Osmani premton program kombëtar për FSK-në, liston 7 shtyllat

Aktuale

Osmani premton program kombëtar për FSK-në, liston 7 shtyllat

Më: 29 dhjetor 2023 Në ora: 10:54
Vjosa Osmani

Presidentja Vjosa Osmani, në ceremoninë e certifikimit ushtarëve të rinj të FSK-së, ka premtuar program shtetëror të bazuar në 7 shtylla kyçe për përmirësimin e kushteve të punës dhe jetës së rekrutëve.

Ajo ka thënë se ky program është realizuar duke u bazuar në vlerësimin e sfidave, kërcënimeve dhe rreziqeve aktuale në mjedisin e vendit.

“Realizimi i pagesave të shtesave në paga për rrezikshmëri, realizimi i pagesave të punës me ndërrime, të kujdestarisë apo punën jashtë orarit, shërbimi i sigurimit jetësor dhe shëndetësor, ndërtimi dhe funksionalizimi i spitalit ushtarak deri në nivelin terciar për ushtarakët, policët dhe familjet e tyre si dhe për familjet e ushtarëve dhe policëve të rënë në detyrë, dëshmorëve, invalidëve dhe veteranëve të UÇK-së”, ka listuar Osmani disa nga pikat.

Pikat tjera kanë pasur të bëjnë me përmirësimin e cilësisë së ushqimit dhe transportit, sigurimin e një banimi të përballueshëm nëpërmjet një programi të veçantë dhe krijimi i fondit kreditues me kushte të veçanta për ushtarët e FSK-së

Tutje përballë 325 ushtarëve të rinj, Osmani ka thënë se janë trashëgimtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Jam krenare që ju sot do të mbani uniformën e forcave tona, jam krenare që jeni trashëgimtarë të UÇK-së dhe jam krenare veçanërisht me hapin e parë që hodhët në pragun e komandës së doktrinës së stërvitjes, duke prekur ëndrrën tuaj për t’u bërë ushtarë të FSK-së dhe duke filluar rrugëtimin tuaj plot sfida”, ka deklaruar Osmani.

E para e vendit ka deklaruar se tashmë besnikëria, nderi, integriteti dhe guximi janë mishëruar në shërbimin e tyre ndaj vendit

“Përmes programit ushtarak keni rrënjosur kompetencat themelore ushtarake të nevojshme, për të fituar të gjitha betejat, në një rajon e botë me sfida e kërcënime komplekse si dhe me frymëzimin e duhur për përsosmëri të duhur profesionale dhe shërbim ndaj qytetarëve”, ka thënë ajo.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat