Njohësit e sigurisë: Shtimi i trupave të KFOR-it ‘sinjal’ për anëtarësim në NATO

Aktuale

Njohësit e sigurisë: Shtimi i trupave të KFOR-it ‘sinjal’ për anëtarësim në NATO

Më: 22 nëntor 2023 Në ora: 16:17
Foto ilustrim

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, gjatë vizitës në Kosovë paralajmëroi se Aleanca po shqyrton mundësinë e shtimit të përhershëm të pranisë së saj ushtarake në Kosovë.

E gjithë kjo pas shpërthimit të dhunës në veri të Kosovës me 24 shtator, kur nga një grup serbësh të armatosur u vra një polic i Kosovës dhe më pas tre sulmues.

Një paralajmërim i tillë është mirëpritur nga njohësit e sigurisë në vendin tonë.

Sipas tyre një prezencë e tillë e KFOR-it në do të nënkuptonte ‘trasim’ i rrugës drejt anëtarësimit në NATO.

Ish gjenerali i FSK-së, Xhavit Gashi, në një prononcim ka thënë se prania e ushtarëve të NATO-s interpretohet si një ndryshim strategjik në angazhimin e saj në Kosovë.

Mirëpo kjo sipas tij, nuk nënkupton se Kosova mund të trajtohet si anëtare e NATO-s.

 “Paralajmërimi për një prani të përhershme të trupave të KFOR-it, sugjeron një lidhje gjithnjë e me të ngushtë dhe ndoshta një nivel më të thellë bashkëpunimi. Megjithatë, duhet të theksojmë se kjo nuk e bën automatikisht Kosovën anëtare të NATO-s, por tregon për një ndërveprim të thelluar dhe një besim të shtuar në rolin e KFOR-it në stabilitetin e rajonit”, ka thënë Gashi.

Sipas tij, situata aktuale e sigurisë duke përfshirë edhe deklarimet e sekretarit të përgjithshëm të NATO-s mund të mundësojnë një rrugëtim më të shpejtë të Kosovës në NATO.

“Është momentumi më i përshtatshëm për vendin tonë që me një angazhim të fuqishëm diplomatik në partneritet të ngushtë me SHBA dhe shtetet tjera anëtare të NATO-s, (ato shtete të cilat kanë interesimin dhe fuqinë ndikuese), ta ketë prioritet antarësimin e Kosovës në NATO përmes një procesi të modifikuar dhe përshpejtuar!”, tha ai.

I të njëjtit mëndim është edhe njohësi tjetër i sigurisë, Fadil Kajtazi, sipas të cilit, prania e trupave të KFOR-it ka karakterin e presionit për zhvillimin e procesit politik Kosovë – Serbi.

Kajtazi thekson se shtimi i trupave në Kosovë nuk nënkupton se vendi ynë është brenda NATO-s, por kjo është vetëm një mas frenuese ndaj Serbisë.

“Shtimi i prezencës së KFOR-it në Kosovë është një masë frenuese për ndonjë aventurë të Serbisë, të ngjashme si ajo e 24 shtatorit. Tani, se sa do të jetë ky kontingjent, me çfarë pajisje dhe armatimi, varët nga vlerësimi i rrezikut që bëjnë profesionistët. Por ajo që është e rëndësishme, është se përpos frenimit, shtimi i trupave ka karakterin e presionit për zhvillimin e procesit politik Serbi – Kosovë.

Kjo prani nuk nënkupton se Kosova është brenda NATO-së. Se sa afër dhe sa larg NATO-s është (do të jetë) Kosova, varët nga proceset politike që zhvillohen brenda saj dhe në raport me fqinjët”, ka thënë Kajtazi.

Sipas tij, NATO në gjirin e vet nuk pranon shtete të cilat prodhojnë kriza politike brenda vendit dhe në raport me fqinjët, nuk zhvillojnë demokracinë dhe nuk kanë stabilitet politik.

“NATO, para se të jetë organizatë ushtarake, është organizatë politike. Në këto vitet e fundit, Qeveria e Kosovës, në vazhdimësi ka prodhuar kriza latente, të cilat Kosovës i kanë kushtuar me izolim dhe me masa (sanksione). Përpjekja e parë është që të dalim nga sanksionet, e që siç po shihet, do të jetë e vështirë, e pastaj, gjithashtu rruga e anëtarësimit është e gjatë pasi kërkon përmbushje të standardeve”, tha Gashi për Gazeta10.

Vlerësim tjetër rreth shtimit të trupave të KFOR-t në vendin tonë, ka njohësi i sigurisë Avni Islami.

Sipas tij, Kosova është nën ombrellën e aleancës veri atlantike.

“Nëse ne jemi pjesë e NATO-s ose pretendojmë të jemi atëherë trupat ushtarake të KFOR-it nuk kanë pse të largohen, me një armik të përbetuar si Serbia e cila nuk e njeh Kosovën dhe ka 47 baza ushtarake duke menduar që ta aneksojë Kosovën. Në momentin kur Kosova të jetë pjesë e NATO-s atëherë sulmi i Serbisë ndaj Kosovës do të jetë sulm i drejtpërdrejt edhe ndaj NATO-s”, tha Islami.

“Absolutisht Kosova është nën ombrellën e aleancën veri atlantike sepse këtë ja garanton dhe siguron Rezoluta 1244 e Kombeve të Bashkuara që kur është vendosur misioni i KFOR-it në Kosovë, e misioni i KFOR-it është nën komandën e NATO-s”, tha Islami.

Kujtojmë se shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg të hënën ka deklaruar se NATO po kërkon një shtim më të përhershëm të numrit të trupave në Kosovë për t’i mbajtur nën kontroll tensionet.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat