Dugolli për Jasharët: Historia njerëzore nuk njeh sakrificë kaq të madhe

Aktuale

Dugolli për Jasharët: Historia njerëzore nuk njeh sakrificë kaq të madhe

Më: 5 mars 2024 Në ora: 23:55
Enver Dugolli

Deputeti i Vetëvendosjes, Enver Dugolli ka propozuar që në të ardhmen Këshilli Organizativ i Epopesë së UÇK-së të jetë mbarëkombëtar, sepse përmasat e figurës së Adem Jasharit e familjes së tij i kalojnë kufijtë administrativ.

“Historia njerëzore nuk njeh një sakrificë kaq të madhe për lirinë”, tha Dugolli.

I pyetur lidhur me gjendjen e kullave në Prekaz, Dugolli theksoi se është top prioritet i Qeverisë projekti memorial në Prekaz, por sipas tij ky projekt nuk mund të bëhet “shkel e shko”.

“Më mirë është të presim e kur të bëhet të bëhet si duhet. Tash projekti është pothuajse në fazën përfundimtare por për shkak të disa procedurave të OSHP-së, është blloku, por jo me fajin e qeverisë. Një gjë mund të ju them me bindje të plotë, ky projekt nuk po ngecë se qeveria nuk po ndanë mjete ose nuk ka vullnet, por kemi dashtë që projekti memorial i Prekazit të jetë me standardet më të larta”, tha Dugolli.

Ndërkohë që foli për Epopenë, Dugolli tha se është privilegj dhe fat që e ka njohur komandantin legjendar Adem Jashari dhe familjen e tij në vitin 1992 në një dasmë, dhe këtë e konsideron si një nga kujtimet më të mira në jetë. Ai thotë se dasma ishte ndryshe nga të tjerat sepse aty njerëzit ishin të armatosur.

“Dikur kur erdh terri dikush tha erdhën! Si sot e kam para sysh atë skenë. Përshtypja e parë që mu krijua ishte sikur po shoh Çetat e Çerqiz Topullit e Azem Galicës, ishte Hamza i pari,  i veshur me kostum kombëtar, me rrethatore me fishekë, bomba e automatik, pas tij ishte Ademi e me radhë gjith grupi i Drenicës. Ka qenë ai moment që më ka bërë të bësoj se vërtetë liria e Kosovës nuk është larg”, kujton Dugolli.

“Ademi ishte fjalë pak por i lindur për luftë, i lindur për rezistencë”, tha ai.

Duke folur për organizimin e sotëm në Kuvend ku përformuan Ilir Shaqiri e Shkurte Fejza, Dugolli theksoi se organizimi ishte në nivel. Sipas tij, edhe këngët e kanë mesazhin e duhur.

Dugolli theksoi se gjithçka që frymon në Kosovën e lirë e ka gjenezën te sakrifica e familjes Jashari dhe gjithë dëshmorëve të vendit.

“Dilema mund të ketë gjithmonë, ka pasë edhe kur Adem Jashari ka luftu” tha ai, duke u përgjigj për komentet e të tjerëve se organizimi në Kuvend.

Enver Dugolli foli edhe për procesin e gjykimit të ishi krerëve të UÇK-së në Hagë, duke thënë se ky proces është shumë i gjatë, por shpreson se të përfundojë sa më shpejtë. Ai thekson se beson në pafajësinë e tyre.

“Fakti që familjet vuajnë, nuk i kanë të afëermit e tyre në familje, gjithashtu edhe ata që po përballen me drejtësinë 26-vjet pas lufte nuk është e lehtë. Uroj që ta kenë shëndetin e ta fitojnë edhe këtë betejë e të merr fund kjo sagë”, deklaroi Dugolli.

Duke folur për bisedimet me Serbinë, ai tha se Serbia është po ajo që ka qenë ndër shekuj, e njëjtë kundër shqiptarëve.

“Nuk ka ndryshuar Serbia e cila bëri masakra kundër civilëve, njerëzve te pa armatosur fëmijëve, pleqve e grave. Ndonëse tani është matanë kufirit, por ajo vazhdon të ketë qasje të njejtë. Nuk e njeh Kosovën, nuk pendohet për krimet që ka bërë, madje edhe i mohon ato. Derisa ka këtë qasje Serbia është vështirë të besohet se diçka ka ndryshuar atje”, deklaroi mes tjerash ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat