Peka: Shqipëria e parëndësishme në Ballkan, rolin kryesor e ka marrë Albin Kurti

Aktuale

Peka: Shqipëria e parëndësishme në Ballkan, rolin kryesor e ka marrë Albin Kurti

Më: 14 shkurt 2024 Në ora: 19:03
Albin Kurti

Eksperti i sigurisë nga Shqipëria, Avenier Peka, ka vlerësuar se Shqipëria gjeopolitikisht është e parëndësishme në lidhje me zhvillimet aktuale në rajon.

Peka ka theksuar se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka marrë në dorë situatën dhe se Shqipëria nuk ka një rol të rëndësishëm në lidhje me çështjet aktuale në rajon.

“Shqipëria, gjeopolitikisht, në raport me situatën në Ballkan është irrelevant, sepse tashmë situatën e ka marrë në dorë Albin Kurti dhe Shqipëria nuk është faktor në çfarëdolloj konfigurimi të raporteve midis shqiptarëve dhe serbëve, aq më tepër Shqipëria si anëtare i Këshillit të Sigurimit, nuk ka marrë asnjë iniciativë sa i përket as Kosovës e as rajonit”, ka deklaruar ai në emisionin “FIVE”.

Gjithashtu, Peka, teksa ka komentuar vizitën e pritur të sekretarit amerikan të Shtetit, Antony Blinken, në Shqipëri, ka thënë se është e paqartë arsyeja e vizitës.

Ai ka thënë se mund të ketë faktorë të panjohur, që lidhen me politikat e brendshme të Shqipërisë.

“Është e paqartë arsyeja e vizitës së tij, për disa arsyeje, po të shihni disa deklarata të zëdhënësit të departamentit të shtetit që edhe ai i përmend si arsye janë të shkuara nuk janë të tashme e as të ardhme. Ai përmendi rolin e Shqipërisë si anëtare e përkohshme e Këshillit të Sigurimit në dy vitet e fundit. Në fakt, ka qenë një rol i jashtëzakonshëm për Shqipërinë, por gjatë këtyre dy viteve, pavarësisht rolit që ka pasur Shqipëria, komunikimet e Departamentit të Shtetit dhe Qeverisë amerikane me komunikimet me të Shqipërisë në këto nivele kanë qenë zero. Kryeministri i Shqipërisë ka qenë disa herë në New York dhe nuk ka takuar më zyrtarë amerikanë”, ka deklaruar mes të tjerash ai.

Duke vlerësuar mungesën e komunikimit në mes të Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara, Peka ka deklaruar se pavarësisht rolit të rëndësishëm të Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit, komunikimet me Departamentin e Shtetit dhe Qeverinë amerikane kanë qenë zero gjatë dy viteve të fundit.

“Kështu që fakti që ai vjen tani për t’u takuar me kryeministrin dhe presidentin e Shqipërisë dhe nuk është në kohën kur Shqipëria ishte anëtare e Këshillit të Sigurimit dhe dy herë ka drejtuar Këshillin e Sigurimit, do të thotë që nuk ka lidhje me rolin e Shqipërisë, me anëtarësimin ose bashkëpunimin që ka pasur në Këshillin e Sigurimit”, ka thënë Peka.

Ndërsa, për rolin që ka luajtur Shqipëria në raport me Ukrainën, sipas tij, ishte një rol minimal, ashtu siç kanë mbajtur gjithë anëtarët e NATO-s.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat