Paraburgim për dy personat që dyshohet se dhunuan 23 vjeçaren me probleme mendore në Pejë

Aktuale

Paraburgim për dy personat që dyshohet se dhunuan 23 vjeçaren me probleme mendore në Pejë

Më: 19 dhjetor 2023 Në ora: 11:30
Foto ilustrim

Gjykata Themelore në Pejë, ka marrë vendim për caktimin e masës së paraburgimit ndaj dy të pandehurve Sh.B dhe I.G, të cilët dyshohet se kanë dhunuar 23 vjeçaren nga Shqipëria, e cila vuan edhe nga problemet mendore.

Vendimi për caktimin e masës së paraburgimit ka ardhur pas kërkesës nga Prokuroria Themelore e Pejës.

Kështu ka bërë të ditur zëdhënësi i Prokurorisë, Shkodran Nikçi.

“Prokurori i shtetit, brenda afatit ligjor ka parashtruar kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit prej 30 ditë ne Departamentin e Krimeve të Rënda në Gjykatën Themelore ne Pejë, gjatë ditës së enjte. Ditën e premte të javës së kaluar kemi marrë konfirmimin nga gjyqtari i procedurës paraprake që kërkesa e Prokurorisë është aprovuar dhe dy te pandehurit të dyshuarve për veprën penale “dhunimi” u është caktuar masa e paraburgimit”, tha Nikçi.

Caktimin e paraburgimit e kanë konfirmuar edhe Gjykata Themelore e Pejës.

Ndërkaq, Nikçi shtoi se janë duke u zhvilluar hetimet për të ndriçuar këtë çështje penale.

“Prokurori i shtetit ka dhënë autorizime për kryerjen e veprime hetimore për ndriçimin e plotë të kësaj çështje penale.  Ndërkaq, viktima ka marrë trajtimin e duhur, ku ka pasur mbështetje nga Mbrojtësi i viktimave, psikologia dhe psikiatri”, tha Nikçi.

Media ditë më parë raporti se në mesin e të dyshuarve për këtë rast është babai i një ish-deputeti të Kuvendit të Kosovës.

Lidhur me rastin është sekuestruar edhe një veturë. Ngjarja e rëndë për 23 vjeçaren dyshohet të ketë ndodhur në një motel në qytetin e Pejës.

Ndryshe, rasti i rëndë u zbulua pasi motra e viktimës e raporti atë si të zhdukur, dhe si rezultat i ndërmarrjes së veprimeve të nevojshme hetimore, vajza u gjet në Pejë.

Pasi vajza u gjet, gjendja e saj nuk ishte e mirë dhe e njëjta u dërgua për ekzaminimet e nevojshme.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat