Vetëvendosje insiston se po luftohet korrupsioni

Aktuale

Vetëvendosje insiston se po luftohet korrupsioni

Më: 30 janar 2024 Në ora: 19:53
Lëvizja Vetëvendosje

Transparency International ka publikuar raportin për indeksin e perceptimit të korrupsionit. Sipas këtij raporti, Kosova dhe Serbia janë dy vendet e vetme në rajon që s’kanë shënuar progres gjatë vitit 2023. Për këtë, Lëvizja Vetëvendosje, e cila është në vitin e parafundit të mandatit, ka tentuar ta arsyetojë një rezultat të tillë.

Në një reagim zyrtar në profilin e tyre, sipas Vetëvendosjes korrupsioni ka arritur të luftohet nga Qeveria Kurti, ani pse ndryshe thotë indeksi i asociacionit më kredibil në botë për këto matje.

“14 shkurti 2021 është momenti i pikëprerjes së qartë me të kaluarën e mendësisë dhe veprimit korruptiv në qeverisje. Qeverisja e re ka dëshmuar se Republika e Kosovës mund të udhëhiqet pa korrupsion dhe ky fenomen mund të luftohet”, thuhet në reagimin e tyre.

Ata kanë përmendur edhe nisjen e procesit të vettingut dhe atë të Byronë për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme si formë e luftimit të korrupsionit. Megjithatë, në planprogramin e tyre qeverisës përbrenda katër vitesh është paraparë finalizimi i të dyjave.

“Dy procese tejet të rëndësishme janë inciuar nga Qeveria Kurti në drejtim të luftimit të pakompromist të krimit dhe korrupsionit, Byroja për Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme dhe Vettingu. Me këto procese sistemi i drejtësisë do të rilegjitimohej e kështu krimi dhe korrupsioni do të luftohej edhe më shumë, ashtu siç me të drejtë kërkojmë dhe ashtu siç me të drejtë presim”, vijon reagimi i partisë në pushtet.

“Në këto 3 vite të qeverisjes Kosova ka avansuar për 21 vende në luftën ndaj këtyre fenomeneve të këqija, por imagjinoni ku do të jemi si shtet pas aktivizimit të Byrosë dhe procesit të Vettingut. Shumë më mirë.”.

Nga ajo çfarë thuhet në tabelën e prezantuar nga Transparency International, Kosova që nga 2019’a s’ka lëvizur rezultatin vlerësues në luftën drejt korrupsionit.

Në një konferencë për media të Institutit Demokratik të Kosovës (KDI) e cila është degë e Transparency International në Kosovë, u bë e ditur se Kosova është vlerësuar me pikët e njëjta me vitin 2022 ndërsa vendin e 83-të këtë vit e ndan me vendet si Burkina Faso, Afrika e Jugut dhe Vietnami.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat