Flasin juristët: Çfarë pritet t’i ndodhë Radoiçiqit pas futjes në listën e kuqe të INTERPOL-it?

Aktuale

Flasin juristët: Çfarë pritet t’i ndodhë Radoiçiqit pas futjes në listën e kuqe të INTERPOL-it?

Më: 8 dhjetor 2023 Në ora: 15:10
Milan Radoiçiq

Organizata ndërkombëtare e policisë, INTERPOL, dje ka bërë me dije se kriminelin Milan Radoiçiq, të dyshuarin kryesore për sulmin në Banjskë, e ka futur në listë.

Në këtë mënyrë, kjo organizatë ka marrë në konsideratë fletëarrestin e lëshuar nga institucionet e Kosovës. Por, çka pritet të ndodh më Radoiçiqn, nëse udhëton jashtë Serbisë?

Juristët vendor kanë bërë me dije se tani do të vështirësohen punët për kriminelin serb, i cili tashmë është edhe në listën e zezë të SHBA-së dhe Britanisë së Madhe.

Ata kanë treguar se nëse ai ndalohet në një vend evropian mund të fillojnë edhe procedurat për ekstradim në Kosovë.

Drejtori i Institutit të Kosovës për Drejtësi, Ehat Miftaraj, ka treguar se fletëarresti është lëshuar nga Prokuroria Speciale e Kosovës.

“Fletëarresti ndërkombëtar ndaj Radojçiqit dhe të tjerëve është inicuar nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës. Fletearresti i lëshuar është i Republikës së Kosovës. UNMIK vetëm e vendos në sistem e INTERPOL, sikurse vendos dhjetëra fletearreste të tilla brenda vitit sipas kërkesave të autoriteteve gjyqësore të Republikës së Kosovës. Në lëshimin e këtij fletearresti s`ka dorë asnjë shtet tjetër përveç së Republikës së Kosovës, sepse s`kanë as drejte, as autoritet e as mundësi që te bëjnë një të tillë”, ka shkruar ai në profilin e tij në “Facebook”.

Sipas tij, nëse Radoiçiq kapet në ndonjë shtete ai duhet të ekstradohet në Kosovë.

“Fletearresti i lëshuar s`ka lidhje e as nuk mundet të këtë lidhje me ndonjë masë ndaj Serbisë nga BE. Tash nëse Radojçiq guxon e udheton jashtë Serbisë, i njëjti në bazë të fletearrestit të lëshuar nga UNMIK në emër të Kosovës, në parim do te arrestohet në atë shtet, dhe do të fillojnë procedurat e ekstradimit në Kosovë”, ka shkruar Miftaraj.

Ndërsa, avokati Tomë Gashi ka bërë me dije se nëse i bëhet presion Serbisë, Radoiçiqi mund të arrestohet edhe në Serbi.

Ai ka thënë se pas arrestimit përmes INTERPO-it mund të ekstradohet edhe në Kosovë.

“Nëse bëhet një presion i madh nga bashkësia ndërkombëtare, atëherë ai mund të arrestohet edhe në Serbi dhe që përmes Interpolit të transferohet në Kosovë, do të thotë tek prokuroria jonë dhe pastaj të përfundojë në gjykim”, ka thënë Gashi.

Edhe Gashi ka shpjeguar procedurën se si është futur Radoiçiqi në listën e INTERPOL-it.

“Institucionet e Kosovës kanë kërkuar nga institucionet ndërkombëtare që të lëshohet fletarresti dhe kjo shkon direkt në Interpol dhe Interpoli ka lëshuar faktikisht siç quhet një ‘njoftim i kuq’ dhe kjo vlen për të gjithë botën”, ka thënë Gashi.

Shpjegimi i INTERPOL-it

Organizata ndërkombëtare e policisë, INTERPOL, dje në një përgjigje ka thënë se ajo nuk lëshon fletarrestime, por vetëm ato që quhen njoftime të kuqe.

“Ju lutemi që të kini parasysh se Organizata nuk komenton për raste ose individë specifikë, ju këshillojmë që t’i kontaktoni autoritetet shtetërore përkatëse”, është thënë në përgjigje, duke shtuar se kjo organizatë nuk lëshon fletarrestime.

“Për informatën tuaj të përgjithshme, INTERPOL-i nuk lëshon fletarrestime. Me kërkesën e vendeve anëtare dhe pas kontrolleve të pajtueshmërisë, INTERPOL-i lëshon paralajmërime ndërkombëtare për persona të kërkuar, të njohura si Njoftime të Kuqe”, është thënë në përgjigje.

Kjo çështje shpjegohet edhe në uebfaqen e INTERPOL-it.

“Njoftimi i Kuq është alarm ndërkombëtar për një person të kërkuar, por nuk është fletarrestim. Ai bazohet në një fletarrestim ose urdhër gjykate të lëshuar nga autoritetet e drejtësisë në shtetin që e paraqet kërkesën. Vendet anëtare i zbatojnë ligjet e tyre për të vendosur nëse do të arrestojnë një person.”, thuhet aty.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat