​Masakra e Reçakut, Osmani: Faktet janë më të fuqishme se sa propaganda e vazhdueshme serbe

Aktuale

​Masakra e Reçakut, Osmani: Faktet janë më të fuqishme se sa propaganda e vazhdueshme serbe

Më: 15 janar 2024 Në ora: 12:42
Presidentja Vjosa Osmani

Faktet janë më të fuqishme se sa propaganda e vazhdueshme serbe, deklaroi presidentja Vjosa Osmani. Në 25-vjetorin e masakrës së Reçakut, ajo shtoi se ka vetëm një të vërtetë dhe se më 15 janar është kryer krim kundër njerëzimit nga Serbia. Osmani theksoi se Reçaku ka nevojë për drejtësi dhe se kjo i jep kuptim paqes dhe lirisë. Në akademinë përkujtimore të kësaj masakre, drejtësi kërkoi edhe kryeministri Albin Kurti, i cili tha se presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq ka mohuar në vazhdimësi këtë krim kundër njerëzimit.

Ish-shefi i misionit të OSBE-s në Kosovë, William Walker edhe këtë përvjetor është rikthyer në fshatin Reçak.
Walker tha se çdo vit, më shumë njerëz janë të vetëdijshëm se çfarë ka ndodhur në Reçak.

Walker: Më pyesin se çfarë përfaqëson Reçaku për ju

“Më pyesin sa herë që vij në Kosovë, sa herë që takoj shqiptarë në diasporë, sa herë jam i mirëpritur në skenë për të folur, gjithmonë më pyesin çfarë përfaqëson Reçaku për ju? Dhe unë kam disa përgjigje për këtë pyetje. Është e qartë se është versioni që është folur nga folësit paraprak për atë që ndodhi atë ditë,... bota u ndërgjegjësua se çfarë po ndodhte në Kosovë, cili ishte realiteti i shqiptarëve që jetonin në Kosovë nën qeverisjen e Beogradit, administratën e z. Millosheviq dhe natyrisht, që për mua është një pjesë e rëndësishme e asaj që Reçak përfaqëson për mua. Por sot kam një tjetër gjë për të cilën kam dashur të flas dhe kjo është ajo që përfaqëson Reçaku në aspektin e Republikës së Kosovës sot. Unë shikoj përreth audiencës dhe supozoj se shumica prej jush janë mbi të 30-tat, dhe ju mund të mbani mend se si ishte jeta në Kosovë para 1998, para 1999, dhe ja ku jeni sot duke jetuar në Kosovë që është jashtëzakonisht e ndryshme nga ajo që para vitit 1998 ishte, çfarë do të thotë të jesh shtetas shqiptar i Kosovës, çfarë do të thotë të jesh nën mbrojtjen e qeverisë në Beograd”, deklaroi Walker.

Tutje, Walker shtoi se Kosova është histori e demokraci e suksesshme.

Walker: Kosova ka demokracinë më të suksesshme në Evropë

“Nuk ka shumë vite që ky nuk ishte vendi ku mund të flisnim se sa mrekulli po shkojnë gjërat në Kosovë. Falë qeverisë që keni sot, falë qeverisë që keni pasur në të kaluarën, Kosova është një histori jashtëzakonisht, jashtëzakonisht e suksesshme. Tani, për mendimin tim, është demokracia më e suksesshme në Evropë, nëse jo në botë. Liria e fjalës, liria e shtypit, liria e fesë, cilëndo liri, të gjitha janë të pranishme sot në Kosovë. Unë kam kritika për ata që nuk e shohin këtë. Ky është një vend me gjallëri, i ri, dhe në vetëm pak vite që nga pavarësia e kanë kthyer atë në një demokraci të vërtetë funksionale që duhet të mirëpritet në çdo institucion në Evropë dhe në botë. Dhe për fat të keq, ne nuk kemi arritur ende në atë pikë, por po arrijmë. Pra, kjo është ajo që Reçaku do të thotë për mua, tranzicioni nga ajo që ishte këtu, si ishte jeta për shqiptarët që jetonin në Kosovë në atë kohë dhe çfarë do të thotë jeta për kosovarët që jetojnë sot në Kosovë. Nga të gjitha etnitë, nga të gjitha fetë, ky është një vend tërësisht demokratik dhe jam shumë krenar që kam një lidhje shumë, shumë të vogël me atë që është bërë. Unë vij këtë vit dhe më duhet t'ju them se ceremonia e sotme është shumë e ndryshme nga ajo që ka qenë në të kaluarën”, shtoi Walker.

Presidentja Vjosa Osmani deklaroi se faktet janë më të fuqishme se sa propaganda e vazhdueshme serbe. Në çerekshekullin e masakrës së Reçakut, ajo shtoi gjenocidi në këtë fshat është kujtesë e përhershme për brutalitetin ndaj fëmijëve, grave e burrave.

Osmani: Jemi këtu mbi të gjitha për të kërkuar drejtësi

“Jemi këtu mbi të gjitha për të kërkuar drejtësi. 15 janari i vitit 99 tronditi themelet e ndërgjegjes njerëzore kudo në botën demokratike. Sepse bota përjetoi një ndër masakrat më të tmerrshme që ka ndodhur në Evropë në fund të shekullit të 20. Kjo masakër ka dëshmitarë të gjallë të cilët përjetuan llahtarinë e asaj dite. Përveç banorëve të mbijetuar, dëshmitë e të cilëve janë thelbësore, jo vetëm për kujtesën tonë historike por edhe për zbardhjen e autorit të krimit, kjo masakër pati edhe një krye-dëshmitar i cili ndodhet me ne edhe në këtë përvjetor, ambasadorin William Walker. Ngjarje më të trishtueshme në jetën e tij, ambasadori Walker pa mëdyshje dhe bazuar në atë që pa në kodrën e Bebushit, e cilësoi si masakër dhe krim kundër njerëzimit”, deklaroi Osmani.

Më tej, presidentja e vendit theksoi se në këtë fshat të vogël të Reçakut por me histori të madhe, u vranë civilë të pambrojtur e të paarmatosur. Osmani theksoi se familjet e të masakruarve vazhdojnë të mbajnë barrën e humbjes dhe dhimbjes së anëtarëve të tyre.

Osmani: Faktet janë më të fuqishme se sa propaganda e vazhdueshme serbe

“Faktet janë më të fuqishme se sa propaganda e vazhdueshme serbe. E vërteta është gjithnjë më e fuqishme se sa gënjeshtra. Ndaj për Reçakun ka vetëm një të vërtetë- ‘Më 1999, civilët janë vrarë mizorisht nga një regjim gjenocidial nga regjimi i Millosheviqit. Kjo e vërtetë ishte atëherë, kjo e vërtetë është edhe sot dhe do të mbetet përherë e tillë në analet e historisë, pavarësisht se sa tenton ta mohojë regjimi si i Millosheviqi, ai i Vuçiqit, i cili sot burgos e torturon edhe vet serbët të cilët e pranojnë këtë të vërtetë dhe vendosin lule mbi varret e fëmijëve të vrarë gjatë luftës. Prandaj, Reçaku ka nevojë për drejtësi, sepse drejtësia është garanci që krime makabre si kjo nuk do të përsëriten më asnjëherë. Vetëm drejtësia i jep kuptim paqes dhe lirisë”, u shpreh Osmani.

Edhe kryeministri Albin Kurti bëri thirrje për drejtësi, ku theksoi se në kronologjinë e historisë së kryerjes së masakrave, ajo e Reçakut është më e tmerrshmja.

Kurti: Vuçiq ka mohuar në vazhdimësi këtë krim kundër njerëzimit

“Atë vit, në një datë sikur e sotmja më 15 janar, këtu në fshatin Reçak të Shtimes, forcat policore të Serbisë i vranë 45 civilë shqiptarë mes të cilëve më i riu ishte Halim Beqiri 14 vjeçar, kurse më i moshuari Avdyl Sejdiu 99 vjeçar. Moshat e tyre si mosha kufitare mes të vrarëve të kësaj masakre, tregojnë për viktimat dhe natyrën e këtij krimi të kryer gjatë luftës. 25 vjet më parë, Serbia aktivizoi tërë aparatin e saj shtetëror nga ushtria te mjekësia ligjore dhe nga mediat te propaganda shtetërore për ta mjegulluar dhe mohuar masakrën e Reçakut, për ta fshehur krimin dhe për t’i mbrojtur kryerësit dhe urdhërdhënësit. Dhe dihet se kush ishte atëherë ministër i informacionit në qeverinë e Serbisë, Aleksandër Vuçiq. Atëherë nga pozita e ministrit të informacionit, kurse sot nga ajo e presidentit të Serbisë, ky njeri e ka mohuar në vazhdimësi këtë krim kundër njerëzimit të kryer nga pushteti i Serbisë”, tha Kurti.

Kurti shtoi se kjo masakër ka lënë pas vetës edhe shumë dëshmitarë të cilët flasin për të gjithë të vërtetën nga e shtëna e parë e deri tek përpjekja për fshehjen dhe justifikimin e krimit.

Kryetari i Komunës së Shtimes, Qemajl Aliu tha se terrori i 15 janarit të vitit 1999 shërbeu si alarm për Millosheviqin.

Aliu: 15 janari i para 25 viteve ishte datë dhe ngjarje vendimtare

“15 janari i para 25 viteve ishte datë dhe ngjarje vendimtare për goditjen e fundit që i shkrehu Serbisë ëndrrat dhe ia preu apetitin e egër për shfarosjen e popullit shqiptar në Kosovë. Reçaku ishte pika e kthesës që tmerrin dhe mizorinë e gjenocidit të aparatit shtetëror policor e ushtarak serb, i bëri të dështojnë me qëllimin e errët që kishin për popullsinë tonë civile. Në Kosovë, Serbia i ka kryer më shumë se 400 masakra ku secila nga to është më e tmerrshme e më e dhimbshme se sa tjetra. Por, shikuar nga mënyra, përmasa e forma se si është kryer masakra e Reçakut në mëngjesin e hershëm të para 25 viteve, ka shumëçka që këtë ngjarje e bën të trishtë e të dhimbshme deri në pa përshkrim”, deklaroi ai.

Tutje, shtoi se Reçaku është edhe krenari dhe dëshmi e cila nuk mund të mohohet e as harrohet.

Më 15 janar 1999, banorët u zgjuan me krismat e forcave serbe. 25 vjet më parë në Reçak, 45 civilë shqiptar u vranë mizorisht. Kjo masakër i cilësia si ndër më mizoret të luftës së fundit në Kosovë. 

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat