Daka: Pas vitit 2010, partive politike u është shpjeguar që zgjedhjet fitohen me punë e jo me vota të manipuluara

Aktuale

Daka: Pas vitit 2010, partive politike u është shpjeguar që zgjedhjet fitohen me punë e jo me vota të manipuluara

Më: 14 nëntor 2023 Në ora: 17:08
Valdete Daka

Valdete Daka, ish-kryetare e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), ka thënë se deri vonë nuk i ka parë as fletvotimet dhe nuk ka mundur të ndikojë në asnjë rezultat.

“Deri vonë nuk i kam parë fizikisht as fletvotimet, as qendrat e votimit, përveq kur kemi shkuar në qendrën e numërimit të votimit ku për herë të parë i kemi shikuar unë dhe anëtarët e tjerë. Pra edhe me dashtë nuk ke mundur të ndikosh në asnjë rezultat”, ka thënë Daka.

Daka ka thënë se në vitin 2010 ka ndodhur gjithçka në vendvotime, por pas vitit 2010 ka pasur ndryshime pozitive.

“Në vitin 2010 ka ndodhur gjithçka në vendvotime, por pas 2010-ës më ndihmën edhe të bashkësisë ndërkombëtare edhe të vetë subjekteve politike, edhe me angazhimin e jashtëzakonshëm të KQZ-së, është arritë që në një lloj mënyre edhe tu shpjegohet partive politike që zgjedhjet fitohen me punë, jo me forcë, as me mashtrime, as me vota të manipuluara”, ka thënë ajo, duke shtuar se në atë moment qytetarët dhe partitë politike kanë kuptuar që nëse duan të fitojnë, atëherë duhet të punojnë.

Ndërsa për rolin që e kishte si gjyqtare, Daka është shprehur se kjo ishte e vështirë. “Unë kisha kohë që isha emëruar dhe atëherë kishte shumë pak femra të cilat kanë qenë gjyqtare sidomos në lëminë penale dhe ka qenë pak e vështirë, pak e mundimshme që t’ju shpjegosh palëve që ti je gjyqtare…Por gjithsesi pas luftës ka pasur shumë gjyqtare, e sidomos në vitet e fundit ka shumë femra që vendosin të marrin drejtimin e gjyqsorit”, ka thënë tutje Daka, duke shtuar se dallimi mes periudhës së paraluftës dhe pasluftës, lidhur me këtë çështje, nuk është i madh dhe nuk ka ndonjë ndryshim të jashtëzakonshëm.

Daka është shprehur se gjyqësia në përgjithësi duhet të veprojë pa emocione, sepse sipas saj, nëse përfshihen emocionalisht në rast atëherë “vendimi” do të jetë i anshëm.

Ajo ka rrëfyer edhe një nga rastet më të ndieshme më të cilën është përballur në cilësinë e gjyqtares.

“Ka qenë një vrasje e trefishtë, kemi pasur tre viktima, njëra prej tyre ishte një 15-vjeçar. Ka qenë rast bukur i vështirë sepse e gjithë familja e dy prej të vrarëve ka humbë të gjithë fëmijët në të njëjtën mënyrë, nga vrasjet. Ka qenë emocionuese, e dhimbshme njëkohësisht por edhe e vështirë të shohësh që familja e të dëmtuarit nuk ka qenë fare prezente sepse kanë qenë në gjakmarrje. Ka pasë shumë tensione dhe në sallën e gjykimit, e cila i ka pasë përafërsisht 200-300 persona që kanë qenë të interesuar, dhe të cilët edhe pasi kanë dalë nga salla ka plasë edhe një sherr”, është shprehur ajo.

Daka ka shtuar se paraluftës ishte dënimi me vdekje dhe mënyra e ekzekutimit ishte me pushkatim, në të cilin ka marrë pjesë gjyqtari që e ka shqyertuar dënimin, drejtori i burgut ku është mbajtë dhe ekipi i pushkatimit prej policëve, të cilët asnjëri nuk e ka ditur se cili e ka plumbin sepse sipas Dakës, ka qenë vetëm një plumb që ka shkaktuar vdekjen.

Ajo ka bërë të ditur se ky dënim nuk ekziston edhe pas pasluftës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat