Hodaj: Specialja ka të drejtë të kryejë bastisje edhe ndaj një personi që nuk është i dyshuar

Aktuale

Hodaj: Specialja ka të drejtë të kryejë bastisje edhe ndaj një personi që nuk është i dyshuar

Më: 8 mars 2024 Në ora: 06:17
Taulant Hodaj

Avokati i akredituar nga Specialja, Taulant Hodaj, thotë se Gjykata Speciale ka një rregullativ që është në kundërshtim me atë që aplikohet në Kosovë.

Ai thotë se konform rregullatives, Specialja ka të drejtë të kryejë bastisje edhe ndaj një personi që nuk është i dyshuar.

“Gjykata Speciale ka një rregullativ të vetën që fatkeqësisht mund të them që është në kundërshtim me atë që aplikohet në Kosovë dhe ata kanë një marsh të gjerë të të drejtave që bëjnë bastisje, mund të kërkojnë prova, mund të marrin dokumentacione me urdhër të gjyqtarit të procedurës paraprake të personave të ndryshëm pa marrë parasysh a janë të dyshuar apo jo. Konform rregulltives së Gjykatës Speciale ata kanë të drejtë të bëjnë një gjë të tillë, por pastaj mënyra se si është marrë i takon avokatit mbrojtës t’i shikon ato mënyra që vëren se ka shkelje të procedurale ose materiale”, tha ai.

Hodaj thotë se çdo person apo institucion qoftë qeveritar apo jo, e ka obligim që t’i ofrojë çdo dokumentacion apo provë që Gjykata Speciale e kërkon.

“Me ligjin e Dhomave të Specializuara me rregulloren që është në fuqi jo vetëm çdo personi zyrtar, por çdo institucion i Kosovës, qoftë ai qeveritar ose jo qeveritar është i detyruar t’i ofrojë çdo kërkesë, dokumentacion që kërkon Gjykata Speciale. Pra, e kanë obligim, në të kundërtën kryejnë vepra penale nëse nuk i japin dokumentacionin e kërkuar”, shtoi ai.

Ndërkohë, gjatë ditë së djeshme Gjykata Speciale ka bastisur shtëpinë e ish-komandantit të përgjithshëm të UÇK-së, Sylejman Selimit. Lidhur me këtë Artan Qerkini, avokat i Selimit, tha se bastisja u krye nën dyshimin se ka prova për pengim të administrimit të drejtësisë, porse klienti i tij nuk është i dyshuar. Avokati Qerkini u ankua për shkelje të të drejtave kushtetuese të Selimit. Ndërkaq, ai paralajmëroi ankesë për urdhrin e Gjykatës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat