‘99-ës. Ai jep prova- dëshmi për role të shumë anëtarëve të ndryshëm të Shtabit të Përgjithshëm dhe informacion  përfshirë këtu urdhra të marra nga Shtabi i Përgjithshëm. 04765 ka qëndruar në Prizren në qershor 1999 dhe ka dhënë informacione për njësite të UÇK-së dhe anëtarë të tjerë atje”, tha Pace.

Ai theksoi se dëshmitari ka shkruar edhe dokumente e libër lidhur me UÇK-në.

“Së fundi 04765 ka shkruar shumë dokumente të UÇK-së në 98-të dhe së fundi ka shkruar një libër lidhur me UÇK-në”, tha Pace.

Prokurori James Pace ka prezantuar një përmbledhje për dëshmitarin Sadik Halitjaha, ku tha se dëshmitari ka qenë anëtar i bordit drejtues të LKP-së në Zvicër, përpara se ai të vijë në Kosovë për t’iu bashkuar Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Ka qenë anëtar i bordit drejtues i LKP-së në Zvicër përpara se të shkonte në Kosovë në qershor të ’98  për t’u kyçur në UÇK dhe së pari ka shërbyer në Budakovë si komandant i Batalionit të UÇK-së 2 brenda “Brigadës 123” të Zonës Operacionale të Pashtrikut në periudhën nga nëntor 1998 deri në mars ’99. 04765 ka qene asistent, zëvendëskomandant për murale dhe politikën në Zonën Operative të Pashtrikut. Në pajtim me këtë rol nga dhjetori ‘98 deri në janar ‘99 ka shërbyer në Departamentin e Përgjithshëm të administratës që njihet si JNJ me bazë në Kleçkë. Nga marsi i ‘99 ka qenë zëvëndëskomandant i Zonës Operative të Pashtrikut. 04765 jep informacion lidhur me strukturën … të raportimit ndërmjet Zonës Operative të Pashtrikut, duke përfshirë këtu policinë ushtarake dhe njësitë speciale”, tha prokurori.

Emmerson: Pretendohet se dëshmitari Halitjaha ka urdhëruar rrëmbimin e tri grave, të cilat janë gjetur të vdekura

Para se të fillojë dëshmia e dëshmitarit Sadik Halitjaha, mbrojtja e Kadri Veselit përmes avokatit Ben Emmerson, ka thënë se ky dëshmitar është “bashkëkonspirues pa aktakuzë” dhe pretendohet se ai ka urdhëruar rrëmbimin e tri grave që janë familjare të dëshmitarëve, e të cilat më pas janë gjetur të vdekura.

Në parashtrimin e tij, Emmerson tha se gjatë marrjes në pyetje ky dëshmitar mund të japë informacione të cilat mund të jenë vetëinkriminuese, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Sikurse mund të dini i nderuar gjykatës, ky dëshmitar citohet si atë në Amerikë e quani bashkëkonspirues pa aktakuzë dhe kjo shtjellohet më tej në paragrafin 155 të aktakuzës dhe shtjellohet më tej në paragrafin 329 të dosjes së gjykimit paraprak të Prokurorisë. Ajo ka të bëjë me një incidim që e keni çuar edhe më herët dhe lidhet me një pretendim që ky dëshmitar ka urdhëruar rrëmbimin e tri anëtarëve të familjeve të dëshmitarëve, tri gra të cilat janë gjetur të vdekura”, tha Emmerson.

Avokati tha se meqë dëshmia e dëshmitarit mund të jetë vetëinkriminuese, mund ta lejojë të marrë një këshillë nga një avokat.

“Duke marrë parasysh këtë historik, këtë sfond dhe këtu sigurisht në… të paragrafit 97, paragrafi 5 të protokollit të urdhrit për zhvillimin e procesit gjyqësor të datës 25 janar… ku thuhet se gjatë seancës përgatitore, marrja në pyetje nga z.Pace duhet ta bëjë marrjen në pyetje duke marrë parasysh dëshmitarët dhe informacionet që ai mund të japë, mund të jetë vetëinkriminues dhe që të lejojë që të marrë këshillë nga një avokat”, tha tutje Emmerson.

Emmerson tha se nuk e ka dëgjuar prokurorin James Pace që nuk e ka informuar dëshmitarin se në qoftë se trajtohet ose del ndonjë çështje e cila e inkriminon, atëherë duhet të ngritët çështja te trupi gjykues.

“Duke marrë parasysh edhe praktikën e mëhershme i nderuar gjykatës dhe më konkretisht… në dëshminë e dëshmitarit  04323 ju jepni një kujtesë që të jepet një këshillim dëshmitarit që të mos japë dëshmi vetëinkriminuese, përjashtim kur trupi gjykues urdhëron që të bëjë këtë gjë në përputhje me 152 dhe 3 dhe duhet informuar dëshmitari që në qoftë se trajtohet apo del në pah një çështje e tillë atëherë duhet të ngrihet kjo çështje në trupin gjykues. Nuk e dëgjova z.Pace të ia përmend këtë gjë, nuk e ka informuar fare dëshmitarin, sa i takon dokumenteve provuese të Prokurorisë”, tha Emmerson.

Sipas tij, është e rëndësishme që t’i sqarohet dëshmitari se cilët janë hapat që mund të ndodhin, në rast se cenohen një nga pikat e lartpërmendura.

“Parashtroj se duke e parë pozicionin e këtij dëshmitari dhe duke qenë se është ndër kryerësit e përmendur me emër që janë pjesë e … që janë këtu të ndërmarrjes së përbashkët kriminale, absolutisht është shumë e nevojshme si nga Prokuroria ashtu edhe nga trupi gjykues që t’i tregohet këtij dëshmitari se cilët janë hapat që mund të ndodhin në qoftë se do të cenohen një nga pikat e përmendura përpara”, tha Emmerson.

Tutje, Emmerson tha që në shënimet që i ka parë, nuk e ka të qarë nëse Prokuroria ia ka bërë me dije dëshmitarit që ai jo vetëm që mbetet në dyshim, por është një element shumë i rëndësishëm kundër të akuzuarve.

“Pra, e di që në shënimin një apo dy thuhet diku që dëshmitari që ka thënë se nuk e kam problem a do të dënohem a po jo, megjithatë për ne nuk është e qartë në qoftë se Prokuroria ia ka bërë me dije dëshmitarit që dëshmitari jo vetëm që mbetet nën dyshim, por është një element shumë i rëndësishëm kundër të akuzuarve, pra sikur që e thash më përpara thuhet që ai të jetë personi që ka kryer njërin prej krimeve që është pjesë përbërëse e aktakuzës”, tha tutje Emmerson.

Ndërsa, Pace tha se dëshmitarit iu është bërë me dije dhe se i njëjti ka hequr dorë nga e drejta për të pasur avokat.

Në këtë seancë, u pranuan si prova materiale deklaratat e mëhershme të dhëna për ZPS-në të Sadik Halitjaha, si dhe materialet përcjellëse.

Fillon dëshminë dëshmitari Sadik Halitjaha në gjykimin ndaj Thaçit dhe të tjerëve

Pas përfundimit të dëshmisë së dëshmitarit të 35-të, ka filluar që të dëshmoj dëshmitari i 36-të, Sadik Halitjaha, ish-zv.komandantë i Zonën Operative të Pashtrikut (me kodin W04765), në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.

Pyetjet për këtë dëshmitar ka filluar që t’i parashtroj Zyra e Prokurorit të Specializuar përmes prokurorit, James Pace.

ZPS ka paraparë 2 orë që ta marrë në pyetje këtë dëshmitarë, ndërsa ekipet mbrojtëse kanë paraparë rreth 14 orë e gjysmë.

Para fillimit të dëshmisë së dëshmitarit të 36-të, kryetari i trupit gjykues, Charles Smith III urdhëroi që disa dokumente të riklasifikohen si konfidenciale.

Po ashtu, edhe disa dokumente u pranuan si prova materiale.

Vazhdon dëshminë dëshmitari i 35-të në gjykimin ndaj Thaçit dhe të tjerëve

Dëshmitari i 35-të po e vazhdon dëshminë e tij në rastin ku ish-udhëheqësit e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së po akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Në fillim të seancës së të hënës mbrojtësi i Rexhep Selimit, Goeffry Roberts, kërkoi mbyllje të seancës, gjë që e pranoi gjykata pa u përmendur ndonjë arsye.

Ngjashëm, në seancën e mbajtur të enjten ky dëshmitar i mbrojtur dha dëshmi kryesisht në seancë të mbyllur. Prokurorja Lies van Welde në përmbledhjen për këtë dëshmitar tha se ai kishte dëshmuar në prokurori paraprakisht për ndalim e keqtrajtim.

“Dëshmitari 0444 u arrestua nga 8 ose 9 pjesëtarë të armatosur të UÇK-së, shumica kishin maska, e vendosën në një automjet me duart e lidhura prapa (në shpinë) dhe me maskë në kokë. Në automjet e morën edhe një të arrestuar tjetër. Të dy këta persona i çuan në një dhomë dhe u mbajtën të ndaluar së bashku dëshmitari me numër 0444 u rrah kaq shumë saqë nuk merrte dot frymë, ra në tokë dhe humbi ndjenjat. Dëshmitarit nuk iu dha asnjë arsye për arrestimin e tij apo për ndalimin e tij. Pas katër ditësh dëshmitari 444 u lirua nga rojet e burgut me uniforma të zeza, derisa të ndaluarit e tjerë mbetën në dhomë. Pas lirimit iu desh të merrte trajtim mjekësor dhe medikamente për dhimbjet që ja kishte shkaktuar rrahja”, tha Welde derisa lexonte përmbledhjen për këtë dëshmitar.

Dëshmitari tha se pjesëtarët e UÇK-së e kishin hipur në veturë dhe ja kishin lidhur duart.

Gjatë transmetimit të seancës në faqen e Dhomave të Specializuara, veçanërisht asaj të dëshmitarit të 35-të, nuk janë dëgjuar përgjigjet e shkurtra siç janë ato me “po” ose “jo”.

Avokati i Rexhep Selimit, Geoffrey Roberts, e pyeti dëshmitarin lidhur me kontradiktat në deklaratat e tij lidhur me kohëzgjatjen e keqtrajtimit gjatë ndalimit të tij.

“Pra nuk keni ide se sa kohë ka zgjatur rrahja apo se sa e ashpër ka qenë”, pyeti Roberts.

E dëshmitari iu përgjigj se nuk kishte se si ta dinte këtë. “Nuk kam pasur orë ta mati sesa më kanë rrahur. Pesë minuta apo ka mundur të jetë një orë, ku ta di unë? Orë s’kam pasur”, tha dëshmitari.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat