Del dokumenti/ Zyberaj e mohoi që Murseli ishte këshilltar, por Pacolli kishte nënshkruar një vendim për emërimin e tij

Aktuale

Del dokumenti/ Zyberaj e mohoi që Murseli ishte këshilltar, por Pacolli kishte nënshkruar një vendim për emërimin e tij

Më: 2 dhjetor 2023 Në ora: 10:31
Naim Murseli

Ish-shefi i stafit të presidentit Behgjet Pacolli dhe bashkëpunëtori më i ngushtë i tij, Jetlir Zyberaj e ka mohuar dje që Naim Murseli, i cili u arrestua dje nën dyshimet se ka porositur vrasjen e gruas së tij Liridona Ademajt, ka qenë këshilltar Pacollit.

Por, Murseli në fakt ka qenë këshilltar i jashtëm i Pacollit, Pro Bono.

Vendimi është i vitit 2017, gjatë kohës sa Pacolli ishte Ministër i Punëve të Jashtme.

Image
Vendimi

“Naim Murseli emërohet Këshilltar i Jashtëm (Pro Bono – Pa pagesë) i Ministrit të Punëve të Jashtme”, thuhet në vendim.

Në një deklaratë, Zyberaj ka thënë se ai ka qenë pjesë e stafit më të gjerë dhe se zyrtarisht nuk ka qenë këshilltar i ish-presidentit.

Sipas Zyberajt, Murseli ka qenë asistent për rrjete sociale.

“Jemi te shokuar nga lajmi per vrasjen e rende te nje nene te re. Na Inkurajon fakti qe reagimi profesional dhe efikas i policise ka qene i menjehershem. .Murseli ka qene nje djal i ri eshte bere pjese e stafit te gjere te z.Pacolli, por qe zyrtarisht nuk ka qene keshilltar i tij. E verteta eshte se ka qene asistent per rrjetet sociale per shkak te njohurive te IT qe ka pasur dhe i eshte dhene mundesia nga ish presidenti Pacolli. Megjithate rasti i rende qe ka ndodhur duhet te zbardhet dhe pergjegjesit duhet ta marrin denimin kapital”, ka thënë ai.

Media merr vesh nga burime se Murseli dyshohet se e ka paguar Granit Plavën 30 mijë euro që t’ia vrasë gruan. Raportohet se 15 mijë ia kishte dhënë para krimit të rëndë, e 15 mijë të tjera pas vrasjes.

Zyrtarisht ende s’ëhtë konfirmuar, mirëpo raportimet në media janë se Plava e ka pranuar fajësinë për vrasjen e 30-vjecares, duke thënë se Naim Murseli e kishte porositur vrasjen dhe se edhe Murseli e ka pranuar këtë para hetuesve.

Pas arrestimit të tyre, Policia dhe Prokuroria e Shtetit kanë dalë me nje komunikatë të përbashkët, ku u tha se ata janë arrestuar në Gjakovë dhe se është sekuestruar arma me të cilën dyshohet se është kryer krimi.

“Prokuroria Themelore në Prishtinë, njofton opinionin publik se në koordinim me Policinë e Kosovës, në vazhdën e veprimeve hetimore të ndërmarra në mënyrë intensive, lidhur me rastin e dt. 29.11.2023, i cili është vlerësuar fillimisht si “grabitje me pasoja të vrasjes”, ku ka mbetur e vdekur një grua, ka rezultuar me arrestimin e dy të dyshuarve të përfshirë në këtë rast. Sipas urdhëresës së Prokurorit të Shtetit dhe me aprovim të gjyqtarit të procedurës paraprake, Njësiti i Hetimeve të Përgjithshme të Prishtinës, në kuadër të Policisë së Kosovës, kanë realizuar bastisje në dy lokacione në Gjakovë, me ç’ rast nga ky aksion janë arrestuar personat G.P. (dorasi) dhe N.M. (bashkëshorti i viktimës), të dyshuar në vrasjen e viktimës, si dhe është sekuestruar arma e cila dyshohet të jetë përdorur në këtë rast”, thuhet në njoftim.

Lidhur me vrasjen e Liridonës, është arrestuar edhe Kushtrim Kokalla, që raportohet të jetë nipi i Naim Murselit.

Kokalla është pjesëtar i Forcës së Sigurisë së Kosovës. Kjo është konfirmuar nga Ministria e Mbrojtjes.

“Në mesin e të arrestuarve si të dyshuar për vrasjen në Prishtinë është edhe pjesëtari i FSK-së, K.K. Organet e drejtësisë janë duke hetuar rastin, por gjithashtu ky rast do të trajtohet edhe brenda organeve përgjegjëse të FSK-së, sipas rregulloreve dhe ligjeve në fuqi”, thuhet në njoftimin e Ministrisë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat