Hovenier deklarohet për dinarin pas takimit me Bislimin, i përgjigjet edhe Vuçiqit për kërcënimin ndaj Kosovës

Aktuale

Hovenier deklarohet për dinarin pas takimit me Bislimin, i përgjigjet edhe Vuçiqit për kërcënimin ndaj Kosovës

Më: 20 mars 2024 Në ora: 10:12 Përditësuar në ora: 12:36 më 20.03.2024
Jeffrey Hovenier

Kushte shtesë për anëtarësim në KiE, Hovenier: Kjo s’është ajo çfarë ka thënë Escobar

Ambasadori amerikan Jeff Hovenier ka thënë se nuk është i saktë interpretimi i deklaratës së emisarit amerikan Gabriel Escobar se janë edhe dy kushte përveç Manastirit për anëtarësim në Këshill të Europës.

“Dua ta kundërshtoj pyetjen sepse nuk është kjo çfarë ka thënë Escobari.

Ajo çfarë ka thënë ishte që çështja e Këshillit të Europës është një çështje e rëndësishme.

Ai tha se janë disa vende europiane që kanë folur për këto rrethana shtesë”, tha sot Hovenier pas takimit me Bislimin që pati në Qeveri.

Hovenier për kërcënimin e Vuçiqit: S’mbesim pa gjumë, këtu është prezente Aleanca më e suksesshme në histori

Ambasadori amerikan Jeff Hovenier ka komentuar deklaratën e presidentit serb Vuçiq që kërcënoi Kosovën ditë më parë.

Ai tha se nuk duhet të mbesim pa gjumë për shkak të këtij kërcënimit meqë Aleanca më e fuqishme në histori është prezente në Kosovë.

“SHBA ka qëndruar fuqishëm për paqen e njerëzve në Kosovës.

Mund të them që jemi të përkushtuar për sigurinë e Kosovës.

Ne nuk e humbim gjumin natën duke u shqetësuar për atë kërcënim sepse ne besojmë që NATO është e gatshme dhe e përgatitur. Dhe nuk mendoj që as njerëzit e Kosovës duhet të mbesim pa gjumë sepse aleanca ushtarake më e suksesshme në histori ka një prezencë të fuqishme dhe është e gatshme të bëjë të nevojshëm”.

Hovenier: Me rëndësi të ndryshohet mënyra e zbatimit të vendimit për dinarin – bisedimet vazhdojnë, mund të gjendet zgjidhja

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jeffrey Hovenier doli më optimist nga takimi i sotëm me Besnik Bislimin.

Jashtë ndërtesës së Qeverisë, Hovenier tha se dje në takimin e kryenegociatorëve në Bruksel pati “disa shenja pozitive” për ta zgjidhur çështjen e dinarit.

Hovenier kujtoi se e respektojnë vendimin e Bankës Qendrore të Kosovës, por përsëriti se janë të shqetësuar për ndikimin që mund të ketë rregullorja e re në komunitetin serb.

“Siç tha kolegu im dje, jemi të shqetësuar për atë se kjo mund të ndikojë në popullatën e cenueshme, posaqërisht komunitetin serb të Kosovës dhe mendoj që është me rëndësi që të ndryshohet mënyra e zbatimit dhe bisedimet tona për këtë çështje vazhdojnë”, tha ambasadori amerikan.

Hovenier tha se ka mundësi për t’u gjendur një zgjidhje.

“Është mirë të shohim që ka mundësi që të dy palët ofrojnë rrugëzgjidhje se si mund të bëhet kjo, si dhe përgjegjësitë e zotit Lajçak”, tha ai.

Hovenier tha se zëvendëskryeministri Besnik Bislimi nuk i ka dhënë ndonjë propozim për zgjidhjen e çështjes së dinarit, por tha se “Qeveria është duke punuar në këtë drejtim”.

“Dëshirojmë të jemi konstruktiv”, tha ambasadori.

Hovenier në takim me Bislimin

Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka arritur në ndërtesën e Qeverisë së Kosovës, ku pritet të zhvillojë një takim me zëvendëskryeministrin, njëherësh kryenegociatorin për dialog, Besnik Bislimi.

Pas takimit, ambasadori Hovenier pritet të deklarohet për medie.

Ky takim zhvillohet një ditë pas takimit në Bruksel, në nivel të kryenegociatorëve.

Dinari, ambasadori amerikan takohet sot me Bislimin, deklarohet edhe për media

Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, do të takohet sot me zëvendëskryeministrin e vendit, Besnik Bislimin.

Pas takimit, Hovenier do të ketë një adresim për media rreth orës 11:40 përpara ndërtesës së qeverisë, thuhet në njoftimin e ambasadës amerikane.

Takimi i Hovenierit me Bislimin vjen një ditë pas takimit që ky i fundit e pati në Bruksel dje me emisarin special të BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, dhe kryenegociatorin serb, Petar Petkoviq.

Bislimi pas takimit tha se në aty është diskutuar për dy tema.

“Ftesa iu ka pasur dy tema në agjendë. Tema e parë ka pasur avancimi i marrëveshjes bazike e aneksit implementues, si dhe tema e dytë është çështje të tjera”, tha ai.

“U dakorduam që deri të premten secila pale të sjellë propozimin e saj se si e sheh zgjidhjen afatshkurtër dhe se si të fillohet zgjidhja afatgjate e dinarit. Dhe pastaj javën e ardhshme do të mblidhemi sërish të diskutojmë se a mund të gjejmë hapësire që këto dy propozime të bëhen një propozim”, ka thënë Bislimi.

Ndërkohë Lajçak ka thënë se për çështjen e dinarit do të vazhdojnë diskutimet të hënën.

Por ai ka shtuar se marrëveshja do të duhet të adresohet nga liderët, duke iu referuar kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit dhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiq.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat